E Diel, 1 Nëntor 2026

“Jo uljes së taksës së sigurimeve shoqërorë”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Është Qeveria ajo që duhet të kërkojë qëndrimin tonë më tepër, për shkak të vitit elektoral. Ka vende që e kanë bërë një gjë të tillë, në rastin e Shqipërisë nuk kemi ende të themi se çfarë do të ndodhë”, - tha Bell

Fondi Monetar Ndërkombëtar kundërshton në mënyrë të hapur uljen e taksës së sigurimeve shoqërore. Qëndrimi konservator i FMN-së lidhet me situatën e krizave ndërkombëtare dhe qenien e vitit 2009 si vit elektoral. Sipas FMN-së, është e nevojshme një reformë e thellë për pensionet për të bërë një lidhje më të mirë mes kontributeve dhe përfitimeve. Por Qeveria nga ana e saj deklarohet e vendosur në qëndrimin e saj për ulje taksash. Drejtuesi i FMN-së, Gervin Bell, në fund të misionit të tij në Tiranë kërkon më shumë garanci nga qeveria shqiptare se si ajo do të administrojë financat publike të shqiptarëve. Ndërkohë që jashtë vëmendjes së FMN-së nuk ka mbetur as situata energjetike në vend, ndërsa ka këshilluar Qeverinë të tregojë kujdes të veçantë për buxhetin dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes.
Taksat
“Ne jemi shprehur kundër uljes së taksës së sigurimeve shoqërore për biznesin, për faktin se kjo ulje do të sillte rënie të të ardhurave për skemën e pensioneve. Kjo skemë duhet trajtuar me shumë kujdes dhe ulja e metejshme e taksës nuk është zgjidhje për problemet që ajo ka”, - shprehet Gervin Bell, drejtues i misionit të FMN-së. Ndërsa ministri i Financave, Ridvan Bode, sqaroi se vendet e tjera të rajonit e kanë të gjithë nën 20 për qind kontributin e sigurimeve shoqërore që paguan punëdhënësi. “Ne po përpiqemi ta çojmë në mesataren e vendeve të rajonit për të mundësuar një dalje në treg, daljen në dritë të një numri të madh biznesesh që ende bazohen në punën e zezë”, - tha Bode. Përplasja e hapur mes Qeverisë e FMN-së vjen tashmë që misioni i saj në Shqipëri po shkon drejt fundit dhe mundësia e shtyrjes së qëndrimit po shikohet në aspektin politik. “Është Qeveria ajo që duhet të kërkojë qëndrimin tonë më tepër, për shkak të vitit elektoral. Ka vende që e kanë bërë një gjë të tillë, në rastin e Shqipërisë nuk kemi ende të themi se çfarë do të ndodhë”, - vijoi Bell. Por ministri Bode deklaroi se Qeveria ka treguar se është e aftë të menaxhojë situata edhe më komplekse se zgjedhjet dhe të tregojë aftësi për të përballuar me sukses këto zhvillime. “Nëse do të ketë zhvillime të tjera apo interesa të tjera, ne do të jemi të hapur për çfarëdolloj diskutimi. Por, sidoqoftë, ne jemi për të qëndruar në plotësimin e të gjithë detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja dhe përfundimi me sukses si deri më sot të kësaj marrëveshjeje në janar të vitit 2009”, - u shpreh Bode.
Shpenzimet
Po dje Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar edhe më shumë garanci nga Qeveria shqiptare se si ajo do të administrojë financat publike të shqiptarëve. “Për të ardhmen është mjaft e rëndësishme që të ketë ndonjë rregull fiskal apo mekanizëm fiskal në mënyrë të ngjashme me objektivin e inflacionit që ka Banka e Shqipërisë, në mënyrë që kjo të japë sinjal se çfarë synon politika fiskale dhe të limitojë atë. Ky rregull duhet të miratohet nga Qeveria dhe të funksionojë kur misioni i Fondit të mos jetë më këtu”, - sugjeroi kreu i misionit të FMN-së në Tiranë.
OSSH
Një ndër rekomandimet e FMN-së për qeverinë shqiptare është buxheti dhe privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Fondi Monetar Ndërkombëtar, megjithëse konstatoi përmirësime në KESH, theksoi se ky sektor mbetet ende larg objektivave. “KESH duhet të tregohet i kujdesshëm dhe të respektojë limitet për importet”, - tha Bell. FMN i rekomandoi qeverisë gjithashtu, të mbajë një pozicion fiskal më të shtrënguar dhe të bëjë rishikim të plotë të buxhetit se si janë bërë shpenzimet. Ndërsa vlerësohet se inflacioni u është rikthyer objektivave, i këshillon Bankës së Shqipërisë të monitorojë me kujdes tregjet ndërkombëtare. Misioni i FMN-së ka mbërritur në Tiranë për të monitoruar hartimin e buxhetit të vitit 2009, i cili do të ketë sërish investime të larta, 7.5 për qind të PBB-së, dhe ku gati 400 milionë dollarë të tjera do të shkojnë vetëm për rrugën Durrës -Kukës.
Ky lajm është publikuar: 24/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›