“Jo karta falas, pranoj çdo kërkesë”
Aristir Lumezi
Qeveria është vendosur për të mos lëshuar në kërkesën e opozitës për të dhënë karta falas. Kryeministri Sali Berisha në konferencën e djeshme për shtyp deklaroi se “është i gatshëm të pranojë çdo lloj kërkese të opozitës, përveç kartave falas”. Ngecja e negociatave PD-PS për kartat duket se ka mbetur për çështjen e shitjes e së drejtës së kuponëve, por kryeministri Berisha ka hedhur poshtë çdo ide se ka një krizë për çështjen e kartave. “Edi Rama është në krizë, se si jua indukton ai ju krizat, sepse ai vetë është në mënyrë permanente në krizë. Nuk e dini se ai është në mënyrë konstante në krizë, Edi Rama është non stop në krizë, sepse një njeri jashtë krize, me fakultete mendore normale nuk do të bënte kurrë atë që bëri, që dha 19 leje për vete edhe Eftimin e tij nga 28 që ishin gjithsej”, tha Berisha. Ndërsa ka bërë të ditur se negociatat me opozitën po vazhdojnë për çështjen e kartave. “Janë aplikuar 17.400, megjithatë është e vërtetë që unë kam diskutuar me ambasadorët, është e vërtetë që ne jemi të hapur përveç variantin, që nuk na konvenon për karta gratis. Opozita është e mirëpritur të japë variantet e saj dhe unë di që ekspertët. Të ndaj pak krizën, kriza është e pashërueshme tek Edi Rama, po diskutojnë ekspertët për të gjetur rrugët më të përshtatshme”, deklaroi Berisha. Negociatat mes qeverisë dhe socialistëve kanë ngecur në një pikë, në veprimet në një stacion, ose siç është përdorur këto ditë ‘One stop shop’. Qeveria nuk është dakord që të gjitha veprimet për kartën e identitetit të bëhen në një vend, siç janë stacionet e aplikimit. Ky moment ka bërë që marrëveshja të mos përfundojë, duke çuar në kohë prapa dhe vendimin që pritej të merrej të hënën për të nisur menjëherë nga puna për shpërndarjen e kartave të identitetit me 200 lekë të reja për të gjithë ata që nuk kanë pasaportë. Negociatat mes ekspertit të qeverisë, këshilltarit të kryeministrit Oerd Bylykbashi dhe nënsekretarit juridik socialist, Damian Gjiknuri, ende vazhdojnë. Por dy partitë kanë rënë dakord për çmimin 200 lekë të reja për të gjithë ata shtetas, që nuk kanë pasaportë dhe që nuk janë në rrogë. Palët kanë shprehur vullnet deri në një pikë që t’i japin fund zvarritjeve me kartat e identitetit, edhe pas ndërhyrjes së Trojkës Evropiane dhe ambasadorit amerikan në Tiranë, Xhon Uidhërs. Nga ky vendim do të përfitojnë studentë, pensionistë, qytetarë të trajtuar me ndihmë ekonomike, të papunë si dhe kategoritë e tjera sociale, të cilët duhet të aplikojnë për kartë brenda datës 20 qershor. Pas kësaj date, kartat e identitetit do të kenë çmimin e tyre real, 1200 lekë të reja. Nga selia rozë kanë munguar deklaratat ditore për rrezikun e dështimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, për shkak të mospajisjes me karta të një kategorie prej 700 mijë votuesish, që nuk kanë pasaportë për jashtë shtetit. Kjo ka ardhur nga predispozicioni që tregoi qeveria për të zgjidhur këtë ngërç, por që deri dje në darkë vonë rezultoi jo i kompletuar. Në fakt, njësitë vendore, por dhe partitë politike kanë nisur të punojnë për të evidentuar personat që përbëjnë kategoritë, të cilat trajtohen nga vendimi i fundit i qeverisë, i cili bëri një ulje të mëtejshme për disa kategori, ndërsa për disa të tjera u dha kartat e identitetit falas. Burime pranë selisë rozë shprehen se periudha e mbetur deri në datën 20 qershor, do të jetë një sfidë për të nxitur zgjedhësit e kësaj kategorie që të shkojnë për të aplikuar për karta identiteti.