E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinika mashtrim me fëmijët e abuzuar

Zgjerohen përmasat e skandalit të abuzimit me minorenët në qendrën bamirëse “Fëmijët e tij” në Tiranë, e cila drejtohej nga britaniku David Brown. 

Fatos Mahmutaj

Një klinikë shëndetësore, emri i së cilës nuk bëhet i ditur, plotësonte formularë falsë për fëmijët e përdhunuar, duke ua paraqitur prindërve të viktimave me pretendimin se të miturit ishin pa probleme shëndetësore. E njëjta klinikë bënte ekzaminime të fëmijëve para se ata të pranoheshin në qendër. Të dhënat dolën gjatë seancës së radhës në ngarkim të anglezit Brown. Dje dolën para trupit gjykues për të dëshmuar prindërit e një djali 7-vjeçar i abuzuar seksualisht. Prindërit pohuan se djali i tyre ishte ankuar se ishte abuzuar seksualisht dhe për këtë ata kanë kërkuar sqarime në qendër. Nëna e të miturit tregoi se në tetor 2004 e kishte dërguar djalin në qendrën bamirëse, pasi nuk kishte mundësi ta ushqente. Sipas saj, Brown e kishte çuar fillimisht te një noter, ku kishin përpiluar aktin e marrjes së fëmijës në dorëzim dhe pastaj kishte marrë djalin në jetimore. Pak ditë më vonë, gruaja tha se djali ishte kthyer në shtëpi dhe kishte probleme me urinimin, pasi ishte abuzuar seksualisht. Kur ishte pyetur nga e ëma dhe njerku, djali ka treguar se Dino e kishte dhunuar seksualisht, madje disa herë. Gjatë dëshmisë së saj ajo saktësoi se ngjarja ka ndodhur në tetor të vitit 2004, vetëm pak ditë pasi kishte dërguar djalin në jetimore. Më tej ajo pohoi se kishte kontaktuar me Janaq Papalekën, kuzhinierin e fondacionit, i cili i kishte thënë se në bazë të raporteve të ekzaminimeve të klinikës në të cilën vizitoheshin fëmijët e qendrës, aty nuk ndodhnin ngjarje të tilla. Nëna e 7-vjeçarit tha se Brown e kishte ndjekur në distancë bisedën e saj me Papalekën, ndërsa vetë Brown tha se ngaqë nuk dinte shqip, nuk e kishte kuptuar çfarë kishin folur. Kur i kishte rënë në vesh një pretendim i tillë, Brown tha se i kishte adresuar prindërit e të miturit për ta ekspertuar në klinikë djalin. Më tej, Brown u mbrojt me alibinë e impotencës, sipas një ekzaminimi të firmosur nga një mjek anglez, i cili ishte punësuar në të njëjtën klinikë ku trajtoheshin edhe të miturit me raporte false. Prokurori i çështjes, Kolë Hysenaj, depozitoi në dosjen gjyqësore dy akt-ekspertiza, ekzaminime të bëra nga mjekët shqiptarë gjatë kohës që Brown ndodhet në qeli. Sipas përfaqësuesit të akuzës, Brown vuan nga sëmundja e fimozës, por jo nga impotenca.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›