E Diel, 1 Nëntor 2026

Tri plagosje me thika në tri rrethe

Elbasan

Tre persona kanë përfunduar në spital dje, pasi janë goditur me thika në tri ngjarje të ndryshme të regjistruara brenda pak orëve në qytetin e Elbasanit. Burime policore bëjnë të ditur se një 50-vjeçar ka plagosur një të ri pas një sherri në lagjen “Partizani” të qytetit. Agim Dervishi është shpallur në kërkim për plagosjen e ish-dhëndrit të tij 27-vjeçar me inicialet E.D. I plagosuri është dërguar në spitalin kirurgjik të Elbasanit ku, pasi ka marrë mjekimin, ka dalë nga rreziku për jetën. Ndërkohë, dy persona janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë në Librazhd, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë goditur me thikë dhe me mjete rrethanore një bashkëfshatarin e tyre nga Dragostunja. Taulant çota dhe Blendi Ganxhi janë vënë në pranga, ndërsa i plagosuri është dërguar në spitalin e Librazhdit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shkak i kësaj ngjarje mendohet një grindje për arsye banale. Një tjetër përplasje me thika është regjistruar në qytetin e Gramshit mes disa të rinjve. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se Ermal Kotorri, 23 vjeç, dhe Elton Kamberi, 21 vjeç, janë shpallur në kërkim, pasi në lagjen “Sporti” të Gramshit kanë goditur disa herë me thikë një 21-vjeçar me inicialet E.Z. Mësohet se i plagosuri vazhdon të jetë në gjendje të rëndë në spital. Ndërkohë agjentët e policisë po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes dhe autorët e plagosjes janë shpallur në kërkim.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›