E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jo pije alkoolike të rinjve nën moshën 18 vjeç

17/03/2010 Kryebashkiaku Lorenc Luka kërkesë Këshillit Bashkiak. Krime nga minorenë

SHKODER- Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, ka kërkuar nga anëtarët e Këshillit Bashkiak që të dalin me një vendim për ndalimin e pijeve alkoolike për të gjithë shtetasit e moshës nën 18 vjeç në të gjitha lokalet e qytetit të Shkodrës.

Kërkesa

Sipas kryebashkiakut të Shkodrës, kjo kërkesë e tij vjen jo vetëm si anëtar i Këshillit Bashkiak, por edhe si qytetar e prind, duke marrë shkak nga ngjarje të papëlqyera, që kanë ndodhur si rezultat i konsumimit të alkoolit nëpër lokale nga persona nën moshën 18 vjeç. Në këto ngjarje ka pasur përfshirje të mjaft personave nën moshën në fjalë, në konflikte që kanë përfunduar dhe me të shtëna armësh. Kryebashkiaku Luka ka theksuar se të gjithë kanë fëmijë dhe kanë qejf që jeta e natës të jetë sa më e gjatë dhe e larmishme për ta, por askush nuk ka qejf të përballet me skena të tilla ku persona të mitur nën efektin e alkoolit konfliktohen mes tyre në ambiente publike. Përveç kërkesës drejtuar anëtarëve të Këshillit Bashkiak, Kryebashkiaku Lorenc Luka ka zhvilluar dhe një takim me drejtorin e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës, Vullnet Topalli, për të gjetur mundësinë e bashkëpunimit të zbatimit të një nisme tepër të vlefshme që do të shmangte mjaft konflikte të moshës nën 18 vjeç të ndikuara nga alkooli. “Në disa bare e lokale të qytetit të Shkodrës ka pasur disa ngjarje të pakëndshme për askënd prandaj ju bëj thirrje ju dhe institucioneve përgjegjëse. Kuptohet që edhe jeta përtej orës 19:00 e kufizuar disa vite më parë, tashmë është shtyrë edhe disa orë më tej. Ne të gjithë kemi fëmijë që frekuentojnë edhe lokale, por fatkeqësisht disa bare tregtojnë pije alkoolike nën moshën e lejuar me ligj. Ka përgjegjësi secili prej nesh dhe institucioni,që në bashkëpunim me institucionet e tjera të ushtrojnë kontrolle të herë pas hershme në lokale, që fëmijët të ndjehen të sigurt dhe njëkohësisht t’u respektohen atyre të drejtat që ata kanë. Kërkoj që komisioni juridik, duke u konsultuar me ligjin aktual, në mbledhjen e ardhshme të dalin në një vendim për administrimin e pijeve alkoolike në lokalet e qytetit. Kështu përmbushim një detyrë institucionale, por edhe një detyrë reale në dobi të fëmijëve tanë”, theksoi kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, para anëtarëve të Këshillit Bashkiak Shkodër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›