E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Koncert në vitin '36" Premiera e vonuar në Prishtinë

02/05/2005  Vetëm pak ditë më parë u prezantua në Prishtinë, premiera e filmit të regjisorit Saimir Kumbaro "Koncert në vitin '36". Filmi i blerë para rreth 25 vitesh, nga ish-Jugosllavia, nuk pati kurrë premierë, pasi trazirat e vitit '81 shtynë prezantimin e tij në Kosovë dhe, një bunker e ruajti me besnikëri për vite me rradhë

"Kosova Film" dhe kinemja "ABC", me mbështetejen e biznesit kosovar, organizuan para pak javësh premierën e filmit shqiptar "Koncert në vitin '36". Një premierë që ishte vonuar plot 25 vjet, pasi trazirat e viteve '80 dhe kërkesat për "Kosovën Republikë", i shtynë autoritetet vendase të ndalojnë shfaqjen e filmit, premiera e të cilit ishte vendosur të shfaqej në Prishtinë, para se të qarkullonte në të gjithë ish-Jugosllavinë. Në këtë premierë, të vonuar autoritetet kosovare kishin ftuar edhe regjisorin e filmit Saimir Kumbaro edhe aktorin Robert Ndrenika, i cili luan rolin e Prefektit. Filmi u prit mjaft mirë dhe u vlerësua shumë, njëlloj sikur të ishte një prodhim i kohëve të fundit dhe jo i 27 viteve më parë. Publiku kosovar, kritika, por edhe autoritetet e UNMIK-ut e pritën shumë mirë filmin shqiptar. "U ndejva shumë i emocionuar gjatë prezantimit të filmit. Më dukej sikur ishte premira e vërtetë dhe më dukej vetja si në një provim, ku prisja me padurim rezultatin, i cili për fat të mirë ishte shumë pozitiv", u shpreh Saimir Kumbaro për "Metropol". Kumbaro, duke iu referuar drejtorit të "Kosova Film", kritikut dhe gazetarit Gani Mehmetaj, thekson se filmi po vazhdon të shfaqet me shumë sukses. "Unë uroj që kjo traditë të vazhdojë edhe me filma të tjerë shqiptarë, pasi shumë prej tyre jo vetëm nuk janë shfaqur, por as janë parë nga publiku kosovar, por edhe do të ishte një retrospektivë tepër pozitive dhe një kënaqësi shumë e madhe për kineastët shqiptarë". Por problemet, që në pamje të parë duken të parëndësishme, nuk mungojnë. "Eshtë për të ardhur keq, që nuk ka asnjë kopje të posterit origjinal dhe nga ky fakt, 'Kosova Film' u detyrua të krijojë një poster të ri", nënvizon Kumbaro, i cili e shikon këtë mangësi, si një problem shumë serioz, jo vetëm për filmin në fjalë, por për të gjithë filmat shqiptarë.

Natyra dhe bunkeri, sfiduan shkencën

Në vitin 1980, Kumbaro u prezantua në Festivalin e Filmit në Lubjanë me filmin "Koncert në vitin '36". Pas prezantimit të këtij filmi, autoritetet kulturore të ish-Jugosllavisë e blenë këtë film, një ndër të paktët filma shqiptarë të shitur në tregjet e huaja. Pasi u subtitrua në serbisht, filmi u bë gati të shpërndahej në rrjetin kinematografik të ish-Jugosllavisë, ku premiera e tij ishte vendosur të shfaqej në Prishtinë, por ngjarjet vitit 1981 në Kosovë e penguan premierën. Me urdhër të autoriteteve, filmi u bllokua dhe u arkivua në një bunker. Eshtë paradoksale, por bunkerët që do të jenë "plaga" më e madhe jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin, në këtë rast duhen bekuar. "Një drejtor i një biblioteke e gjen këtë kopje të vetme dhe ia dorëzon drejtorit të 'Kosova Film', kritikut dhe gazetarit Gani Mehmetaj. Për koincidencë, Mehmetaj, kishte bërë edhe kritikën e filmit gjatë prezantimit të tij në Lubjanë, një kritikë e cila ishte shumë pozitive", thotë për "Metropol" regjisori Kumbaro, duke shprehur keqardhjen e tij të madhe se shumë filma të xhiruar në AGFA, janë dëmtuar si rezultat i kushteve të këqia ku ato ruhen. "Me një buxhet të veçantë, kopja e vetme që ndodhet në Shqipëri, është meremetuar disi në Bullgari, ndërsa kopja e gjetur në Kosovë, çuditërisht është në gjendje shumë të mirë, ku koloriti i ka rezistuar mjaft mirë kohës, e thënë ndryshe natyra sfidoi shkencën", shpjegon Kumbaro. Pavarësisht nga kjo, parësore mbetet hapja e mëtejshme dhe shkëmbimet kulturore midis Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat janë ende në forma të paorganizuara dhe spontane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›