Legalizimet, pronarët që kompensohen
Erald Kapri
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nis procesin për kompensimin financiar të më se 2 mijë pronarëve, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje. Në një komunikim për mediat, drejtori i AKKP-së, Elvis Cefa, deklaroi se nga dita e hënë, datë 12 korrik, të gjitha palët e interesuara duhet të paraqesin kërkesën për tërheqjen e këstit të parë të kompensimit, një procedurë e cila do të zgjasë 30 ditë. "AKKP-ja shpall fillimin e procesit të pranimit të kërkesave për shpërndarjen e këstit të parë të kompensimit të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet informale. Me këtë rast AKKP fton të gjithë subjektet e interesuara, emrat e të cilëve janë miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave të paraqiten pranë zyrave tona për dorëzimin e kërkesës për kompensim. Procesi i pranimit të kërkesave të përfituesve nga ky fond do të fillojë ditën e hënë më datë 12.07.2010 dhe do të zgjasë 30 (tridhjetë) ditë kalendarike", tha Cefa, i cili shtoi se subjektet duhet të paraqiten tek zyrat e AKKP-së në adresën rruga "Muhamet Gjollesha", nr.54, Tiranë. Cefa tha më tej për gazetën se ende nuk është përcaktuar sasia e këstit të parë, gjë që do të përcaktohet pasi të vihet në dispozicion i gjithë fondi për shpërndarjen e këtij kësti. Kësti i parë pritet të jetë midis 10 deri në 20 për qind të vlerës. Aplikuesit kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2 mijë lekësh pranë zyrës së financës së AKKP-së si dhe të hapin në emër të tyre një llogari bankare në një nga bankat e nivelit të dytë. Subjekti duhet të paraqesë pranë AKKP-së Tiranë dokumentacionin e mëposhtëm si kërkesën tip, dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së tyre, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil, prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare dhe dokument identifikimi.
LISTEN E PLOTE, MUND TA LEXONI NE FORMATIN PDF