S’kishin menduar finalen, Holanda mbetet pa hotel
Federata e futbollit holandez, KNVB si duket nuk kishte llogaritur suksesin e skuadrës, duke rezervuar hotelin “Hilton” në Sandton të Johanesburgut, deri në datë 8 korrik, pra deri në ditët e sotme. Drejtuesit kanë besuar se 23-shja e Van Marvjik nuk mund të shkojë më shumë se gjysmëfinalet. Por ja që prej ditës së djeshme janë vënë në kërkim të një akomodimi të ri për deri në datë 12 korrik, një ditë pas finales. Sipas një raporti te gazetës ditore NRC Handelsblad, drejtuesit e hotelit “Hilton” kanë kërkuar largimin e skuadrës pasi ata kanë marrë prenotime të tjera për ditët në vazhdim duke u dhënë atyre mundësi që të rrinë vetëm një natë më shumë nga sa kishin rezervuar më përpara. Ndërsa holandezët duhet të gjejnë një vendqëndrim tjetër për të paktën 70 persona, aq sa numëron delegacioni i kësaj përfaqësuese. Ndërkohë mendohet se ekipi do të mund të shkojë në një qytet tjetër pasi në Johanesburg sipas mediave janë rezervuar të gjitha hotelet nga shumë turistë dhe tifozë të cilët kanë mundur që të blejnë bileta për ndeshjen finale të 11 korrikut.