Një krizë e paralajmëruar
PROBLEMET GLOBALE ME FINANCAT
Ditët e fundit, bota financiare u trondit seriozisht nga falimentimi i mbi 60 bankave e shoqërive financiare në SHBA, ku spikatin “Lehman Brother”, AIG, Fannie Mae, Freddie Mac. Njëherazi, mjaft banka europiane, janë gjithashtu në vështirësi dhe ndjehen njëlloj të kërcënuara. Dihet që SHBA është fuqi e madhe ekonomike, ushtarake etj., dhe pasojat e krizave atje absorbohen shpejt në Europë apo kontinente të tjera.
Dihet gjithashtu që shtete si SHBA-ja, pikërisht pse janë të fuqishme ekonomikisht, e përballojnë këtë situatë, pavarësisht se është më e rënda e pas viteve 1930. Shteti mori masa për blerjen e shoqërisë “AIG” për rreth 80 miliardë dollarë. Ky veprim në fakt është blerje borxhi, pra blerje e humbjes së këtyre institucioneve financiare (humbje që në total mendohet se shkon në 700 miliardë). Në fakt, me këtë veprim, kriza spostohet për më vonë, pra nuk zgjidhet.
Të njëjtat masa kanë marrë Banka Qendrore Europiane, Banka e Anglisë, Francës, Japonisë, Kinës etj., të cilat morën vendimin që të hedhin në treg sasi të mëdha likuiditeti për të parandaluar thellimin e krizës financiare.
Shihet pra, se vendet e zhvilluara kanë në dorë mjete të shumta për t’i amortizuar ose për t’i zgjidhur këto kriza. Po tek ne, si përshfaqen kriza të tilla, a kanë ndikim direkt dhe çfarë masash duhet të marrim?
Në Shqipëri ushtrojnë aktivitetin e tyre rreth 18 banka të nivelit të dytë. Deri para 3-4 vjetësh ato u shfaqën si banka kursimesh, të cilat vinin kryesisht nga depozituesit dhe sistemi i kreditit, thuajse nuk funksiononte. Tashmë këto banka po kreditojnë, por janë të shumta rastet që nuk arkëtojnë paratë për shkak se nuk janë zbatuar kriteret e sigurisë për kredidhënie. Kreditë e këqija tek ne kanë shkuar rreth 170 milionë euro, shifër kjo që ka tendencë të rritet në të ardhmen. Tregu shqiptar ka filluar të ngopet nga kreditimet, gabimi me to është që janë kthyer shpesh si qëllim në vetvete.
Është e qartë që duhet të jemi më seriozë, më të përgjegjshëm dhe më vlerësues. Në këtë mes një detyrë të rëndësishme ka Banka e Shqipërisë, e cila për fat të mirë e ka ende kohën e nevojshme në dispozicion të marrë masa dhe të ndërtojë politika të tilla, që kriza të tilla (qoftë edhe në miniaturë) të mos ndodhin tek ne; ose nëse ndikohemi nga faktorët ndërkombëtare, të mund t’i zgjidhim pasojat që na përkasin.
Për momentin, mendoj se kriza globale financiare nuk do të ndjehet tek ne, për shumë arsye. Bankat tona nuk janë pjesë e lojës së bursave, kredia e keqe aktualisht është në vlera të ulëta dhe mund të përmirësohet, (e rëndësishme është që kjo lloj kredie zë vend të vogël në kreditimet e investimeve publike dhe ato të sipërmarrësve privatë). Në këtë kontekst, them se depozituesit nuk janë të kërcënuar për momentin. Gjithsesi, Banka e Shqipërisë duhet të jetë vigjilente dhe të hartojë sqarime të herëpashershme publike për situatën. Në të kundërt, informacioni përgjithësisht konfuz mbi thellimin e krizës globale, mund të ndikojë, së paku, veprimet e individëve tek ne, gjë që mund të çojë në tërheqje masive të depozitave, një situatë aspak e këndshme, për asnjë Bankë në planet.
*Autori është ekonomist / ish-Zv.Ministër Transporti