E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR-i pajtohet që kryqi të mbetet në rrugë!

Kryqi i cili ishte vendosur gati një vit më përpara, pranë fshatit Rudarë, do të vazhdojë të qëndrojë ende në rrugë. Edhe pas shumë tentimeve KFOTR nuk ka arritur ta heqë atë, madje ata kanë pranuar propozimin e serbëve që kryqi të vazhdojë të qëndrojë në rrugë, por që të vendoset asisoj që të mund të qarkullojnë automjetet e transportit.

Kryetari ilegal i komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, siç raportojnë mediet serbe ka thënë sot se nga koloneli i KFOR-it, Adolf Konrad, ka marrë një përgjigje që në “në një farë mënyre paraqet kompromis”.

Sipas tij, kryqi i vendosur nga serbët verën e kaluar në rrugën magjistrale Prishtinë-Rashkë, në fshatin Rudarë, do të mbetet aty dhe se “komuna do ta caktojë hapësirën për të siguruar rrjedhjen e papenguar të trafikut”, transmeton Indexonline.

Milloviq theksoi se në këtë mënyrë, me përpjekje të përbashkëta, me kompromis dhe marrëveshje është gjetur “zgjidhja për një problem të ndjeshëm, me çka është shmangur konflikti i mundshëm mes qytetarëve serbë dhe KFOR-it”.

“Qëndrimi i Kishës Ortodokse Serbe dhe i qytetarëve është se kryqi duhet të mbetet aty, ndërsa KFOR-i ka nevojë për qarkullim për shkak të mjeteve të mëdha transportuese. Ne, në takimin e djeshëm, e kjo është konfirmuar edhe nga KFOR-i, ia kemi dalë që ta zgjidhim këtë problem", tha Milloviq për agjencinë e lajmeve “Tanjug”.

Për kryqin e madh, rreth 7 metra, që gjendet midis rruge është deklaruar edhe Dioqeza serbe e Rashkës, e cila ka transmetuar qëndrimin e peshkopit Teodosije “se kryqi është simbol i fesë së krishterë dhe se çdo tentim i heqjes së dhunshme ose dëmtimit paraqet akt të sjelljes barbare”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›