Jo TVSH-së së dyfishtë

Kompanitë e shitjes së makinave të reja ankohen për pagesën dyherëshe të TVSH-së për të njëjtën makinë, në rastet kur ajo kthehet nga klienti dhe më pas shitet përsëri
Një tjetër problem shqetësues vihet re këtë herë në tregun prej 170 milionë eurosh të makinave të reja, problem ky që lidhet kryesisht me zhvatjen disa herë nga shteti të së njëjtës taksë për secilën makinë. Kur një makinë e re shitet për herë të parë nga koncesionari, ky i fundit paguan për të si taksë ndaj shtetit edhe 20 për qind Tatim mbi Vlerën e Shtuar. Por nëse klienti kërkon ta kthejë këtë makinë tek kompania ku e ka blerë dhe më pas të marrë një mjet tjetër, sikurse aplikohet në çdo vend evropian apo edhe të rajonit, është thuajse e pamundur. Kjo për shkak se shitja për herë të dytë e së njëjtës makinë që është shitur me parë me kilometrazh zero, do të shoqërohet përsëri me taksën prej 20 për qindësh të TVSH-së, që koncesionari duhet t’ia japë shtetit. Sipas kompanive koncesionare, që klasifikohen edhe si disa prej kontribuuesve më të mëdhenj në sistemin taksativ të buxhetit, neglizhenca e qeverisë për të rregulluar këtë ngërç po dëmton edhe vetë tregun. Të njëjtën gjë vë në dukje për “Korrierin” edhe një përfaqësues nga Distributorët Ligjorë, Shaqir Luka, sipas të cilit, një fenomen i tillë pengese për këtë sektor biznesi ekziston vetëm në Shqipëri. “Në të gjithë shtetet evropiane apo edhe vendet e rajonit, biznesi i makinave të reja lulëzon edhe falë rishitjes së makinave. Kjo bëhet për t’i krijuar klientit një mundësi më shumë, falë një shërbimi që aplikohet në çdo vend. Vetëm në Shqipëri një shërbim i tillë nuk ofrohet, ose më saktë ofrohet vetëm nga pak kompani, të cilat mbajnë edhe barrën e tatimit dy ose edhe tri herë nga e njëjta taksë për të njëjtin produkt”, pohon Luka. Sipas tij, institucioneve përkatëse u është kërkuar disa herë që të rishikohen aktet nënligjore, me qëllim shmangien e pagesës disa herë të së njëjtës taksë, ndërkohë që ende nuk bërë asgjë në lidhje më të.
Tregu
Në Shqipëri hyjnë mesatarisht afro 25 mijë makina çdo vit, me një çmim mesatar prej 7 mijë eurosh për makinë. Kështu, tregu i makinave arrin në rreth 170 milionë euro. Nga këto, afro 75 milionë euro xhirohen nga koncesionarët apo tregu formal, ndërkohë që tregu informal arrin në 95 milionë euro. Sipas një studimi të bërë nga Shoqata e Distributorëve Ligjorë, buxheti i shtetit, për shkak të tregut informal, humbet çdo vit 4 miliardë lekë të ardhura.
Të dhëna
Në treg operojnë 14 shoqëri koncesionare
Buxheti humb çdo vit 4 miliardë lekë nga informalizimi
Tregu vjetor i makinave llogaritet në rreth 170 milionë euro
Koncesionarët xhirojnë afro 75 milionë euro në vit
Në Shqipëri hyjnë mesatarisht 25 mijë makina në vit
Dollari vë muskuj
Gjatë javës së kaluar, monedha amerikane ka fituar terren ndaj euros, ashtu si edhe ndaj monedhës vendase. Në fund të javës, një dollar u ble pak më shumë se 98 lekë, duke i lënë pas shpine pasojat e një vere zhgënjyese për monedhën amerikane, që njohu ndoshta kuotat më të ulëta historike në këmbim me të gjitha monedhat. Riforcimi i dollarit, një politikë e presidentit aktual Xhorxh Bush, duket se ka nisur rrjedhën e vet, duke kthyer një farë balancimi në tregjet financiare ndërkombëtare.
Këmbimi valutor dje në Tiranë
Dollari amerikan 97,7 98,3
Monedha evropiane 123,1 123,5
Franga zvicerane 79,5 80
Paundi britanik 145,5 146