E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i vizave, qeveria, kërkesë KE-së



Takimi i ministrave të Brendshëm të Evropës Juglindore ka konfirmuar faktin se Shqipëria është në axhendën e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave. Një lajm të tillë e konfirmoi edhe zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, i cili mori pjesë në këtë takim. Poni theksoi s Komisioni Evropian është informuar për arritjet e vendit në të gjitha kërkesat që duhen për liberalizimin e vizave. Sipas tij, në qershor të vitit të ardhshëm, qytetarët shqiptarë do të jenë të lirë të udhëtojnë në zonën “Shengen”.

Shqipëria është pjesë e axhendës së Bashkimit Evropian për të përfituar një regjim të lirë vizash. Komisioni Evropian do të përfshijë Shqipërinë në tryezën e punës për shqyrtimin final të liberalizimit të vizave, në mënyrë që shqiptarët të lëvizin lirshëm në zonën “Shengen” në mesin e vitit 2010. Një fakt të tillë e konfirmoi dje zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni. Numri dy i Ministrisë së Brendshme mori pjesë në takimin e ministrave të Brendshëm të vendeve të Evropës Juglindore, ku Shqipëria mori nota pozitive. Poni vuri në dukje se kishte informuar vendet e BE-së në lidhje me ecurinë e gjithë procesit në vendin tonë. Ai u shpreh se vendi ka mbi 170 mijë aplikime për pasaporta biometrike deri tani, nga të cilat mbi 150 mijë janë prodhuar tashmë. “Deri në fund të gushtit kanë aplikuar për pasaporta biometrike mbi 170 mijë shtetas, ku mbi 150 mijë prej të cilëve janë prodhuar. Kjo na lejoi të kërkonim që Shqipëria, pavarësisht mbledhjes së Komisionit Evropian të qershorit, pse jo, të trajtohet në bllok dhe të ketë një zgjidhje të përbashkët për gjithë rajonin”, - deklaroi Poni. Kështu, Shqipëria do të kërkojë që të përfshihet në grupin e vendeve që do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave, pasi ka siguruar edhe mbështetjen e një prej anëtarëve të BE-së, Italisë. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, sqaroi pas përfundimit të takimit të ministrave të Brendshëm të vendeve të Evropës Juglindore se kërkesa vjen pas realizimit të detyrave nga vendi ynë. Nga ana tjetër, një mbështetëse e drejtpërdrejtë e vendit tonë do të jetë edhe Italia fqinje. Shteti italian do të japë të gjithë asistencën e duhur për Shqipërinë në mënyrë që të arrihen dhe të plotësohen të gjitha kushtet e nevojshme. “Mbështetjen dhe suportin që në konferencë ministri Maroni dha për Shqipërinë dhe për vlerësimet maksimale për ecurinë e deritanishme për procesin si dhe interesin e veçantë të Italisë, që Shqipëria ta përfitojë këtë së bashku me shtetet e tjera”, - shtoi Poni. Deri në fund të muajit gusht kanë aplikuar për pasaportë biometrike 170 mijë shtetas, ndërsa 150 mijë prej tyre u pajisën me dokumentin më të sigurt. Takimi i ministrave të Brendshëm të vendeve të rajonit, me një rezolutë pranoi edhe Kosovën në takimet vjetore që zhvillohen. “Ministria dëshmoi rezultatet e admirueshme që kemi arritur deti tani dhe morëm mbështetjen për ecurinë e deritanishme”, - tha më tej Poni. Mbështetje për Shqipërinë ka ardhur edhe nga komisioneri i Zgjerimit, Olli Rehn, i cili një javë më parë, teksa raportonte tek ministrat e Jashtëm të BE-së, tha se Shqipëria po ecën në rrugën e reformave. Ai shtoi se varet edhe nga liderët shqiptarë për të ndikuar më shumë në arritjen e rezultateve.

Mesdheu, Shqipëria, pjesë e strategjisë së BE-së

Komisioni Evropian paraqiti një strategji të re që ka për qëllim përballjen me sfida të ndryshme në basenin e Detit Mesdhe. Përmirësimi i qeverisjes në çështjet detare duhet të jetë një nxitës i rëndësishëm për një rritje më të qëndrueshme në rajon, ndërsa zgjidhen çështje që përbëjnë shqetësime të përbashkëta. Konkurrenca për hapësira detare, kërcënimet ndaj sigurinë detare, degradimi mjedisor dhe efektet e padëshiruara të ndryshimit të klimës, që të gjitha vënë në pah nevojën për një përgjigje më të koordinuar të qeverisjes detare në rajon, gjithashtu në bashkëpunim me partnerët mesdhetarë që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian. Pjesë e kësaj strategjie të re do të jetë edhe vendi ynë. “Zhvillimi i një procesi vendimmarrës më të integruar në rajonin e Mesdheut me siguri do të jetë fitimprurës për të gjithë aktorët dhe administratat. Suksesi ynë për të siguruar një të ardhme të fortë dhe të qëndrueshme për industritë detare dhe ruajtjen e mjedisit detar në rajonin e Mesdheut do të varet nga fakti se sa do të përpiqemi ne të përmirësojmë qeverisjen detare në të gjitha aspektet e saj. Bashkimi Evropian duhet të punojë për një politikë më të integruar dhe përfshirëse jo vetëm për vendet anëtare të Bashkimit Evropian, por gjithashtu në partneritet me të gjithë fqinjët tanë”, - tha komisioneri evropian për Çështjet Detare dhe Peshkimin, Joe Borg.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›