E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga në Tiranë kosovarit nga Ferizaj, mashtroi në emër të Ambasadës italiane

TIRANE – Policia arrestoi dje një person nga Kosova, i cili duke mashtruar një qytetar i ka marrë atij një shumë të konsiderueshme parash kundrejt premtimit të rremë për punësim 

 në Ambasadën italiane në Tiranë dhe nxjerrjen e një vize shengen. Burime zyrtare të policisë së Tiranës, konfirmuan dje se kanë arrestuar të dyshuarin Afrim Reshani, 45 vjeç lindur në Ferizaj Kosovë dhe banues në Tiranë me shtetësi jugosllave dhe kombësi shqiptare. Sipas burimeve nga policia arrestimi i 45-vjeçarit është bërë pas hetimeve të zhvilluara prej disa ditësh nga Sektori i Antikrimit Ekonomik në policinë e kryeqytetit. Ky sektor mësohet se pak ditë më parë kishte marrë një denoncim nga qytetari i mashtruar. Ai është paraqitur në polici dhe ka denoncuar se Afrim Reshani i kishte marrë 260 mijë lekë të reja duke i premtuar se me këtë shumë do ti rregullonte një punë në Ambasadën italiane në Tiranë si dhe do ti nxirrte një vizë Shengen. Qytetari është shprehur në denoncimin e tij se i kishte paguar paratë dhe kishte pritur që 45-vjeçari nga Kosova ta lajmëronte për të filluar punë dhe për marrjen e vizës. Pas disa tentativave për të komunikuar në telefon lidhur me këtë fakt, qytetari është drejtuar në polici pasi personi që kishte marrë paratë ishte zhdukur dhe nuk përgjigjej në telefon. Menjëherë pas denoncimit të bërë nga i dëmtuari, policia ka filluar hetimet lidhur me këtë rast. Brenda pak orëve shërbimet e policisë së Tiranës kanë arritur të zbulojnë vendqëndrimin e të dyshuarit dhe fillimisht e kanë shoqëruar atë për ta marrë në pyetje. Ai ka hedhur poshtë akuzat ndërsa vetëm pak orë pas shoqërimit në polici, ndaj tij është marrë masa e arrestit me akuzën e mashtrimit. Pas veprimeve procedurale nga oficerët gjyqësorë, dosja penale në ngarkim të 45-vjeçarit nga Kosova është përcjellë në Prokurorinë e Tiranës për hetime të mëtejshme. Organi i akuzës mësohet se është duke shqyrtuar rrethanat e krimit si dhe provat që fajësojnë 45-vjeçarin me qëllim që t’i kërkojë gjykatës vendosjen e një mase sigurie ndaj tij deri në përfundim të hetimeve për këtë çështje. Sipas hetimeve të policisë, mësohet se gjithçka ka kryer i arrestuari ka qenë një mashtrim, pasi ai nuk ka pasur kontakt me asnjë punonjës të Ambasadës italiane në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›