E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet i shumëkërkuari, fshihej në periferi të kryeqytetit

TIRANË - Ka mundur që të qëndrojë i fshehur për më shumë se dy vjet qëkur vrau dhe shkrumboi një person në vitin 2005, por më në fund i janë vënë prangat dje pasdite në banesën që kishte marrë me qira në periferi të kryeqytetit. Burimet zyrtare të policisë së Tiranës bëjnë të ditur se kanë ndaluar dje pasdite shtetasin Luftar Reçi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej tre vjetësh. Ai akuzohet për vrasje dhe masakrim të kufomës në vitin 2005. Ndaj 38-vjeçarit Reçi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, për konsumim të veprave penale të “vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “trafikim të lëndëve narkotike”. Policia e Tiranës bëri të ditur se shtetasit Luftar Reçi dhe Taulant Elezi (nipi i tij, i arrestuar), akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Maksim Lala më 12 maj të vitit 2005 në autostradën Milot-Burrel, në afërsi të Ulzës. Të akuzuarit, pas kryerjes së këtij krimi të rëndë, kanë djegur trupin e viktimës duke e hedhur më pas në vendin e quajtur ”Ura e kallamishtes” në Burrel. Sipas Policisë së Tiranës, shtetasi Luftar Reçi u kap pasditen e djeshme në një banesë të marrë me qira prej tij, në Allias, Tiranë, falë një operacioni të mirorganizuar nga forcat e policisë. Ndërkohë që vazhdon puna hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda për dokumentimin e një sërë veprash penale të kryera prej këtij shtetasi në qytetet e Burrelit dhe të Dibrës.

13 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›