E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e 28 qershorit dhe situata politike

Nga Albert ZHOLI
Në një shoqëri demokratike, qytetarët kanë të drejtën -detyrë të zgjedhin drejtuesit e tyre, që duhet të ligjërojnë e të qeverisin në bazë të mandateve që marrin. Zhan Zhak Rusoi është shprehur se, barazpesha e shoqërisë njerëzore mbështetet mbi një marrëveshje, një pakt, ndërmjet qytetarëve dhe atyre që i qeverisin Nëse ata i qëndrojnë besnikë vullnetit të zgjedhësve dhe këta respektojnë ligjet e miratuara prej tyre, ruhet barazpesha e jetës institucionale dhe marrëveshja e pashkruar. Por kur qeveritarët shkelin mbi vullnetin  e qytetarëve, nuk mbajnë më parasysh të drejtat e tyre, madje nuk i njohin më fare ato marrëveshja prishet, pakti thyhet dhe harmonia shoqërore vihet në rrezik. Në vendet ku demokracia funksionon e respektohet si koncept, zgjedhjet janë pika kulmore e jetës politike, që përcaktojnë krahët e drejtimit të saj, venë në fron apo rrëzojnë prej tij parti, qeveri apo individë të shquar në atë fushë. Në vendet ku nuk ndodh kështu, shumica bullgare( nuk e di pse është futur ky term në politikë që ka të bëjë me një vend ballkanik!!!). ligjësojnë me shifra, regjimet në fuqi, që nuk lëvizin nga kolltukët për dhjetëvjeçarë të tërë. Udhëheqësit e tyre qeverisin  deri sa Perëndia tju japë ymër e jo rrallë i kthejnë vendet e tyre në republika të trashëgueshme (që skanë asgjë të përbashkët me mbretëritë e trashëguara që luajnë rol simbol të unitetit kombëtar), duke ja kaluar pushtetin bijve  që edhe vetë mbretërit e antikitetit do tua kishin zili. Në çdo vend demokratik çasti i bilancit të veprimtarisë së institucioneve partiake dhe mbështetësve të tyre (partive politike), është ai i pas votimeve. Votime zhvillohen edhe në vendet ku demokracia është formale, madje dhe aty ku ajo nuk ekziston as si term. Në të gjitha rastet, nënshtetasit janë të ftuar të shprehen, me një shenjë në një copë letër se si e gjykojnë ata punën e qeveritarëve të tyre të vegjël(vendore) apo të mëdha (kuvendi apo qeveria). Çdo shqiptar në sistemin komunist e dinte se të gjithë  ishim thjesht numra, njësha fylë sipas shprehjes së Majakovskit; që duhej të mendonim vetëm për të mbijetuar duke i shpëtuar burgut, për ata që mundnin. E dinim se ajo copë letër, e hedhur në kuti që në agim, nën tinguj lodrash e sazesh, nuk kishte asnjë vlerë, mbasi nuk kishte fuqi të ndryshonte asgjë. Sot quhemi një vend demokratik dhe përsëri jo rrallëherë e shohim se (këtë na e thonë vetë politikanët),  si atëherë (në disa zona edhe sot), ajo votë e jona, nuk ka fuqi të përcaktojë asgjë, mbasi bëhet e paqenë, vidhet, ndryshohet në pasivitetin e plotë të një shoqërie që duket e atrofizuar në kërkesat e saj për respektimin e vullnetit të lirë të pjesëtarëve të saj. Vendi ynë në periudhën postkomuniste sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, në shumicën e zgjedhjeve parlamentare nuk i është përgjigjur maksimalisht  të gjitha standardeve normale demokratike zgjedhore, (pasi ka pasur parregullsi në zgjedhje, të pranueshme nga të gjitha partitë), por duke mos e krahasuar (ajo kohë ka perënduar) as me trajtat klasike të diktaturave, (për mendimin tim), sot edhe para zgjedhjeve të 28 qershorit shihet se shteti ynë, është një shtet anemik. E them këtë sepse ende pa filluar zgjedhjet nga partitë ka paragjykime, ka debate të ashpra deri në ofendime të paimagjinueshme, gënjeshtra që as fëmijë nuk mund ti kapërdijë, aleanca të paparashikuara sipas platformave politike. Edhe pse janë bërë një sërë sondazhesh, parti që nuk kanë elektorat e parashpallin veten fituese, liderë që ngrenë në piedestal arritjet, e partisë së tyre, fanatikë dhe militantë partie që ecin me moton enveriste kështu thotë partia dhe jo kështu e kërkon koha apo ky është gjykimi real. Por duhet të ndalemi edhe tek një moment. Monitorimi. Këto zgjedhje janë jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Prandaj dhe monitorimi nga ana e Europës (ku pretendojmë të hyjmë),  nuk duhet të qëndrojë vetëm në vërejtjen e jashtme të qendrave të votimit (nëse ka njerëz që shtyhen apo policë brenda), por  në vëzhgimin e procesit përcaktues të përfundimit të votimeve.  Ndoshta ka vend për të vënë në diskutim dhe dobinë e pranisë së një organi  të tillë që nuk ekziston në vendet e Europës Perëndimore e në SHBA. Siç përbën një rast unik në Europë tranzicioni shqiptar, po ashtu ka vend për një organ më specifik për të ruajtur ekuilibrat e mirëfillta dhe të pakontestueshme parazgjedhore, duke shmangur tejzgjatshmërinë e rezultateve që  marrin nota dyshuese. Në të kundërt, çdo
ndërgjegjësim e kundërveprim i mundshëm ndaj kësaj gjendjeje  stabiliteti, opinioni i Europës, bisedimet për integrimin, implemetojnë argumente shumë të rëndësishme që (simbas mendimit tim), të gjitha së bashku janë jo  të barazvlefëshme për respektimin e votës së lirë.... Dhe njerëzit që do të besojnë votën tek kostumet e ardhshme ministrore, po mundohen në këtë pranverë të zhbirojnë aftësitë individuale apo kolektive  të individit apo partive që vota e tyre të jetë në interes të mirëqenies ( sipas premtimeve elektorale), të drejtave dhe kërkesave të tyre. Në kërkim të figurave të pastra, para dhe paszgjedhore,  zgjedhjet parlamentare (për votuesit), dhe formimi i qeverisë (për partinë fituese), gjithmonë kanë qenë dhe mbeten momenti më pikant në jetën individuale apo kolektive të një populli, ku përgjegjësia qytetare dhe ajo atdhetare, arrin të stigmatizojë në
mënyrë të ndërgjegjshme, personin (personat) e përzgjedhur që përmbush (in) këtë koshiencë. Zgjedhjet po afrohen, votuesit janë në kërkim të atyre që do përmbushin interesat e tyre. Dilema është e madhe, mundësitë... !!!

Last Updated on Tuesday, 14 April 2009 23:04

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›