Jo më qese dhe shishe plastike në qarkullim
Të hiqen nga përdorimi qeset dhe shishet plastike. Ka qenë kjo porosia që Kryeministri Sali Berisha i ka lënë dje ministrit të tij të Mjedisit. Shkak për këtë urdhër-porosi është bërë ndotja e lartë e mjedisit dhe veçanërisht ajo në bregdet, sidomos përpara çeljes së sezonit turistik.
Kryeministri Berisha kërkoi dje në mbledhjen e qeverisë marrjen e masave të menjëhershme për pastrimin e zonave turistike nga papastërtitë, mbetjet dhe nga automjetet e dala jashtë përdorimit, të mbetura në anë të rrugëve.
“Gjendja e papastërtisë, u shpreh Kryeministri, në prag të sezonit turistik është e jashtëzakonshme dhe kjo kërkon një ndërhyrje emergjente, me të gjitha mjetet, për të pastruar me shpejtësi të gjithë zonën turistike. Ministri i Mjedisit ka sjellë një dokument shumë të hollësishëm, ku paraqitet një gjendje tmerrësisht e papranueshme në zonat tona kryesore turistike. Një gjendje që nuk i nderon aspak autoritetet vendore të këtyre zonave, të cilët kanë detyrë kryesore mirëmbajtjen e tyre. Por nuk mund të rrimë të bëjmë debate me ta, por së bashku me ta do të angazhohemi të pastrojmë zonat dhe jo vetëm plazhet, por të gjithë Shqipërinë nga çdo hedhurinë automjeti. Nuk ka vend në botë që të jetë i mbytur me automjete të ndryshkura si ky vend”. Kryeministri bëri të ditur se brenda kësaj jave do të ngrihet një Task Force që do të përcaktojë të gjitha modalitetet e tërheqjes dhe grumbullimit të tyre në një vend të vetëm, si dhe sanksionet më të rënda për të gjithë ata që hedhin automjetin e tyre në anë të rrugës apo kudo, ku nuk duhet hedhur. “Do të bëhet një hetim shumë i rreptë, tha Kryeministri, dhe do të përcaktohen sanksione ligjore shumë të rënda, sepse në këtë mënyrë ne bëjmë figurën më të shëmtuar”.
“Të përcaktojmë një datë, përtej së cilës nuk do të mund të përdoren më qeset plastike, por të zëvendësohen me qese letre”, u shpreh dje Berisha, duke shtuar gjithashtu se do të jepet kohë për nisjen e kësaj mase. Së dyti, ai kërkoi përcaktimin e mekanizmit të trajtimit të shisheve. “Deri sa të arrijmë në kulturën që shqiptarët të bëjnë ndarjen e mbeturinave, duke i hedhur në kosha të veçantë, të vendosim një stimul për përdorimin e shisheve. Kjo bëhet me detyrimin e atij që shet me shishe, për t’i kthyer blerësit shumën e mbajtur, kundrejt kthimit të shishes së qelqit, sikundër të shihet edhe për shishet plastike”, tha shefi i qeverisë. Një tjetër masë e shprehur nga Berisha ishte edhe kufizimi në maksimum, përveçse për qëllime të serave, i përdorimit të plastmasit, kudo që të jetë e mundur. “Të përcaktojmë kushte për fermerët, edhe me një stimul, sesi duhet të veprojnë për plastmasin që përdorin, të cilin e ndërrojnë pas një viti dhe e hedhin. Të përcaktojmë edhe bonuse, në mënyrë që t’i dorëzojnë aty ku do të dorëzohen edhe shishet plastike”, tha Kryeministri Berisha.
#