E Diel, 1 Nëntor 2026

Jo azil politik në SHBA, ekstradohet në Tiranë vrasësi i babait të policit

TIRANË - Vrau babanë e policit dhe plagosi policin bashkë me dy persona të tjerë në vitin 1995, ekstradohet nga SHBA, Ndue Harusha. 

Pas krimit të kryer në Shkodër, ai është larguar nga Shqipëria dhe kishte kërkuar strehim politik në Amerikë. Ndue Harusha, 66 vjeç, nga Shkodra, është ekstraduar mesditën e djeshme në Tiranë pas disa viteve në kërkim. Harusha ishte në kërkim nga policia që prej 30 gushtit të vitit 1995, kur akuzohet se ka kryer vrasjen e Metush Ujkës dhe ka plagosur djalin e tij, oficer policie, Artur Ujkën. Për krimet e vrasjes dhe vrasjes me dashje të mbetur në tentativë, Ndue Harusha është dënuar me 23 vite burg në mungesë. Që nga koha e krimit, sipas njoftimit zyrtar të policisë, Harusha është larguar jashtë vendit dhe ka qëndruar në SHBA. Atje Ndue Harusha ka qëndruar deri vitin e kaluar, kur është ndaluar nga policia njujorkeze, në bazë të urdhrit ndërkombëtar të arrestit lëshuar për llogari të policisë shqiptare. Ngjarja për të cilën i kërkuari është akuzuar dhe më pas dënuar nga organet shqiptare të drejtësisë ka ndodhur në qytetin e Shkodrës, në lokalin e Ndue Harushës. Një i afërm i tij, Gjon Harusha, është grindur me Metush Ujkën për motive banale në ambientet e lokalit. Grindjen e Gjon Harushës me Metush Ujkën e ka marrë vesh djali i Ujkës, Artur Ujka, oficer policie, i cili është nisur në drejtim të lokalit të Harushës. Në pak minuta Artur Ujka ka mbërritur në lokalin e familjes Harusha, për t’i ardhur në ndihmë babait të tij. Sapo polici ka hyrë në lokal, Ndue Harusha, i ekstraduari i djeshëm, ka nxjerrë një armë zjarri, pistoletë TT, dhe ka qëlluar në drejtim të Metush Ujkës. Pasi ka qëlluar në drejtim të tij, Ndue Harusha ka shtënë edhe në drejtim të djalit të Metush Ujkës, Arturit, disa herë. Nga plumbat e pistoletës, Metush Ujka ka marrë disa plagë të rënda dhe ka mbetur i vdekur në vend. Djali i tij, Artur Ujka, ka pësuar plagë të rënda dhe është nisur në spital duke arritur të mbijetojë. Pak ditë pas ngjarjes, policia ka identifikuar si autor të krimit, Ndue Harushën, i cili është shpallur në kërkim. Harusha, sipas njoftimit të policisë, është larguar nga Shqipëria dhe ka mundur të mbërrijë në SHBA, ku edhe ka kërkuar strehim politik. Një vit pas ngjarjes, më 23 tetor të vitit 1996, Harusha është dënuar nga gjykata e Shkodrës me 23 vite burg për akuzën e vrasjes dhe të vrasjes së mbetur në tentativë me dashje. Dënimi ndaj tij është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit të Tiranës më 11 dhjetor po të vitit 1996, duke marrë formë të prerë. Rreth 13 vite pas krimit të kryer prej tij në Shkodër, Ndue Harusha është rikthyer në pranga për të vuajtur krimin e kryer në lokalin e tij në vitin 1995. Nga aeroporti “Xhon Fixherald Kenedi” i Nju Jorkut deri në aeroportin e Rinasit, i kërkuari për vrasje është shoqëruar nga oficerët e zyrës së Interpolit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›