E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu vizitoi fëmijën e parë të lindur në Ditën e Pavarësisë

PRISHTINE- Presidenti Fatmir Sejdiu ka vizituar sot familjen Sopa në Sllovi të Lipjanit për t’i uruar ditëlindjen e dytë të fëmijës së tyre, e cila lindi vetëm katër minuta pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.
Vajza e mban emrin Pavarësi. Sejdiu i ka dhuruar asaj disa dhurata dhe njëherazi ka ndarë gëzimin me familjen që po festonte datëlindjen e vajzës.

Presidenti Sejdiu tha se fëmijët e lindur në këtë kohë dhe të gjithë fëmijët e Kosovës do të rriten dhe zhvillohen nën përkujdesjen e shtetit të ri të Kosovës.

Presidenti ka gjetur një ambient të ngrohtë në familjen Sopa. Ai ka shfletuar bashkë me ta fotografi të ish-presidentit Ibrahim Rugova, si dhe flamurin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Me këtë rast u bë i ditur se edhe stërgjyshja e vajzës Pavarësia, ka lindur më 28 nëntor 1912, pra Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

“Stërgjyshja e vajzës Pavarësia ka lindur më 28 nëntor 1912. Dhe Pavarësia e ka pasur këtë fat dhe prind të saj, por edhe Kosova të ketë shumë fëmijë të shëndoshë të lindur nga kjo kohë, të zhvillohen me kujdesin e shtetit dhe familjeve të tyre. Prandaj sot urime për të gjithë edhe bashkëvendës të këtij fshati të bukur të Kosovës, por edhe të tjerë që keni ardhur për të shënuar këtë ditë edhe në kuptimin e kësaj ngjarje sado simbolike, që me mëngjes, të jem këtu në mesin e njerëzve dhe të ndaj gëzimin me ta”, ka theksuar Sejdiu.

Vitin e kaluar, familjen Sopa e kishte vizituar kryeministri Hashim Thaçi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›