E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti, semafor për të verbrit e Sarandës

17/03/2010 Me sinjale akustike

SARANDË - Falë një investimi prej 500 mijë lekësh të financuar nga Bashkia e Sarandës, 300 të verbër do të kenë mundësi të lëvizin të lehtësuar në rrugët e qytetit, pa u rrezikuar nga automjetet. Kosta Bako, kryetar i shoqatës së të verbërve në Sarandë, pohoi se Bashkia e Sarandës dhe këshilli i saj bashkiak i kanë thënë “po” një projekti-pilot, që për herë të parë gjen zbatim në vendin tonë. Ai thotë se eksperienca vjen nga shtete të zhvilluara si Franca, Gjermania dhe Spanja dhe i përgjigjet teknologjisë së orientimit me anë të tingullit. Për këtë arsye projekti i Bashkisë së Sarandës ngrihet mbi instalimin e semaforëve akustike në kolonat e semaforëve ekzistues. Me anë të kësaj teknologjie bëhet e mundur që të verbrit të marrin sinjale folëse e këto t’u shërbejnë për t’u orientuar saktësisht në rrugë e kryqëzime. Projekti i investimit është iniciuar nga Shoqata Kombëtare e të Verbërve dhe impakti i tij është i drejtpërdrejtë për të gjithë njerëzit e invalidizuar për shkak të humbjes apo kufizimit të shikimit. Në qytetin e Sarandës shkon në 70 numri i të verbërve që trajtohen nga bashkia, prej të cilëve 32 i përkasin kategorisë që kanë edhe shoqërues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›