Shtraus në Tiranë,zbardhet dialogu i përgjuar me Adil Çarçanin në maj 1986
Mesazhet e para për rivendosjen e marrëdhënieve me vendet perëndimore gjatë luftës së ftohtë kanë ardhur nga Boni.
Franc Jozef Shtraus, Kryeministri i Bavarisë, ka qenë nga të parët liderë të Evropës Perëndimore që ka vizituar Shqipërinë që në gjallje të Enverit. Për herë të parë është gjendur në vendin tonë në verën e vitit ‘84. I interesuar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Gjermanisë Federale, është ballafaquar qysh në fillim në barrierat ideologjike të zyrtarëve të Tiranës. Pavarësisht se në kontaktet e para nuk mundi të sigurojë mirëkuptimin e vendasve, Shtraus nuk do t’i rreshtte përpjekjet për të përafruar pozicionet e Bonit dhe Tiranës. I bindur në alternativën e vet do të rikthehej sërish në Shqipëri për të argumentuar me qetësi e durim, këtë radhë për krerët e lartë të politikës shqiptare, arsyet pse duhet nxituar në vendosjen e marrëdhënieve Tiranë-Bon. Sidoqoftë, pala tjetër do qëndronte në të njëjtat pozita. Për herë të fundit kryeministri i Bavarisë ishte mysafir në vendin tonë në maj të vitit 1986. Biedimet me kryeministrin komunist, Adil Çarçani, shënuan dhe fundin e misionit të pamundur të tij në Shqipëri. Po çfarë u diskutua midis tyre për çështjen e rivendosjes së marrëdhënieve Tiranë-Bon. Në dokumentin e mëposhtëm të botuar dje në revistën “MAPO” zbulohet debati i panjohur Shtraus-Çarçani i zhvilluar në 19 maj 1986...
DOKUMENTI
ADIL ÇARÇANI: Si jeni me shëndet?
FRANC JOZEF SHTRAUS: Ju faleminderit shumë, kalova një dhimbje të kyçeve të këmbëve, por tani jam drejt shërimit.
ADIL ÇARÇANI: Si udhëtuat sot?
FRANC JOZEF SHTRAUS: Shumë mirë, një orë e 55 minuta nga Mynihu në Tiranë.
ADIL ÇARÇANI: Distancë e shkurtër.
FRANC JOZEF SHTRAUS: Bota është “zvogëluar”, Evropa edhe më shumë.
ADIL ÇARÇANI: Shkenca shkon gjithnjë përpara.
FRANC JOZEF SHTRAUS: Veçse lidhet e mira dhe e keqja me të. Ne patëm një shqetësim të madh pas asaj që ndodhi në Çernobil me reaktorin. Kryesisht ne kemi pasur erë nga Perëdimi, por ditët e fundit kemi pasur erë nga Lindja dhe sidomos Bavaria është prekur shumë nga rrezet radioaktive.
ADIL ÇARÇANI: Se është edhe më afër dhe fillimisht era fryu në drejtim të saj.
FRANC JOZEF SHTRAUS: Këtu ka diçka: nga rreziqet që njihen njeriu trembet më pak sesa nga rreziqet e panjohura.
ADIL ÇARÇANI: Edhe tek ne kaloi reja radioaktive.
FRANC JOZEF SHTRAUS: Shumë më pak sesa të ne. Ishte diçka e rëndë, por ja që ndodhi. Nga kjo ngjarje nxjerrim përfundimin se çështja e kontrollit të kësaj energjie nuk është me një çështje kombëtare, por ndërkombëtare. Kancelari Federal tha se për këtë çështje duhet organizuar një konferencë ndërkombëtare dhe kjo është dhënë edhe me shkrim, me tre qëllime.
ADIL ÇARÇANI: Energjia atomike ka rëndësinë dhe avantazhet e saj të mëdha në interes të zhvillimit paqësor, por ka edhe rreziqe, sepse me gjithë përparimet e shkencës për ta vënë atë nën kontrollin e rreptë teknik, ndodh siç ndodhi në këtë rast dhe siç ka ndodhur edhe në disa raste të tjera, kur me daljen e saj jashtë kontrollit janë shkaktuar dëme shumë të rënda për njerëzimin që krijojnë shqetësime jo vetëm për sot, por do të ndihen edhe për vite të tëra në shëndetin e njerëzve, në ruajtjen e jetës së tyre që është qëllimi kryesor.
FRANC JOZEF SHTRAUS: Sigurisht, zhvillimi i teknikës moderne dhe përparimi varen edhe nga njerëzimi. Eshtë plotësisht e gabuar sikur të shejtanëzohet teknika, domethënë të shahet teknika e re, sepse energjia është faktor kryesor për ta bërë punën të durueshme. Edhe tek ju teknika është në zhvillim të plotë. Kur më ka rritur nëna, nuk kishte as makinë për të thithur pluhurat, as makinë për të larë rrobat. Gjyshërit e mi ishin fshatarë, korrnin me drapër dhe ne si fëmijë, kemi punuar bashkë me fshatarët për të bërë ato punët e dorës.
ADIL ÇARÇANI: E vënë përherë në interes të njerëzimit, teknika është gjithnjë progresive, e përparuar dhe e përkrahur.
Unë, zoti Kryeministër, jam i kënaqur që ju pres sot këtu.
Eshtë e dyta herë që vini dhe ndiej kënaqësi që takohem sot me ju, që të bisedojmë e të shkëmbejmë mendime për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona. Dëshiroj të shfaq kënaqësinë e Qeverisë shqiptare të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë për përpjekjet tuaja, interesimin e vazhdueshëm që keni treguar e tregoni për zhvillimin e normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës Federale Gjermane dhe Republikës Popullore Socialise të Shqipërisë, çka do t’i shërbente interesave të dy popujve e vendeve tona. Sigurisht, ecje dhe përparime në këtë drejtim janë bërë, bisedime gjithashtu janë zhvilluar, diçka është arritur, por jo ajo që dëshirojmë. Për normalizimin e marrëdhënieve tona ka ende disa pengesa, që ne mendojmë se nuk janë të pakapërcyeshme e pa rrugëzgjidhje.
Qeveria e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë ka bërë në këtë drejtim propozimet e saj, ka dhënë mendimet e veta, por fatkeqësisht shikojmë që nuk është arritur ajo që duhet arritur. Me rastin e këtij takimi dhe bisedimi me ju, unë do të doja të shkëmbenim mendime pikërisht për arritjen e asaj dëshire të përbashkët që ekziston për kapërcimin e ndonjë pengese, për të arritur në normalizimin e marrëdhënieve, përderisa edhe nga ana juaj, edhe nga ana jonë ekziston dëshira e mundësia që së bashku, të dy palët, i pranojmë, i njohim.
Do të dëshiroja të dëgjoja edhe mendimin tuaj për këtë çështje, meqë më jepet rasti të bëj këtë takim me Ju. Mendoj se shkëmbimi i këtyre mendimeve do t’i vlente më tej intensifikimit të punës, bisedimeve, konkretizimit, si të thuash, të të gjitha atyre çështjeve që do të shpinin në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve tona.
FRANC JOZEF SHTRAUS: Unë ju falenderoj për pritjen dhe për mundësitë që më dhatë të bisedoja me Ju, por dëshiroj të jem sot si një i dërguar i veçantë që të bëhet shpejtim në kalimin e kësaj rruge që ka mbetur. Edhe nga pala gjermane ekziston dëshira e ndershme për të hyrë në marrëdhënie kooperimi dhe të ndershme me njëri-tjetrin, veçse dëshiroj të thuhet hapur se cila është sipas mendimit tuaj, pengesa për të cilën duhet punuar për ta kapërcyer. Atë që do të më thoni Ju, nëse dëshiron zoti Kryeministër, unë do t’ia them ekzakt, brenda kësaj jave, Kancelarit Federal.
Në Gjermani ka forca, të cilat kanë edhe mendime lidhur me fqinjin tonë të madh, Bashkimin Sovjetik, por unë dhe miqtë e mi nuk i kemi këto mendime.
ADIL ÇARÇANI: Ne kemi parashtruar disa herë mendimet tona, kemi deklaruar edhe botërisht. Në Kongrese të Partisë, shoku Enver Hoxha ka thënë që nuk ka ndonjë pengesë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, për çka besoj se Ju, sikurse edhe Qeveria Federale Gjermane, jeni në dijeni, sepse disa herë janë zhvilluar bisedime për këtë çështje. Siç e dini, shoku Sofokli Lazri, i ngarkuar nga Qeveria jonë, ka kryesuar bisedimet me palën gjermane.
Kemi parashtruar, si të thuash, që bashkë me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë t’ i jepej edhe sadisfaksioni moral në lidhje me të drejtën e saj legjitime, kërkesën e saj për çështjen e njohjes së dëmeve që ajo ka pësuar nga Lufta e Dytë Botërore.
FRANC JOZEF SHTRAUS: Dua të di konkretisht çfarë është kjo, se ministritë e jashtme nganjëherë edhe i komplikojnë këto gjëra. Çfarë duhet kuptuar me sadisfaksionin moral?
ADIL ÇARÇANI: Me sadisfaksionin moral që përmenda, kuptohet njohja dhe dhënia e dëmshpërblimeve për dëmet që Shqipëria ka pësuar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Shqipëria gjatë Luftës pati dëme të mëdha dhe këto qenë të konsiderueshme në raport me vendin dhe popullsinë. Pra, njohja e këtyre dëmeve dhe dhënia Shqipërisë atë që i takon, është sadisfaksioni moral që përmenda. Kjo i takon asaj për luftën që bëri dhe kontributin e madh që dha në Luftën e Dytë Botërore.
FRANC JOZEF SHTRAUS: Jam një realist i madh për faktet dhe për numrat, çfarë kuptohet me këtë?
ADIL ÇARÇANI: Po ne i kemi parashtruar këto, kemi thënë edhe se në ç’masë janë këto dëme. Për ne ato janë dëme të konsiderueshme dhe patjetër, ashtu siç është vepruar edhe për raste të tjera nga ana e palës gjermane ndaj të tjerëve për çështjen e njohjes së këtyre dëmeve e të dhënies së dëmshpërblimeve, po kështu i takojnë t’i jepen edhe Shqipërisë.
FRANC JOZEF SHTRAUS: Domethënë e keni fjalën për reparacionet?
ADIL ÇARÇANI: Po, për ato e kam fjalën, që ju, sigurisht, nuk i njihni si reparacione, por ne kemi thënë se mund të gjenden rrugë e forma të tjera që ky dëm që pësoi Shqipëria, t’i njihet e t’i jepen dëmshpërblimet. Kemi dhënë edhe mendime konkrete për rrugët që mund të ndiqen, i kemi thënë, i kemi parashtruar disa herë mendimet tona në këtë drejtim. Eshtë e vërtetë që edhe nga ana e Qeverise Federale Gjermane është thënë e pranuar që të vendosen njëherë marrëdhënie diplomatike, se pastaj Shqipëria do të përfitojë në këtë drejtim, por konkretisht, qysh e sa do të përfitonte, nuk na është thënë gjë.
FRANC JOZEF SHTRAUS: Do të jem i hapët në këtë drejtim.
ADIL ÇARÇANI: Edhe ne atë duam, që të bisedojmë hapur.
FRANC JOZEF SHTRAUS: Më falni, por dua të them se Ju po kaloni në një rrugë të gabuar. Sipas marrëveshjes së borxheve të Londrës, çështja e reparacioneve, po e përsëris edhe njëherë, para Traktatit të Paqes, as që mund të shtrohet në tavolinë. Përndryshe do të fillonin kërkesat për bisedime edhe të tjerët, si Norvegjia, Danimarka, Luksemburgu, Belgjika, Franca etj. Ju lutem të më besoni, kjo nuk është me qëllim të keq, por nuk mund të diskutohet. Në bisedën e fundit që pata në gusht të vitit 1984 me zotin zv. kryeministër, më tha që ne i kemi paguar reparacione Polonisë dhe Jugosllavisë. Kështu me tha partneri im shqiptar në bisedimet që patëm atëherë, por unë thashë dhe them se nuk është e vërtetë, se as polakët, as jugosllavët nuk morën asnjë qindarkë, por Polonia mori një herë, kurse Jugosllavia mori disa herë kredi në kushte shumë të favorshme dhe shkatërrimet në Poloni e në Jugosllavi ishin sigurisht, shumë të mëdha. Veç kësaj, ju keni marrëdhënie diplomatike me Austrinë, me Republikën Demokratike Gjermane e me Italinë. Italianët në kohën e tyre aneksuan Shqipërinë dhe ne atëherë e quajtëm këtë gabim të madh, por unë në atë kohë isha i vogël. Nga ngatërresat që italianët sollën në Ballkan, u dukën edhe gjermanët në këtë zonë, por këtu nuk dua në asnjë mënyrë të justifikoj Hitlerin. Sipas informacioneve tona, as Italia, as Austria, as Republika Demokratike Gjermane nuk kanë paguar asnjë qindarkë dhe nuk kanë përdorur asnjë formë tjetër për zhdëmtimet. Trupat e Gjermanisë që erdhën në atë kohë në Shqipëri, vinin nga Gjermania, nga ajo pjesë e Gjermanisë që tani përbëhet nga tri shtete. Ua them miqësisht këtë që është rrugë e gabuar dhe është e pamundur që Republika Federale Gjermane, para vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, të hyjë në bisedime për këto çështje. Deshiroj të them që nuk ka asnjë kuptim të besojmë në gjëra, për të cilat nuk mund të veprojmë. Të gjithë ish-kundërshtarët tanë në luftë kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me ne, me përjashtim të Shqipërisë dhe kjo është çështje e Shqipërisë, që ka të bëjë me të drejtën ndërkombëtare. Ata kanë vendosur marrëdhënie diplomatike pa parakusht. Me të njëjtën qartësi dëshiroj të them hapur që ne, në bazë të bashkëpunimit ekonomik, edhe me Shqipërinë mund të zbatojmë ato forma që kemi përdorur edhe me Poloninë e me Jugosllavinë, dhe ky bashkëpunim ekonomik do të jetë i një rëndësie shumë të madhe për zhvillimin e vendit tuaj në fushën tekniko-shkencore. Pozita e zhvillimit tonë tekniko-shkencor në botë gjithmonë po rritet, por më vjen keq se po të vihen kushtet që thamë, nuk do të dalë gjë, nuk do të nxjerrim gjë.
Do të them se Ministria jonë e Jashtme në drejtimin tuaj është gjithmonë e rezervuar, duke pasur parasysh Moskën, por sigurisht ne jemi gati që Ministrinë e Jashtme ta kalojmë, se ne kemi një koalicion në Bon dhe Ministria e Jashtme është në dorën e Partisë së Lirë Demokratike. Kancelari e di që unë jam këtu dhe, sigurisht, me t’u kthyer, unë do t’i raportoj atij, veçse jam pak kokëfortë në këtë drejtim, ende nuk më thatë gjë konkrete, sepse unë nuk kam qenë në bisedime dhe nuk i di detajet e bisedimeve që ju keni zhvilluar.
ADIL ÇARÇANI: Ju dëgjova me vëmendje. Në fjalën tuaj ngritët çështjen që të vendosen marrëdhëniet diplomatike e pastaj Shqipëria do të ketë përfitime ekonomike, teknike e teknologjike shumë të mëdha.
FRANC JOZEF SHTRAUS: Siç kanë përfituar të gjitha vendet e tjera. Veçse një gjë, ju vini të fundit me kërkesat tuaja në këtë drejtim.
ADIL ÇARÇANI: Ne e kemi ngritur shumë shpejt këtë, por ne në formë ndihme e kredie, ju e dini, nuk pranojmë, se e kemi të ndaluar me Kushtetutë. Ne dimë edhe pengesat tuaja juridike në lidhje me atë që thatë Ju për Traktatin e Paqes, por kemi dhënë mendime e kemi propozuar rrugët e tjera që mund të gjendeshin për të kënaqur juridikisht të dy palët, që në këtë mënyrë edhe Shqipëria të marrë të drejtën e saj që i takon nga Lufta e Dytë Botërore. Edhe ne kemi kërkuar pikërisht këtë që thoni Ju, që në lidhje me përfitimet e mëdha ekonomike e teknologjike, të dimë se çfarë do të jenë këto, në ç’rrugë dhe sa do të jenë, kemi kërkuar që ta dimë, të paktën diçka konkrete, unë flas hapur sot me Ju.
FRANC JOZEF SHTRAUS: E para, dua të theksoj se nuk ka, mos më merrni për keq, por nuk ka parakushte për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe, e dyta, më thoni se çfarë kërkoni. Më thoni se ç’duhet të ndodhë në mënyrë konkrete më përpara, si e mendoni Ju?
ADIL ÇARÇANI: Ne ju kemi dhënë edhe disa propozime konkrete, ju kemi paraqitur një listë me objekte e pajisje konkrete që ne kërkojmë, duke ju përgjigjur kështu pyetjes që keni bërë në takimin e parë. Do të na jepen ato para apo pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, kjo nuk luan rol, çështja është të dimë lidhur me ato që kemi paraqitur konkretisht, masën e tyre, pa nuk ka rëndësi nëse do të jepen, para apo pas lidhjes së marrëdhënieve diplomatike.
FRANC JOZEF SHTRAUS: Për atë që biseduam në Mynih me Profesorin, për këtë listë, ç’kuptohet me këtë, ndonjë ndihmë kapitale apo ndonjë ndihmë teknike, si duhet ta kuptojmë këtë listë?
ADIL ÇARÇANI: Lista që kemi paraqitur është kryesisht një listë objektesh. Shqipëria zhvillon ekonominë e saj, industrinë e saj dhe pikërisht për këtë kemi kërkuar dhënien e atyre objekteve në rrugë të ndryshme, si transferim teknologjie, bashkëpunim tekniko-shkencor, të cilat mund të përcaktohen konkretisht, por të paktën lista që kemi dhënë është konkrete dhe mund të vlerësohet edhe me një shifër konkrete (sepse ato mund të llogariten. Ne mendojmë se këto janë rrugët që mund të përcaktoheshin, mund të gjendeshin për të arritur në një përfundim të kënaqshëm
FRANC JOZEF SHTRAUS: Për atë që bisedoni ju, zoti Kryeministër, sa mund të jetë vlera?
ADIL ÇARÇANI: Ne kemi paraqitur një listë emërore objektesh, por edhe një vlerësim të tyre mund ta bëjmë, por dëshiroj t’Ju them se sigurisht, ajo është një vlerë e konsiderueshme që ne kemi propozuar të jepet për një periudhë 10-vjeçare, jo brenda një viti apo 5 vjetëve por brenda një periudhe 10-vjeçare, gjatë së cilës mund t’i merrnim ato objekte në rrugët që përmenda. Ne kërkojmë të pranohet që të hyjmë në bisedime për konkretizimin e tyre, se shqyrtimi e vlerësimi i tyre, radha e tyre mund të përcaktohen në bisedimet e mëpasshme, por duhet që pala shqiptare të ketë një garanci për propozimet që ka bërë, kurse konkretizimi i tyre mund të bëhet edhe pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
SOFOKLI LAZRI: Nuk i kemi kushtëzuar këto marrëdhënie.
ADIL ÇARÇANI: Për shëndetin tuaj. Po e bëjmë këtë bisedë drejtpërdrejt, pa shumë protokoll. (Pihet një dolli).
FRANC JOZEF SHTRAUS: Po, pa protokoll, edhe unë flas vetëm me gojë.
SOFOKLI LAZRI: Pra, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ne nuk e kemi kushtëzuar, por kemi kërkuar një kontribut gjerman, që nuk e lidhim me reparacionet. Do të thoni ju pse i drejtohemi Gjermanisë. Le të mos i referohemi reparacioneve, por ka ndonjë formë që, si të thuash, lidhet qoftë edhe në mënyrën morale, me reparacionet.
FRANC JOZEF SHTRAUS: Po Republika Demokratike Gjermane, Austria dha Italia me të cilat keni vendosur marrëdhënie diplomatike, çfarë kanë bërë nga ana morale?
SOFOKLI LAZRI: Pas Luftës, Shqipërisë iu caktua që do t’i merrte reparacionet nga zona perëndimore, ishim ne dhe Jugosllavia, nuk na u caktua nga zona lindore.
FRANC JOZEF SHTRAUS: Nga kush u caktua kjo?
SOFOKLI LAZRI: Menjëherë pas Luftës, në Konferencën që u bë në vitin 1945, komisioni ndëraleat për reparacionet caktoi që Bashkimi Sovjetik, p.sh., do t’i marrë nga zona lindore, kurse Shqipëria dhe Jugosllavia nga zona perëndimore, kjo është sa për Gjermaninë Demokratike. Pastaj Konferenca e Londrës tha që ju nuk do t’i paguani. Austria ishte vetë e pushtuar. Prandaj kështu vazhduan diskutimet, ju thatë që, nuk i njihnit reparacionet dhe ne e morëm parasysh këtë.
ADIL ÇARÇANI: Edhe ne nuk ngulim këmbë, mund që të paguhen jo në emër të reparacioneve dhe nuk e kushtëzojmë lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me reparacionet, vetëm që moralisht ne duam një kontribut, siç kanë marrë edhe të tjerët, në formë reparacionesh apo kredie, kjo është puna juaj, ne nuk e dimë ekzakt se si ua keni dhënë.
FRANC JOZEF SHTRAUS: Tani, si është puna, që ta lidhim këtë çështje morale me materialen?
ADIL ÇARÇANI: Gjatë Luftës së Dytë Botërore Shqipëria u dëmtua, iu vranë shumë Shqipërisë. Ju thatë se u dëmtuan më shumë disa vende si, Jugosllavia e Polonia, mirëpo në raport me popullsinë Shqipëria ka pasur më shumë dëme edhe në njerëz, edhe në materiale ka pasur djegie e shkatërrime dhe kjo është, pra, ana morale që ne këkojmë të marrim, njohja e diçkaje legjitime, e një kontributi të madh që dhe Shqipëria ndaj këtyre dëmeve që pësoi, njohja, pra, dhe dhënia e një kompensimi për gjithë këtë kontribut të Shqipërisë dhe kjo jo si lëmoshë, por si diçka legjitime që asaj i takon.
Ne, e përsëris, nuk kërkojmë ta lidhim këtë me reparacionet, por kjo është një e drejtë legjitime që i takon popullit shqiptar, se Lufta e Dytë Botërore e dëmtoi rëndë Shqipërinë dhe ajo e pagoi shtrenjtë këtë. Eshtë një e drejtë legjitime e saj, në kuptimin moral, dhe mund të zgjidhet pa prekur e dëmtuar as pozitën tuaj juridike, as pozitën tonë juridike, sepse, siç e dini, kushtetuta neve nuk na lejon të marrim kredi dhe ne nuk marrim kredi. Kemi thënë e kemi propozuar konkretisht masat dhe rrugët që mund të gjenden për zgjidhjen e këtij problemi.
FRANC JOZEF SHTRAUS: Përsëri kam frikë, kam shumë frikë, se prapë kjo më duket si parakusht dhe nuk mund të them gjë.
vijon nesër...