E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria progres, në vendin e 85”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër korrupsionit, duke arritur rezultatin më të lartë të viteve prej kur ky fenomen monitorohet. “Transparency Internacional”, organizata ndërkombëtare që monitoron indeksin e perceptimit të korrupsionit në 180 vende, ka bërë publik raportin e saj dhe për Shqipërinë. Në këtë raport vendi ynë merr notën 3.5, një rritje me 0.5 pikë nga viti i kaluar që e rendit atë në vendin e 85. Raporti vlerëson nismat e marra në fushat e edukimit, regjistrimit të biznesit dhe tatimeve, por që, sipas tij, nuk mund të përjashtohen plotësisht nga fenomeni. “Transparency International” mendon se reduktimi i korrupsionit kërkon mbikëqyrje të rreptë nga Parlamenti, i cili vitin e ardhshëm do të ndodhet para një sfide të rëndësishme. Gjatë një deklarate për shyp, përfaqësuesit e Transparency Internacional në Tiranë theksuan: “Në mbarë botën Transparency International bën publike rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, i cili për vitin 2008 rendit 180 vende. Shqipëria ka shënuar një progres të rëndësishëm në perceptimin e korrupsionit, duke u vlerësuar me 3.4, rezultat ky më i larti i arritur, por që e vendos Shqipërinë në sytë e publikut dhe opinionit ndërkombëtar përballë një përgjegjësie më të madhe dhe një pritshmërie që ky progres të jetë i qëndrueshëm. Shqipëria këtë vit renditet në vendin e 85, duke shënuar një rritje me 0.5 nga viti i kaluar. Vendi ynë është bërë për herë të parë pjesë e këtij indeksi në vitin 2003 ku është vlerësuar me 2.5. Vlerësimin më të ulët e ka marrë në vitin 2005 me 2.4. Që prej këtij viti Shqipëria ka njohur një rritje të përgjithshme me 1 notë duke u vlerësuar në 2006 me 2.6, në 2007 me 2.9 dhe së fundmi në 2008 me 3.4. Shqipëria renditet në të njëjtin nivel me Serbinë dhe Malin e Zi duke lënë pas Bosnje- Hercegovinën. Megjithatë Shqipëria ende renditet mes vendeve ku korrupsioni mbetet një problem serioz dhe që kërkon përpjekje sistematike dhe të qendrueshme për t u luftuar. Presidentja e TI, Huguette Labelle, ka thënë në Berlin se “Reduktimi i korrupsionit kërkon mbikëqyrje të fortë përmes Parlamentit, organeve të zbatimit të ligjit, medias së pavarur si një shoqëri civile energjike. Kur institucionet janë të dobëta, korrupsioni del nga kontrolli duke shkaktuar pasoja të tmerrshme për jetën e njerëzve të thjeshtë, por edhe më gjerë për derejtësinë dhe barazinë në shoqëri”. Nismat e ndërmarra në fushat e edukimit, regjistrimit të biznesit, tatimeve, prokurimeve dhe licencave nuk duhet të mbeten të veçuara dhe jashtë përqasjes në sistem të problemit të korrupsionit. Kërkohet një strategji dhe plan i qartë veprimi me objektiva dhe tregues të matshëm, përgjegjësi të shprehura institucionale dhe buxhet transparent. Reformat antikorrupsion kërkojnë transparencë dhe pjesëmarrje të gjerë të institucioneve të pavaruara, të shoqërisë civile, medias dhe të çdo qytetari të këtij vendi në procesin e hartimit, zbatimit dhe monitorimit të tyre. Një drejtësi e pavarur dhe profesionale është një komponent i rëndësishëm në betejën antikorrupsion. TI vlerëson përpjekjet që po bëhen brenda sistemit të drejtësië në drejtim të rritjes së pavarësisë, por nëvizon se ka ende shumë rrugë për të bërë për çlirimin e vetë sistemit të drejtësisë nga korrupsioni dhe rritjes së pavarësisë së tij nga politika në respekt të ligjit. Zhvillimi i kapaciteteve administrative dhe vendosja e administratës publike mbi baza profesionale do të ndikonte në maksimizimin e rezultateve në luftën kundër korrupsionit. Shkëputja e administratës publike nga militimi partiak do ta vendoste këtë të fundit përfundimisht në shërbim të qytetarëve. Rezultati i Shqipërisë këtë vit është inkurajues, por viti i ardhshëm e vendos Shqipërinë përballë një sfide tjetër, atë të arritjes së standardeve zgjedhore, realizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të cilat mbi të gjitha kërkojnë rregullimin njëherë e përgjithmonë të çështjes së financimit të partive politike. “Transparency International” thekson se Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2008, demostron qartë se korrupsioni mbetet një sfidë serioze për Shqipërinë ashtu si për të gjitha vendet e Evropës Juglindore, të cilat janë vlerësuar me notën nën 5 që tregon se ato ballafaqohen me nivele serioze të perceptimit të korrupsionit”, përfundon deklarata për shtyp e Transparency Internacional Tirana.

Reagimi i Mazhorancës

Patozi: “Raporti, përgjigje ndaj politikës së mohimit dhe të shpifjes”

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit, duke iu referuar rezultateve të publikuara nga raporti i Transparencës Ndërkombëtare për vitin 2008. Patozi në një deklaratë për shtyp tha se “raporti i Transparancës Ndërkombëtar për vitin 2008 e vlerëson Shqipërinë me një progres të rëndësishëm në perceptimin e korrupsionit, duke bërë që ajo të lërë pas rreth 100 vende dhe të renditet e 85-ta në botë. Tre vjet më parë, ne ishim në bishtin e klasifikimit botëror, në vendin e 126 nga rreth 180 shtete të testuara gjithsej nga organizata. Ky raport është një konfirmim elokuent i faktit që në këto vite reformash të mëdha ne shembëm me guxim murin e kleptokracisë dhe i dhamë goditje të forta korrupsionit të ngritur në sistem nga paraardhësit tanë. Ky raport është një konfirmim i madh se deviza e “duarve të pastra” dhe e “tolerancës zero ndaj krimit dhe korrupsionit”, me të cilën ne erdhëm në pushtet në vitin 2005, jo vetëm nuk është shuar, por ajo është në fokusin e vazhdueshëm të qeverisë së koalicionit të djathtë dhe e mazhorancës që e mbështet atë. Ne mund të konfirmojmë dhe një herë se ky trend pozitiv i luftës pa kompromis kundër këtij kanceri të zhvillimit të një shoqërie demokratike do të vijojë të mbetet orientimi ynë edhe në vitin e fundit të mandatit tonë qeverisës, si dhe në mandatin e ardhshëm, pas fitores në zgjedhjet e 2009-ës. Raporti pason atë të Bankës Botërore të pak ditëve më parë, ku Shqipëria progresoi me gati 50 vende në klasifikimin botëror për reformat dhe lirinë ekonomike. Po ky raport entuziast është njëkohësisht edhe një përgjigje e merituar ndaj politikës së mohimit dhe të shpifjes, e cila, për fat të keq, është adoptuar prej shumë kohësh pa asnjë sukses nga opozita. Gjatë këtyre tre vjetëve, ne si mazhorancë kemi bërë gjithçka dhe kemi arritur shumë që Shqipëria në mënyrë domethënëse të jetë vend më i lirë, shumë më i pakorruptuar dhe shumë më i sigurt. Dhe indikatorë për këtë janë, jo vetëm raportet e njëpasnjëshme të organizatave më prestigjoze në botë, por edhe qytetarët shqiptarë, që prekin çdo ditë në shtëpitë, qytetet e fshatrat e tyre frytet e këtyre reformave. Ndoshta të vetmet vende në Shqipëri ku mazhoranca e ka të vështirë ose të pamundur të ndërhyjë për të zgjidhur problemet e korrupsionit, të lirisë apo të sigurisë janë mitingjet ose mbledhjet e opozitës, por ne shpresojmë që edhe ato probleme të zgjidhen sa më shpejt me mirëkuptim dhe tolerancë”, - përfundoi Patozi.

PS: “Raporti tregon dështimin e Qeverisë”

Ndërsa Partia Demokratike është shprehur mjaft entuziaste për rezultatet e publikuara në raport dhe e ka quajtur atë kurorëzim të përpjekjeve të saj, socialistët thonë se raporti tregon dështimin e Qeverisë në luftën ndaj këtij fenomeni. Por, raporti i “Transparence International” është komentuar në mënyra të ndryshme nga politika shqiptare. Kështu, ndërsa partia më e madhe në pushtet e sheh raportin si kurorëzim të përpjekjeve të saj për të luftuar korrupsionin, socialistët thonë se perceptimi qytetar për korrupsionin mbetet i lartë dhe shumë larg normës mesatare. Por duket se e vetmia pikë ku palët bien dakord është pikërisht zbardhja e financimit të partive politike. Të dyja forcat e mëdha politike duket se janë dakord që kjo të parashikohet në Kodin e ri Zgjedhor, i cili duket ende larg hartimit. Trasparenca mbi financimin e partive politike është kërkuar shpesh herë nga organizmat ndërkombëtarë, por edhe ato shqiptarë përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por edhe 18 vjet pas përmbysjes së sistemit totalitar, ende nuk ka asgjë konkrete në drejtim të kësaj transparence.
Ky lajm është publikuar: 24/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›