E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jo të gjithë 6-vjeçarët, janë gati për klasën e parë

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Nëse një fëmijë nuk është në gjendje të asimilojë siç duhet programin e klasës së parë, kjo nuk tregon aspak nivel të ulët inteligjence, aq më pak, prapambetje mendore. Një fëmijë rritet më ngadalë se tjetri, sikurse një frutë piqet më pas se tjetra.

Fëmijët që rriten më ngadalë nuk janë më pak inteligjentë se të tjerët. Ata madje mund të bëhen edhe shumë të zotë në vitet e mëpasme të shkollës dhe të jetës. Por që të arrihet më e mira prej aftësive të tyre, duhet pritur që të rriten për të qenë gati për klasën e parë.

Ndërsa vocërrakët kanë veshur përparësen e klasës së parë, prindërit presin prej tyre tashmë një fillim të mbarë. Por hapat e parë në jetë, ndodh të mos jenë gjithmonë të suksesshëm e kur kjo ndodh, mamatë dhe baballarët e rinj provojnë një zhgënjim të fortë. Ata mendojnë se beteja për jetën është e humbur që prej fillimit, sepse dielli duket që në mëngjes”. Por nuk është në të vërtetë kështu…Pediatria e Zhvillimit Mendor trajton përmes situatash, shqetësimet e prindërve për rastet e fëmijëvë të tyre, të cilat i ka trajtuar në klinikën e saj.

Pyetje: Vajza ime e vogël është 6 vjeçe e 2 muaj, por nuk shqipton dot disa shkronja si k-në, r-në e ca të tjera. Kam frikë mos do ta tallin kur të futet në klasën e parë. Do të doja që ta mbaja edhe një vit, por kopshti shtetëror nuk e pranon më. Më thonë se vajza duhet të shkojë këtë vit në shkollë.

Dr. Kuzumi: Nuk jeni e vetmja nënë, që e keni një shqetësim të tillë. Kam pasur rast të trajtoj në klinikën time edhe shembuj të tjerë të ngjashëm. Vajza juaj ka një pjekuri më të ngadaltë të zhvillimit gjuhësor dhe ka të ngjarë, që edhe fushat e tjera të zhvillimit të sillen rreth saj. Më saktësisht, duhet t i nënshtrohet testit të inteligjencës. Nëse nuk ka zhvillimin që duhet të ketë një fëmijë rreth 6 vjeç, nuk duhet të futet këtë vit në klasën e parë, madje, as vitin tjetër. Këtu nuk ka asgjë për t u shqetësuar. Fëmijët nuk zhvillohen të gjithë njëlloj në një kohë. Ashtu sikurse nuk fillojnë të flasin të gjithë në të njëjtën kohë, nuk ngrihen në të njëjtën moshë në këmbë, as nuk janë gati njëlloj për të hyrë në klasë të parë. Na ka ndodhur të trajtojmë raste fëmijësh, që janë çuar në klasë të parë, kur ata duhet të grupoheshin, as me grupin e madh të kopshtit, por me grupin e mesëm.

Pyetje: “Vajza ime është tepër e druajtur mes moshatarëve në kopsht. Ajo nuk është në gjendje të bëjë të gjitha ato gjëra, që bëjnë moshatarët si veprimet matematikore për shembull apo lodrat. Kam vënë re se ndihet më mirë, kur luan me fëmijë më të vegjël. A bën keq ta lë të luajë me të vegjlit?

Dr. Kuzumi: Ndojtja është tipar karakteristik i natyrës së çdo njeriu, por ajo luftohet ose zhvillohet nga kushtet që krijohen. Ju thoni se vajza nuk ndihet aq mirë mes moshatarëve dhe nuk i kryen detyrat e tyre. Që këtu duhet të kuptoni, se fëmija ka filluar të përjetojë ndjenjat negative të dështimit. Ajo ndihet e pazonja që të matet me moshatarët dhe prandaj ka zgjedhur të luajë me fëmijë më të vegjël se vetja. Ajo që duhet të bëni, është që kur të arrijë moshën 6-vjeçare, të mos e çoni në shkollë, por ta mbani edhe një vit tjetër në shtëpi. Nëse do ta pranonte një vit më tepër kopshti, do të ishte mrekulli. Mos u trembni me mendime të tilla, se fëmija juaj nuk do të zhvillohet asnjëherë si moshatarët. Ajo nuk ka prapambetje mendore, por rritet më ngadalë. Kjo nuk është anomali zhvillimi. Ndërsa, lidhur me shqetësimin tuaj për lojën, do t ju thosha se ajo ka zgjedhur moshatarët e saj të zhvillimit të trurit dhe ju duhet ta lini të rrijë me ta, pasi kështu arrin të afirmohet dhe të ndërtojë personalitetin. Në të kundërt, nëse këmbëngulni që të rrijë me fëmijë të rritur në kopsht apo më vonë, në shkollë, ju do të ndikoni në ndrydhjen e personalitetit të saj.

Pyetje: Djali që kam në klasë të dytë, kur bëhej gati për të shkuar në shkollë, shpërthente në të vjella. Nuk merr më as bukë me vete, se e vjell në klasë. Me mësime nuk shkon keq, por jo aq mirë sa do të donim ne, megjithëse përpiqet shumë. Rri 4-5- orë në ditë mbi libra. Jemi të shqetësuar, se kjo puna e të vjellës po i kthehet në diçka të zakonshme dhe do ta shoqërojë edhe këtë vit.

Dr. Kuzumi: E vjella, ju e keni kuptuar edhe vetë, se lidhet me një ritual të përditshëm siç është nisja për në shkollë. Pra, shkolla e streson fëmijën tuaj, dhe me sa duket, ngaqë ai nuk arrin ta asimilojë maksimalisht, ashtu siç dëshiron, programin. Edhe fëmijë të tjerë, të cilëve u vënë kërkesa të forta, të cilat nuk i arrijnë dot, u ndodhin çrregullime të ngjashme. Në klinikë kam ndeshur raste fëmijësh që fillojnë të urinojnë pavetëdijshëm, bëjnë tike të çuditshme nervore ose shpërthejnë në të qara, kur nuk arrijë të bëjnë detyrat e caktuara në testim. Në këto raste, mësuesja duhet të punojë në klasë me programe të veçanta, të diferencuara, që t u japë mundësinë të gjithë nxënësve të tregojnë aftësitë e tyre. Gjithashtu, ju si prindër, nuk duhet të kërkoni me çdo kusht nga fëmija juaj të arrijë rezultate të larta por duhet ta përgëzoni për ato që arrin. Djali juaj po kërkon të arrijë idealen që ju keni ngritur në mendjen tuaj për të, por kjo nuk duhet të kthehet në një torturë me pasoja për shëndetin fizik dhe mendor. Përndryshe, nuk do t ia vlente asgjë.

Pyetje: Jam nga ata prindër, që gjendem në dilemë, ta çoj fëmijën në klasë të parë 6 vjeç apo 7 vjeç. Nuk jam i sigurt, se fëmija im mund të jetë tani aq i zhvilluar, sa për të qenë i pari i klasës. Kam përshtypjen se njeh mirë konceptet që duhet të dijë një parashkollor, por e ka të vështirë të mbajë lapsin në dorë dhe të shkruajë saktë.

Dr.Kuzumi: Ju mund ta çoni 6 vjeç në klasë të parë, por nuk duhet të kërkoni patjetër, që fëmija juaj të dalë i pari në të gjitha lëndët. Fëmijët nuk zhvillohen njëlloj paralelisht në të gjitha fushat. Përshembull, disa fëmjë kanë probleme të pjekurisë motorike dhe mësojnë më vonë se të tjerët të mbajnë siç duhet lapsin në dorë, u dridhet dora dhe nuk janë në gjendje të kapin ritmin për të shkruar detyrat, edhe në klasa të mëpasme të shkollës fillore. Kjo ka të bëjë me zhvillimin e muskujve të vegjël të gishtave. Mbani parasysh pastaj, se në klasë të parë ka edhe fëmijë 7-vjeçarë dhe për një 6-vjeçar do të ishte akoma më e vështirë që t i kalonte. Bëni skarificë edhe një vit, çojeni 7 vjeç që të jetë më i pjekur, sidomos nëse është edhe trupvogël.

Pyetje: Kam një djalë në grupin e dytë të kopshtit dhe ai ka përfunduar së mësuari abetaren dhe matematikën e klasës së parë, së bashku me të ëmën që është mësuese. Gruaja thotë se është më i mirë se i pari i klasës së saj. Madje, djali e ka mbaruar programin e klasës së parë, përpara se të mbyllet viti shkollor. A ta fus në shkollë private djalin, se shkolla shtetërore nuk ma pranon para se të mbushë 6 vjeç? Tani ai është 5 vjeç e 7 muaj.

Dr. Kuzumi: Në fakt, më shpesh në klinikë ne kemi ndeshur raste fëmijësh, që kanë një zhvillim më të ngadaltë se mosha e tyre. Por, gjatë një testimi në disa kopshte, kemi parë edhe ndonjë rast të tillë. Përshembull, kemi zbuluar, se një fëmijë 5 vjet e gjysmë kishte zhvillimin e në fëmije 7 vjet e 8 muaj, duke marrë mesataren e të gjitha fushave të zhvillimit. Ai ishte shumë i saktë në të gjjtha veprimet matematikore, në njohuritë e përgjithshme, në ndërtimin e frazave. Ai perceptonte dhe interpretonte galaktikën me aftësitë abstraguese të një fëmije 8 vjeç. Unë sugjeroj që ta çosh fëmijën në shkollë private, nëse e pranojnë, pasi nuk ka pse të humbasë kot një vit për të dalë në jetë. Unë jam e mendimit, që edhe vetë shkollat publike, me udhëzim të MASH-it duhet të përdorin kritere elastike në pranimin e fëmijëve në klasë të parë; të bëhen barrierë vetë ato, nëse 6-vjeçarët nuk e kanë pjekurinë për të asimiluar programin e klasës së parë dhe po ashtu, të lejojnë fëmijët me zhvillim të përshpejtuar të rregjistrohen edhe 5 vjeç.

Pyetje: Qëkur ka hyrë në klasë të parë, fëmija im është bërë nevrik. Përplas gjërat, zë bërtet kur shkruan, i djersiten duart dhe i njomet fleta e fletores. Duhet t u them, se ai e ka shumë të vështirë të lërë lodrat dhe të shtrihet mbi libra. Mos ka nevojë për mësues privat për të kaluar këtë situatë?

Dr. Kuzumi: E thënë thjesht, djali juaj është ende një lojcak dhe nuk ka qenë gati për të hyrë në shkollë. Të gjitha shenjat që ju tregoni, flasin për këtë. Ai e ka të vështirë të asimilojë programin dhe për këtë arsye reagon me nervozizëm dhe padurim. Ngaqë nuk arrin të kuptojë, ai humbet interesin dhe vëmendjen. Nuk do t u ndodhte edhe juve kështu, po t u fusnin në një auditor ku flitet kinezçe dhe kjo situatë të përsëritej për orë të tëra në ditë dhe për muaj të tërë? Është më mirë që ta bëjë dy herë klasën e parë, sesa të vazhdojë të torturohet edhe në klasat në vazhdim. Mësimet private janë një zgjidhje e sforcuar, që vetëm sa do ta ngarkonte më tepër fëmijën.

Kush është Engjëllushe Kuzumi
Engjëllushe Kuzumi, pediatre e zhvillimit mendor është licensuar nga Universiteti i Zyrihut. Prej disa vjetesh, ajo praktikon programin “Save the Children” në Shqipëri dhe ka trajtuar raste të shumta në klinikën e saj. Ndonëse në Shqipëri nuk ka një traditë të funksionimit të klinikave të drejtuara nga psikanalistë, fillesat e tyre kanë nisur tashmë. Eshte fjala jo për raste klinike patologjike, të trajtuara nga psikiatër, por për një varg situatash, të cilat dëshmojnë problemet psikologjike të fëmijëve dhe nevojën për testim dhe terapi të tyre. Fëmijët në rrugën e rritjes ndeshin lloj-lloj vështirësish; Ata nuk janë të sëmurë, por kanë nevojë të ndihmohen për të rregulluar raportet e tyre emocionale dhe përmirësuar marrëdhëniet sociale. Nëpërmjet testimit, mund të zbulohen pengesat që bllokojnë potencialet e ndryshme intelektuale të tyre, pse përshembull, nuk janë në gjendje të mësojnë etj.
Pediatria e shvillimit mendor si një fushë e re në Shqipëri ofron për prindërit informacione se si të ndihmojnë në rritjen e shëndetshme emocionale e intelektuale të fëmijëve të tyre, pasi fëmijëria është koha kur gjthçka është aq delikate e prej saj merr rrugen fillesa e gjeniut dhe e keqbërësit, e njeriut të dobishëm dhe atij të pazot, të ndrydhur dhe të sigurt te vetja…

Sugjerimi
Jam e mendimit, që edhe vetë shkollat publike, me udhëzim të MASH-it duhet të përdorin kritere elastike në pranimin e fëmijëve në klasë të parë; të bëhen barrierë vetë ato, nëse 6-vjeçarët nuk e kanë pjekurinë për të asimiluar programin e klasës së parë dhe po ashtu, të lejojnë fëmijët me zhvillim të përshpejtuar të rregjistrohen edhe 5 vjeç

Ky lajm është publikuar: 05/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›