Joakim Lëv: U mundëm nga kampionët e Botës
Joakim Lëvi nuk e çoi dot deri në fund misionin e tij. Edhe pse puna që ka bërë me Kombëtaren e Gjermanisë vazhdon të vlerësohet shumë, pasi me futbollistë të rinj në moshë, ai arriti të kualifikohet deri në gjysmëfinalet e Kupës së Botës, nuk mundi të shkojë më shumë se kaq. Ndaj Spanjës, taktika e kundërsulmit nuk funksionoi siç kishte bërë në ndeshjen ndaj Anglisë dhe Argjentinës. Kampionët e Evropës ditën se si të administrojnë lojën dhe të dominojnë në fushë. Vetë tekniku gjerman e pranon superioritetin e iberikëve. “Komplimenta Spanjës! Besoj se do jenë ata kampionët e Kupës së Botës. Loja dhe filozofia e tyre ka mbizotëruar vitet e fundit në futbollin evropian dhe atë botëror, kanë qenë më të mirë gjatë kësaj kohe. Si nga ana taktike, ashtu edhe nga ana e menaxhimit të topit, na e imponuan humbjen. Spanjollët patën një kontroll të topit dhe në shumë pak raste na lejuan të rrezikonim. Fituan në dyluftime dhe na lanë të harxhonim shumë energji, pasi dhe loja e zhvilluar prej tyre të bënte të vrapoje dhe të lodheshe. Rastet tona ishin të pakta dhe nuk u shpreh haptazi shpirti luftarak në kundërsulm. Edhe pse kërkuam që të dalin të shumtë në sulm, sa herë që u vidhnim topin, spanjollët u mbrojtën mjaft saktë. Na mundi skuadra më e mirë në botë dhe duhet ta pranojmë me përulje këtë gjë. Nuk mendoj se ka skuadër që mund t’i ndalë. As në finale”, tha trajneri i Kombëtares gjermane. Për ta ka mbetur edhe një ndeshje, pikërisht ajo për vendin e tretë, kundër Uruguait. Joakim Lëv e vlerëson shumë si përballje dhe premton fitoren. “Meritojmë të jemi të tretët në këtë Kupë Bote dhe duhet ta lënë pas krahëve zhgënjimin e eliminimit. Që nesër do nisim përgatitjet për ndeshjen e ditës së shtunë kundër Uruguait, pasi është e rëndësishme që të fitojmë. Të jemi në podiumin e Botërorit, është e rëndësishme për mua, për lojtarët dhe për tifozët. Duhet të largohemi me kokën lart nga kjo Kupë Bote dhe unë mendoj se paraqitja jonë ka qenë për t’u vlerësuar, duke llogaritur faktin se kemi hedhur hapat e parë në ndërtimin e një skuadre që do dominojë në vitet e ardhshme”, shtoi Lëvi. Në fund, ai komentoi mungesën e Tomas Mylerit: - “Padiskutim që u ndje, pasi ai është një futbollist që vrapon shumë dhe në ndeshje të tilla, si ndaj Spanjës, ky element ishte i nevojshëm.”