E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tentojnë grabitjen, plumba grave në shtëpi

15/02/2005  Masakër në Shkodër. Policia, asnjë identifikim të autorëve të mundshëm

Tentojnë grabitjen në shtëpinë e kasapit,vrasin një grua, plagosin një tjetër me djalin

SHKODËR – Një grua e vdekur dhe nënë e bir të plagosur është bilanci i një ngjarjeje të rëndë, të ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Shkodrës. Sipas burimeve zyrtare të policisë, 65-vjeçarja Sabrie Gjoçaj ka mbetur e vdekur, ndërsa Shpresa Gjaka dhe djali i saj, Fatmir Gjaka, 11 vjeç, janë të plagosur në gjendje të rëndë, pas sulmit me armë në banesën e kasapit Brahim Gjaka, pronar i një dyqani të tregtimit të mishit.

Ngjarja ka ndodhur pak para se ora të shënonte 20.00 e mbrëmjes së djeshme, në afërsi të kolegjit turk “Hasan Riza Pasha”, mes lagjeve “Kiras” dhe “Rus”. Gruaja 65-vjeçare, Sabrie Gjoçaj ka vdekur mbrëmë në spitalin civil të qytetit, pasi plagët e marra kanë qenë vdekjeprurëse për të. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive grabitjeje.

Ngjarja

Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk ka qenë shumë e saktë se si kanë rrjedhur ngjarjet, ku ka mbetur e vdekur Gjoçaj, e cila mësohet se ka qenë komshie me dy të mbeturit të plagosur në këtë ngjarje. Sipas burimeve policore, pranë komisariatit të policisë së Shkodrës, viktima e ngjarjes, Sabrie Gjoçaj ka shkuar për të pirë një kafe në mbrëmjen e djeshme, te fqinjët e saj, familja Gjaka. 65-vjeçarja ka qenë në njërën nga dhomat e shtëpisë së bashku me të zonjën, Shpresën dhe djalin e vogël, Fatmirin, duke biseduar, kur janë ndërprerë brutalisht nga persona të armatosur që kanë hyrë furishëm në shtëpi dhe kanë filluar që të qëllojnë me armë zjarri. Si pasojë e plumbave janë plagosur rëndë atë moment të tre të pranishmit në dhomë, Sabria, Shpresa dhe Fatmiri, i mitur. Pas ngjarjes, ato janë dërguar menjëherë në spital, por për gruan ka qenë çdo gjë e kotë, ndërsa Shpresa Gjaka dhe djali i saj, Fatmiri, janë në gjendje kritike për jetën.

Hetimi

Menjëherë pas krimit të ndodhur dje, në drejtim të banesës së familjes Gjaka kanë shkuar uniformat blu të komisariatit të policisë së Shkodrës. Grupi i hetimit ka bërë kqyrjen e vendit të ngjarjes si dhe ka marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët e mundshëm, për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmë. Sipas burimeve policore, mësohet se dyshimi kryesor për ngjarjen e ndodhur është se ajo ka ardhur pas një tentative për grabitje me armë nga persona të paidentifikuar. Gjithsesi dhe kjo pistë nuk është më e forta, pasi atentatorët nuk kanë prekur asgjë me vlerë në shtëpi, pasi kanë qëlluar mbi personat që kanë qenë brenda.

Po sipas të njëjtave burime, grupi i hetimit po heton dhe në pista të tjera, në ndonjë hakmarrje apo inat të mundshëm, por deri më tani rezulton se familja Gjaka, ku ka ndodhur masakra, njihet si familje e qetë dhe pa probleme. Kryefamiljari i saj Brahim Gjaka është me profesion kasap dhe njihej nga banorët si person pa probleme. Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur sasi prej 10 gëzhoja plumbash, që janë qëlluar nga autorët e ngjarjes, ndërsa në lidhje me autorët, burimet zyrtare të policisë kanë thënë se akoma nuk është e qartë sesa kanë qenë, pasi dëshmitë e marra deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme kanë qenë jo pak kontradiktore, ku në disa raste dëshmitarët kanë deklaruar per një autor, e në disa raste për dy e tre persona. Sipas policisë, këto kontradikta motivohen edhe për shkak të mungesës së energjisë elektrike në momentin e krimit dhe zhytjes së lagjes në errësirë.

Deklarime të tilla dhe mungesa e një piste të saktë, ka sjellë dhe pamundësinë e identifikimit deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme të autorëve të masakrës, që mbrëmë ka tronditur qytetin verior të Shkodrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›