Ushtarakët, si do llogaritet pensioni
nertila maho
Paga mesatare referuese do të jetë baza ku do të mbështetet edhe llogaritja e pensionit të ushtarakëve. Pas vendimit të gjykatës kushtetuese, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, është në pritje të vendimeve të Qeverisë, për të llogaritur nivelin e ri të pensioneve të parakohshme. Edhe pse me një kosto, tepër të rëndë për buxhetin, Ministria e Financave, është duke hartuar vendimet e tjera për ushtarakët. Në seminarin e djeshëm “Njohuritë dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve mbi sigurimet shoqërore”, përfaqësuesit më të lartë të ISSH, treguan skemën që do të përdoret për llogaritjen e re të pensioneve. Kështu, paga referuese, mbi të cilën do të nxirret edhe përfitimi i ushtarakëve, do të jetë mesatarja e viteve të punës për çdo ushtarak. Sipas ligjit, ata dalin në pension të parakohshëm pas minimumi 15 vite punë. Llogaritja do të jetë shuma e mesatares së pagës për çdo vit me 15 vitet e punës. Por pagat e viteve të mëparshme, do të indeksohen me inflacionin, ose me indeksin e pagave. Në këtë mënyrë edhe vlerësimi pritet të jetë më i lartë. Drejtuesit e ISSH, qartësuan dje, se instituti është vetëm zbatuesi i skemës së pensioneve. Ashtu sikundër është zbatues i një sërë skemash të tjera suplementare, për të cilat vendosin qeveritë e ndryshme, ndërsa ISSH bën vetëm llogaritjen dhe shpërndarjen e përfitimeve. Mënyra e përllogaritjes së pensionit të një ushtaraku është edhe më e komplikuar në momentin që ky i fundit e ka një pjesë të karrierës para viteve ’90. Para këtyre viteve për shkak të aplikimit të një sistemi tjetër pagash duhet që të bëhet një konvertim i pagave të asaj kohe me sistemin aktual. Pas nxjerrjes së pagës referuese, ushtaraku me 15 vite punë, përfiton si pension vetëm 50 për qind të saj. Ndërsa për çdo vit shtesë përfiton 2 për qind rritje. Pavarësisht kësaj llogaritje sot kategoria e ushtarakëve mbetet përfituesja e nivelit më të lartë të pensioneve krahasuar me kategoritë e tjera.
Deficiti nga skema
Banka Botërore pak kohë më parë deklaroi se skema shqiptare e sigurimeve shoqërore është një skemë deficitare e cila nëse nuk ndryshon do të krijojë probleme madhore në të ardhmen. Instituti i Sigurimeve Shoqërore si institucion pranon se skema ka deficit brenda saj por kjo nuk lidhet me pjesën e sigurimeve shoqërore, pra me pensionet e zakonshme që ndahen për pensionistët. Sipas të dhënave nga ky institut deficitin e vërtetë e sjellin sigurimet suplementare dhe programet e Qeverisë. Sot deficiti i skemës është në nivelet 0.39 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Për këtë vit nga 67 miliardë lekë që është fondi i sigurimeve shoqërore për 2010 që rrjedh nga kontribuuesit rreth 14 miliardë lekë janë shpenzime për programe të veçanta të qeverive dhe skemat suplementare të cilat nuk kanë kontribuues të drejtpërdrejtë. Këto të fundit financohen nga kontributet për sigurimet shoqërore çka krijon edhe deficitin aktual. Marrë të ndara skema e sigurimeve shoqërore dhe ajo e suplementareve e para është rentabël dhe funksionon pa ndonjë deficit shqetësues.
ISSH shprehet se raporti i rritjes së të ardhurave nuk ecën me të njëjtin trend me atë të shpenzimeve duke rritur kështu edhe hendekun që ekziston mes kontribuuesve dhe përfituesve pasi sot raporti përfitues kontribuues është 1 me 1.4. Gjithsesi skema nuk vlerësohet si në krizë dhe e dështuar sepse sipas drejtuesve të ISSH aplikimi i saj ka rezistuar që nga viti 1944.
ISSH për skemën
“Me ligjin organik të detyrimeve shoqërore ne detyrohemi që të mbulojmë inflacionin pra të indeksojmë pensionet çdo vit për nivelin e inflacionit. Vetëm kjo rritje vjen me destinacion rritjen e fundit të kontributeve. Ndërkohë nëse Qeveria vendos që të ta rrisë mbi inflacionin siç ka ndodhur jo rrallë herë nuk është detyrim që të rritet fondi i siguruar nga rritja e kontributeve. Diferenca për këtë është destinacion buxheti i shtetit, pra duhet të vijnë paratë nga buxheti i shtetit”, u shpreh dje drejtorja e ISSH-së Evelina Koldashi lidhur me deficitin në skemën aktuale të sigurimeve shoqërore. Ndërkohë ajo shpjegoi edhe raportet mes pagave, kontributeve dhe pensioneve. “Raporti i vendosur me ligj është që pensioni maksimal duhet të jetë dyfishi i pensionit minimal. Raporti pagë maksimale me pagë minimale është 1 me 5 dhe raporti për pension është 1 me 2 dhe nuk është i leverdishëm lidhur me njerëzit që paguajnë kontribute me pagë maksimale”, detajoi Koldashi.
skema suplementare
Kategoritë Nr. i përfituesve 2010
Punonjës civilë 1193
Ushtarakët 14.547
Ushtarakët nga ligji i ri 4386
Punonjësit e Policisë së Shtetit 599
Trajtime të veçanta për:
Punonjësit e nëntokës 3712
Shpërblim nga statusi
“Dëshmor i Atdheut” 408
Punonjësit e ndërmarrjeve
ushtarake 809
Pilotët fluturues në pension 267
Detarë në pension 79
Sondazhi, sa dinë të punësuarit për pensionet
Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikoi dje një anketë që lidhet me njohuritë e opinionit publik mbi këtë institucion dhe sigurimet shoqërore. Ky studim i kryer nga Qendra Kombëtare Burimore e Trajnimit dhe Asistencës Teknike nxori në pah një sërë tendencash. Për të krijuar një ide më të qartë nga ana e qendrës ANTTARC u morën në intervistë 2730 përfitues dhe kontribuues të ISSH-së në 12 rajone të vendit. Anketa u fokusua në një sërë çështjes siç ishte ajo e llojit të shërbimeve që ofron ISSH. “Rreth 93 për qind e të intervistuarve dinë se sigurimet shoqërore kanë të bëjnë me përfitimet për pension. Rreth 65 për qind e të intervistuarve dinë për përfitimet për barrëlindje. Rreth 47 për qind dinë për përfitimet për aksidente, sëmundje profesionale. 42 për qind për paaftësi, 14 për qind për varfëri dhe 10 për qind për papunësi”, thuhet në studim. Kjo në fakt është një panoramë për njohuritë që lidhen me llojet e shërbimit që ofron ISSH ndërkohë që sipas vetë institucionit numri i shërbimeve shkon në 52. Një aspekt tjetër që nxori anketa lidhej me përfitimin e pensionit. Rreth 80 për qind e të intervistuarve e dinë që nuk përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore nëse nuk janë të siguruar. Ndërkohë 60 për qind e të intervistuarve e dinë se numri i viteve për të dalë në pension është 35 vjet (kryesisht mosha 45 vjeç e lart). Në përgjithësi të intervistuarit nën 18 vjeç dhe 18-25 vjeç shprehen se nuk kanë dijeni për vjetërsinë e punës për të përfituar pension pleqërie ose japin përgjigje të gabuar”, thuhet në anketën e ANTTARC. Një tjetër detaj që bie në sy nga studimi është fakti që shumica e të intervistuarve rreth 56 për qind nuk kanë dijeni për përqindjen e pagesës së sigurimeve shoqërore.
Anketa
- 2730 të intervistuar
- 93% e dinë që sigurimet lidhen me pensionin
- 80% e dinë që pa u siguruar nuk përfitojnë
- 20% e të rinjve nuk njohin mënyrën e sigurimit
- 60% e dinë që për pension duhen 35 vite punë
- 56% nuk e dinë përqindjen e pagesës së sigurimeve