Shfryhet mllefi
SARANDË - Ditën e djeshme, ca për shkak të motit tejet të ftohtë e ca për shkak të arrestimit të katër personave organizatorë, protesta e niviciotëve, që refuzojnë ndërtimin e fshatit turistik në gjirin e Kakomesë, nuk u zhvillua, edhe pse në vendngjarje pati forca të shumta policore. Të shtunën, rreth dy orë pas tubimit të banorëve, që shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale gjatë thyerjes së xhamave dhe shkatërrimit të makinerive të firmës ndërtuese, policia i hodhi prangat kryeplakut të fshatit Nivicë, Klement Baxherit, 50 vjeç, si dhe tre personave të tjerë: Sokol Magulit, 44 vjeç, Thanas Vitos, 54 vjeç dhe Nevil Papagjikës, 20 vjeç, edhe këta nga Nivica. Arrestimi dhe shoqërimi i tyre për në dhomat e paraburgimit në Komisariatin e Sarandës është bërë pas një konfrontimi të policisë me banorët. Sipas policisë, të katërt personat që u ndaluan me urdhër të Prokurorisë së Sarandës, akuzohen për pengim të qarkullimit të mjeteve, kundërshtim e fyerje të bluve për shkak të detyrës, si dhe për vjedhje automjeteve të firmës. Përplasja me blutë nisi kur banor, pasi bllokuan mjetet dhe makineritë e firmës “Riviera”, përgjegjëse e punimeve, improvizuan një podium, ku disa banorë të zonës mbajtën fjalën kundër punimeve të ndërtimit të fshatit turistik, që pak kohë më parë mori “OK” në qeveri. Në tubim folën drejtues të qëndresës dhe të ftuar nga fshatrat e Himarës, përfaqësues në miting. Kryetari i komunës së Lukovës, Vladimir Kumiu, në fjalën e tij siguroi bashkëfshatarët se qëndresa do t’ia arrijë qëllimit për ta detyruar firmën të tërhiqet. Përfaqësuesi i Himarës që mori fjalën në tubim, garantoi të pranishmit se zona që nga Nivica deri në Palasë është e bregdetasve dhe këtu, kushdo, qeveritarë e firma ndërtuese, do të futen vetëm me lejen e banorëve. “Në këtë pikë jemi të gjithë në një mendje, do t’u bëjmë ballë qeveritarëve që janë hajdutë e kriminelë. Ne do të jemi bashkë nga Nivica në Palasë”, nënvijëzoi ai në fjalën e tij. Të pranishmit akuzuan anëtarë të qeverisë, duke u shprehur se ata kanë shitur Kakomenë për interesa personale. Po kështu, pak para arrestimit, kryeplaku i fshatit Nivicë, gjithashtu organizator i tubimeve të këtyre ditëve, Klement Baxheri, tha se ata dhanë pëlqimin për masterplanin për studimin e integruar të bregdetit, por jo lejen që kjo zonë të shitej a të blihej për të përfituar dikush tjetër. Pas arrestimeve, kreu i komunës së Lukovës, Kumiu, tha se kishte marrë garancinë e kreut të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençit, se policia nuk do të ndërhynte forcërisht tek banorët.