E Hënë, 2 Nëntor 2026

Padi Tatim-Taksave, favorizuan bizneset debitore

19/08/2009  Policia e Durrësit dorëzon dosjen e plotë. Shumë aktivitete iu shmangën detyrimeve

DURRES- Drejtoria rajonale e Tatimeve dhe Taksave në Durrës është vënën nën procedim penal pas kallëzimit të bërë nga policia e shtetit. Një ditë më parë Sektori i Luftës Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiarë në Durrës ka përpiluar një padi të gjatë dhe e ka depozituar në organin e Prokurorisë. Në të bëhet e ditur se tatimet nuk kanë respektuar ligjet duke i sjellë shtetit dëm ekonomik me mosveprimin ligjor.

Padia

Sektori i Luftës Kundër Krimit Ekonomik e Financiar ka bërë kallëzim penal për Drejtorinë e Tatimeve dhe Taksave në Durrës si dhe për shtetasin Lutfi Kurti. Organi tatimor rezulton të mos ketë kryer detyrimin tatimor duke favorizuar 35-vjeçarin Kurti në drejtim të Taksave e Tatimeve. Kurti është një nga pronarët e shumtë që kanë impiant të larjes së zhavorrit e rërës në lumin Erzen. Saktësisht ky shtetas është pronar i një lavatriçeje në fshatin Romanat të komunës së Gjepalaj. Policia ka bërë të ditur se shtrati i lumit Erzen është shfrytëzuar nga pronari i lavatriçes pa paguar asnjë detyrim. Oficerët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit Ekonomik e Financiar kanë vendosur herë pas here masa administrative ndaj pronarit te lavatriçes, shtetasit Lutfi Kurti. Gjithnjë sipas policisë, me gjithë masat administrative, Kurti nuk kishte paguar detyrimet tatimore. Krahas padisë për pronarin e impiantit të madh në Romanat, policia ka bërë kallëzim penal edhe për degën e Tatimeve ngase ka gjykuar se kjo e fundit ka shmangur në mënyrë të qëllimtë lavatriçen e materialeve inerte nga tatimet. Të njëjta burime thonë se në proces penal pritet të kalojnë edhe disa pronarë të tjerë të pikave inerte në lumin Erzen.

Dëmi

Ndonëse nuk është thënë se sa është dëmi i shkaktuar shtetit bëhet e ditur se kallëzimi penal ndaj Drejtorisë së Tatimeve ka të bëjë me disa pika inerte në lumin Erzen si dhe lavazhe, të cilat nuk kanë paguar detyrimet. Ka qenë një kontroll i nisur në mesin e muajit korrik dhe i përfunduar vetëm në fundjavën e kaluar që ka shtyrë policinë të shkojë deri në denoncimin e një institucioni të tillë shtetëror. Inspektorët e sektorit të Antikrimit Ekonomik e Financiar kanë përshkuar të gjithë shtratin e lumit Erzen dhe më së shumti janë përqendruar në fshatin Romanat. Ata kanë detyruar pronarët e lavazheve dhe impianteve të përpunimit të materialeve inerte të lumit të tregojnë dokumentacionin e ushtrimit të aktivitetit si dhe mandatet e faturat e derdhjeve të detyrimit tatimor. Ndeshja në parregullsi ka shtyrë edhe përpilimin e kallëzimit penal për tatimet e taksat e Durrësit, drejtori e cila do të duhet të pajtojë avokat në përballjen mes palëve në gjykatë. Kryetari i Tatimeve në Durrës ka pranuar se ka dijeni për procesin penal që është hapur ndaj tyre, por nuk ka dhënë detaje nëse këtë barrë do e mbajë institucioni apo ndonjë nga përgjegjësit ose inspektorët përkatës.

PADIA

Sektori i Luftës Kundër Krimit Ekonomik e Financiar ka bërë kallëzim penal për Drejtorinë e Tatimeve dhe Taksave në Durrës si dhe për shtetasin Lutfi Kurti. Organi tatimor rezulton të mos ketë kryer detyrimin tatimor duke favorizuar 35-vjeçarin Kurti në drejtim të Taksave e Tatimeve. Kurti është një nga pronarët e shumtë që kanë impiant të larjes së zhavorrit e rërës në lumin Erzen.

PARREGULLSITË

Inspektorët e sektorit të Antikrimit Ekonomik e Financiar kanë përshkuar të gjithë shtratin e lumit Erzen dhe më së shumti janë përqendruar në fshatin Romanat. Ata kanë detyruar pronarët e lavazheve dhe impianteve të përpunimit të materialeve inerte të lumit të tregojnë dokumentacionin e ushtrimit të aktivitetit si dhe mandatet e faturat e derdhjeve të detyrimit tatimor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›