John Menzies, Konsull Nderi i Kosovës në SHBA

Sipas burimeve të KosovaTimes, së shpejti do të emërohen konsuj në disa shtete. Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj ka emëruar disa Konsuj Nderi të Republikës së Kosovës.
Menzies ka qenë Shef i Zyrës Amerikane në Prishtinë në vitet 2001-2002, ndërkaq më herët këshilltar për çështje të Ballkanit në Administratën e presidentit Clinton dhe Bush.
Aktualisht, ambasadori Menzies është dekan i Shkollës për Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në “Setten Hall University” në New Jersey.
Menzies ka vizituar Kosovën para pesë javësh dhe gjatë kësaj vizite është takuar me ministrin Hoxhaj.
Këto ditë ministri Hoxhaj ka emëruar një konsull nderi në Austri dhe tre në Turqi, derisa në ditët në vazhdim pritet të publikohen emërimet për Konsuj Nderi në Republikën e Federale të Gjermanisë, në Francë, në Lindjen e Mesme dhe shumë shtete tjera që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Me kërkesë të ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ambasadat e Republikës së Kosovës kanë filluar të propozojnë personalitete të ndryshme në shtetet, ku shërbejnë për konsuj nderi të Republikës së Kosovës.
Qëllimi i emërimit të konsujve të nderit bëhet në kuadër të përpjekjeve të Ministrisë së Punëve të jashtme dhe ministrit Hoxhaj për rritjen e numrit të njohjeve, për përmirësimin e imazhit të Kosovës, për përfaqësimin e interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.