Rregullorja e re, hiqen gradat për Shërbimet Mbështetëse në Polici
Nuk do të kenë më uniformë policore financierët, juristët, mjekët, sekretarët, protokollistët, arkivistët, punonjësit e kartotekave, evidencierët, operatorët, punonjësit e logjistikës, teknologjisë së informacionit, personelit, Institutit të Policisë
Luan Kondi
Tiranë - Pas vendimit të Këshillit të Ministrave ku u miratua rregullorja e re e personelit, brenda vitit 2008 sekretarët, protokollistët, arkivistët, punonjësit e kartotekave, evidencierët dhe operatorët e të gjitha strukturave nuk do të kenë më uniformë policore. Po kështu, brenda vitit 2009 do t’u bashkëngjiten të parëve edhe financierët, juristët, mjekët dhe punonjësit e prodhimit të vulave zyrtare. Vit pas viti nuk do të kenë grada dhe uniformë edhe punonjësit e logjistikës, të teknologjisë së informacionit, personelit, (me përjashtim të shefave të sektorëve në qarqe dhe drejtoritë rajonale të kufirit dhe nivelit të mesëm drejtues), të Institutit të Policisë Shkencore si dhe punonjësit e sallave operative dhe të strukturave të analizës kriminale. Sipas burimeve zyrtare, rreth 40 për qind e numrit të përgjithshëm të policisë së shtetit do të preken direkt nga vënia në zbatim e rregullores së re. Ekspertët mendojnë se duhet riformuluar dhe sanksionuar zgjidhja precize edhe për këtë çështje kaq delikate për këtë kategori punonjësish policie. Po ashtu, këta të fundit kërkojnë nga strukturat drejtuese të policisë së shtetit dhe të Ministrisë së Brendshme kontestimin e disa pikave të rregullores për përmirësim në VKM në zbatim të ligjit e ku duhet t’i kushtohet vëmendja e duhur për përmirësim nëpërmjet saktësimeve juridike të domosdoshme në funksion të përmirësimit të të drejtave të personelit përkatës.
Interpretimi
Duke iu referuar ndryshimeve të rregullores, specialistët mendojnë se bie në sy përdorimi i dy e më shumë standardeve të vlerësimit dhe trajtimit të shërbimeve mbështetëse dhe niveleve të drejtimit të tyre. Kjo sipas specialistëve shkel barazinë para ligjit dhe të drejtat e punonjësve të këtyre strukturave dhe po ashtu duket sikur ligji ka parasysh plotësimin e kërkesave të disa individëve ose sektorëve që nuk mund të jenë kurrsesi më prioritarë se disa të tjerë. “Kur përkufizojmë shërbime mbështetëse, të gjitha janë të barasvlershme në këtë hallkë, mungesa apo diferencimi i njërit nga tjetri dobëson shërbimin, cenon marrëdhëniet, godet moralin dhe të drejtat e barabarta”, - thanë për gazetën burimet nga policia e shtetit.
Rishikimi
Ekspertët mendojnë se duhen riparë formulimet e sanksionuara në rregullore. Duhet vendosur një standard veprimi për të gjitha llojet e shërbimeve. “Nëse është i domosdoshëm për të qenë policor shefi i sektorit të personelit në drejtoritë e policisë në qarqe dhe drejtoritë e policisë, po aq apo më shumë i nevojshëm do të ishte edhe ai i logjistikës, financës dhe teknologjisë së informacionit, pasi më shumë sesa ai i personelit kanë probleme të funksionimit direkt te strukturat operacionale, te gatishmëria, etj. Kështu ky nuk do të ishte ndonjë dëm i madh, përkundrazi do të kishte efektivitet më të lartë nëse këto funksione do të mbanin gradë policore”, - saktësojnë ekspertët. Sipas tyre, është tjetër gjë të veprosh me status të nëpunësit civil dhe tjetër gjë me status policor, fakt që për këto funksione duhet të vlejë apo ka vlejtur shumë në performancën e deritanishme, për ata që kanë njohje të plotë të realiteteve në funksionimin e policisë në Shqipëri. “Eksperimentet dhe parakohshmëria e kanë dëmtuar disa herë policinë gjatë dy dekadave të fundit me shkatërrime e rindërtime nën emrin këshillim apo rekomandim nga ky apo ai mision”, - vijuan burimet e besueshme. Sipas tyre, në kushtet e konkurrencës së ekonomisë shtetërore dhe asaj private nuk duhet harruar se thithja e specialistëve me arsim të lartë për shërbimet mbështetëse do të jetë shumë e vështirë, pasi privati dihet që e paguan më mirë financierin, inxhinierin, informaticienin, mjekun, juristin dhe të tjerë, ca më shumë kur këto janë në funksione drejtimi e menaxhimi, gjë që do ta ulë ndjeshëm preferencën e tyre për të punuar në polici. Është gjykuar që në drejtoritë e shërbimeve mbështetëse në Departamentin e Shërbimeve Mbështetëse, shefat e sektorëve dhe drejtorët e drejtorive të trajtohen me gradë policore, një gjë e mirë kjo, por kur gjykohet e nevojshme aty nuk duhet harruar se është më e nevojshme që kjo të jetë edhe tek ata që janë më afër dhe direkt me strukturat vepruese dhe operacionale, që menaxhojnë në çdo kohë e rrethanë mbështetjen e tyre me shërbimet që prodhojnë e ofrojnë. Pra, duhet rigjykuar rregullorja në zbatimin e një standardi ligjor apo në performancën që ndodhet dhe synohet të arrihet nëpërmjet një analize të shumanshme duke mos harruar grupin e interesit që nuk është përfillur në dhënie mendimesh.
Sugjerimi
Nuk do të ishte keq që në drejtoritë e policisë në qarqe të kishte një funksion zëvendësdrejtori për Shërbimet Mbështetëse me gradë policore. Gjithashtu edhe në drejtoritë e Komisariatet të kishin shef të Sektorit të Shërbimeve Mbështetëse me gradë policore. Në kontekstin e përgjithshëm kjo do të ishte nyje lidhëse midis funksioneve policore dhe mbështetëse për harmonizimin e veprimtarisë midis dy palëve, njërës me status policor dhe tjetrës me status të nëpunësit civil. Kjo gjë do të lehtësonte dhe garantonte menaxhimin e këtyre strukturave me efektivitet profesional. Ekziston një handikap në sanksionimin e mbajtjes së gradës për tre vjet pasi ke kaluar në shërbimet mbështetëse dhe njohja e periudhës si vjetërsi në shërbimin policor, kur nuk dihet qëllimi për të cilin lihet kjo periudhë. Përse do të njihet kjo mbajtje e gradës, apo si do të paguhet përfituesi i gradës gjatë kësaj periudhe që njohja për të të ketë vlerë? Nëse je civil në një funksion mbështetës, atëherë duhet që sigurimi shoqëror, shëndetësor dhe suplementar për ta të derdhen për këtë periudhë për gradën që mban, që ajo të ketë vlerë njohjeje si shërbim policor. Ndryshe, ISSH-ja ta hedh poshtë dhe ka të drejtë ligjërisht, pra sanksionimi kthehet në inekzistent, në mashtrim për punonjësin dhe në një konflikt social nesër kur ata të kërkojnë të drejtat.
13 Shkurt 2008