E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jo martesave të huomoseksualëve

19/08/2009  Kisha Ortodokse reagon kundër propozimit të bërë prej Berishës

TIRANE- Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare me anë të një deklarate për mediat reagon kundër propozimit të bërë ne qeveri për të lejuar martesat ndërmjet personave të së njëjtës gjini. Në një deklaratë publike të Sinodit të shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, thuhet se në çdo shoqëri martesa ka qenë gjithmonë ndërmjet burrit dhe gruas dhe shenjtërinë e saj e thekson kisha për shekuj me radhë.

“Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë shpreh shqetësimin e tij të thellë për projektligjin që do të paraqitet nga qeveria në Kuvendin e Shqipërisë, me anë të të cilit do të kërkohet legalizimi i «martesave» brenda së njëjtës gjini. Në çdo shoqëri dhe kulturë njerëzore martesa ka qenë gjithmonë ndërmjet burrit dhe gruas. Në veçanti martesën e institucionalizoi Shkrimi i Shenjtë dhe rëndësinë dhe shenjtërinë e saj e thekson Kisha për njëzetë shekuj me radhë. Ajo përbën themelin e shoqërisë dhe të rendit njerëzor. Sa herë janë bërë eksperimente duke krijuar ligje në kundërshtim me ligjet e përjetshme të Perëndisë, ato kanë çuar në katastrofa të mëdha njerëzore dhe shoqërore.”- thuhet në deklaratën për shtyp të shpërndarë nga Kisha Ortodokse Autoqefale shqiptare.

Më tej në deklaratë Kisha u bën thirrje dhe u kërkon autoriteteve që kanë përgjegjësinë për legjislacionin e këtij vendi që të tregojnë përgjegjshmëri në lidhje me të ardhmen e shoqërisë sonë. “I lutemi Perëndisë që të ndriçojë mendjet e tyre që të marrin vendimet e duhura dhe të drejta për të mbrojtur familjen dhe shoqërinë tonë të brishtë.”- mbyllet deklarata e Sinodit të Shenjtë Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Por ditë më parë kanë reaguar përfaqësuesit e të gjithë besimeve në Shqipëri. Kështu Komuniteti Mysliman, Kisha Katolike, përfaqësuesit e bektashizmës kanë kërkuar që të kthehet mbrapsht propozimi i bërë nga qeveria, duke i qëndruar në mbrojtje të traditës shqiptare. Në po të njëjtën mënyrë kanë reaguar përfaqësues të shoqërisë civile por dhe të partive aleate apo kundërshtare me Partinë Demokratike. Gjithsesi propozimi i dhënë pak ditë më parë nga qeveria Berisha mbetet ende në nivelin e propozimeve pa kaluar në një draft konkret, i cili pritet të përfundojë në fund të muajit të ardhshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›