E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: “Hetimet, institucionet e specializuara, ne nuk mund të flasim”

Autori i Lajmit: red.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, u shpreh të martën, se maxhoranca është në pritje të konsensusit të opozitës për reformat e mëdha në vend, si ajo zgjedhore dhe reforma në sistemin e drejtësisë. Patozi, i është përgjigjur interesimit të medias për p/ligjin e debatuar "Për Prokurorinë", duke thënë se "debati për këtë projekt është i parakohshëm dhe i panevojshëm, për sa kohë ky ligj është ende në proces draftimi dhe nuk ka arritur në Kuvend. Ultimatumi i shqiptuar nga Kryetari i PS-së, Edi Rama, për këtë draft, është një absurditet, ndërkohë që politika e ultimatumeve nuk të çon larg. Nuk mund t i kërkohet mazhorancës që të bëjë konsensus me Prokurorinë, por mazhoranca mund të bëjë konsensus me opozitën dhe ne presim të bëjmë konsensus me opozitën për reformat e mëdha, sidomos atë zgjedhore dhe reformën në drejtësi". Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike kërkoi gjithashtu bashkëpunimin e opozitës për nismën për kufizimin e imunitetit të deputetit. "Ne prej pesë vjetësh kemi shprehur vullnetin tonë të palëkundur për kufizimin e imunitetit të deputetit . Për këtë u kemi bërë një ftesë të vazhdueshme të gjithë aktorëve politikë në Kuvend, ku gjithë peshën kryesore e ka opozita. Ne presim që ajo të bashkëpunojë dhe të hartojmë bashkë një ligj të përbashkët, qoftë dhe me ndryshime në Kushtetutë, në rast se kjo është e nevojshme". Për sa u përket hetimeve të ngjarjes së Gërdecit, ai ritheksoi vullnetin e palëkundur të mazhorancës për zbardhjen e saj. "Ne ndjekim me shumë vëmendje hetimin e çështjes së Gërdecit dhe jemi për zbardhjen e çdo detaji të kësaj tragjedie. Por, për sa kohë institucionet e specializuara merren me këtë çështje, neve nuk na takon të flasim para tyre", - përfundoi kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Patozi.
Ky lajm është publikuar: 24/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›