Fëmija vritet, duke luajtur me armë
Një fëmijë ka humbur jetën i qëlluar me armë gjahu në një stan të malit Dhëmbel në Përmet. Autoritetet policore në Përmet konfirmuan se në një stan në afërsi të kishës së “Shën Todhrit”, fëmija me inicialet V.O. me moshë 10 vjeç, nga fshati Varibob i Dëshnicës ka humbur jetën si pasoje e plagëve të marra nga një armë gjahu. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se fëmija që ka humbur jetën është qëlluar nga pakujdesia duke luajtur me një fëmijë tjetër 11-vjeçar, me inicialet E.M nga fshati Rapckë i Përmetit. Të dy fëmijët kishin shkuar në mal për të ndihmuar prindërit me bagëtitë. Kur dy barinjtë e rritur kishin dalë në kullotë dhe kishin lënë fëmijët në stan, këta kanë nisur të luajnë me armën e gjahut dhe e kanë shkrepur pa dashje dhe për pasojë 10-vjeçari me inicialet V.O. ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërkaq, fëmija me inicialet E.M. është marrë në pyetje nga ana e policisë në prani të psikologut, prokurorit dhe të prindërve dhe më pas është lënë i lirë për arsye të moshës. Për këtë ngjarje ka nisur procedimi i prindërve të dy fëmijëve, për pakujdesi.
#