Reforma fiskale, tani do ulet edhe vlera e TVSH-së
Fabiola Çela
Qeveria po parashikon uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar. Tatimi që paguhet direkt nga konsumatori dhe që aktualisht, është në masën 20 për qind, pritet të jetë pjesë e reformës fiskale të qeverisë. Kjo do të jetë taksa e tretë themelore e buxhetit të shtetit që do të ulet, duke bërë kështu më pak të rëndë barrën fiskale për të gjithë bizneset. Por ndryshe nga tatimi mbi të ardhurat, tatim fitimi dhe sigurimet shoqërore, ulja e TVSH ka impakt direkt te konsumatori. Nga ana tjetër, zbutja e 20 për qindëshit të TVSH, do të bëjë të mundur zbulimin e disa dhjetëra bizneseve në “hije”, pikërisht për të shmangur këtë taksë. Sipas të dhënave, deri tani është kryeministri, i cili po insiston për uljen e TVSH. Disa ministra dhe institucione ndërkombëtare, kanë qenë kundër këtij veprimi. Por, efektet pozitive të uljes së tatimit mbi fitimin dhe të sigurimeve shoqërore, duket se e kanë bindur kreun e qeverisë të insistojë deri në fund për uljen e TVSH. Edhe pse skeptikë, disa ministra, FMN dhe institucionet e tjera ndërkombëtare, sot janë të bindur se vendosja e tatimit të sheshtë prej 10 për qind, përgjysmimi i tatim-fitimit, ulja e fortë e masës së sigurimeve shoqërore, dhanë efekte pozitive në buxhetin e shtetit. Nga ana tjetër, taksa e sheshtë po tregon se shumë biznese nuk po i shmangen më tatimeve. Insistimi i Berishës për uljen e TVSH, ka qenë pjesë e reformës që do të ndërmerrte e djathta pas kthimit në pushtet. Vetë taksa e sheshtë 10 për qind, parashikonte në fillimet e saj, uljen e tatim-fitimit, nga 20 në 10 për qind, barazimin, pa përshkallëzim të tatimit mbi të ardhurat në 10 për qind dhe përgjysmimin e TVSH nga 20 në 10 për qind. Ndërkombëtarët, i bënë presion qeverisë që të provonte vetëm uljen e dy taksave të para. Rezultatet e deritanishme duket se, kanë inkurajuar kreun e qeverisë të ndërmarrë, ndoshta reformën më të madhe fiskale të vendit, pra uljen e TVSH deri në 10 për qind. E njëjta gjë pritet edhe për sigurimet shoqërore. Reforma e parë e qeverisë ishte ulja e kontributeve për të punësuarit nga bizneset nga 29 në 20 për qind. Të ardhurat nga tatimi i punës u rritën. Kreu i qeverisë po insiston që edhe këtë kontribut ta bëjë 10 për qind.
Informaliteti
Sa më e lartë të jetë taksa, aq më i lartë do të jetë informaliteti. Në Shqipëri, kjo shprehje është më e qartë se në të gjithë vendet e botës. Dihet që sa më i madh të jetë detyrimi fiskal, aq më i leverdishëm është ryshfeti për ta shmangur atë. Nga janari i këtij viti, kur tatimi mbi fitimin u bë 10 për qind nga 20 që ishte më parë, tatimet mblodhën më shumë para se sa një vit më parë. Duket paradoksale, por bizneset, me uljen e taksës e panë më të leverdishme pagesën e tatimit sesa shmangien e tij. Insistimi i kreut të qeverisë për taksën e sheshtë i dha rezultatet në rritjen e bizneseve, që paguanin tatimin mbi fitimin dhe sigurimet për të punësuarit e tyre. Raporti i fundit i Tatimeve e tregon qartë se, në prill janë mbledhur shumë më tepër para se një vit më parë, kur këto taksa ishin më të ulëta. Sipas Tatimeve, pavarësisht se tatimi mbi fitimin është përgjysmuar, të ardhurat për këtë lloj tatimi janë rritur në shumën 121 milionë lekë ose në masën 101.7%. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Sipas Tatimeve, të ardhurat janë rritur ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar, ku janë arkëtuar rreth 2.8 miliardë lekë më shumë ose në masën 124% për katërmujorin e parë të vitit 2008, krahasuar me katërmujorin e parë të vitit 2007. Të dyja këto taksa bëjnë pjesë në “tatmin e sheshtë”. Rezultatet flasin qartë, që përgjysmimi i tyre, jo vetëm që nuk uli të ardhurat në buxhet por i rriti ato. E thënë ndryshe, bizneset paguan më shumë, me taksat e përgjysmuara, numri i paguesve u rrit, dhe shumë prej tyre, dolën nga informaliteti. Ulja e parashikuar, TVSH sigurisht që do të bëjë më të ulët shkallën e shmangies dhe si rrjedhojë pritet të japë të njëjtin efekt si dy taksat e tjera, pra rritjen e të ardhurave në buxhet. Sipas raportit të OKB, Shqipëria vazhdon të jetë më shumë se gjysma informale. Ulja e taksave, në këtë rast e TVSH, do të ndihmojë në shmangien e informalitetit. Bizneset që punojnë në gri, sigurisht që do të kenë interes të dalin në dritë.
Investitorët
TVSH është në nivelet më të larta të rajonit. Shqipëria ka krahun e punës më të lirë në rajon. Me aplikimin e taksës së sheshtë, pra të tatim-fitimit, tatimit mbi të ardhurat prej 10 për qind, tani ka edhe barrën fiskale më të lehtë në rajon. Kjo sigurisht që ka sjellë në rritje, interesimin e investitorëve të huaj për Shqipërinë. Ulja e TVSH, normalisht do të ndikonte edhe më shumë në rritjen e investimeve. Një tjetër ndikim të pastër te investitorët e huaj do të jepte ulja e sigurimeve shoqërore. Nga viti 2005 kontributet për biznesin u ulën nga 29 për qind në 20 për qind. Kreu i qeverisë po insiston që ky kontribut të ulet edhe më tej. Ulja e taksës së punës, ndikon direkt në thithjen e investimeve të huaja, pasi rentabiliteti i tyre do të ishte më i mbrojtur nga taksa e punës. Pra, do ta bënte krahun e punës në Shqipëri akoma më të lirë.
Konsumatorët
Pavarësisht fitimeve buxhetore që mund të sjellë ulja e TVSH, të parët që përfitojnë nga kjo ulje janë konsumatorët. Tatimi mbi vlerën e shtuar, është një tatim që paguhet në finale nga qytetarët. Ulja e TVSH, do të thotë direkt ulje e çmimeve. Ndikimi i saj i pastër do të jetë në faturat e dritave, të ujit, në të gjithë çmimet në treg. Kjo është arsyeja e tretë, që e bën kreun e qeverisë të insistojë në uljen e këtij tatimi. Efekti i kësaj ulje është gati jetik për vendin, në kohën kur çmimet në tregjet ndërkombëtare dhe vendase po cenojnë rëndë inflacionin dhe jetesën. Ulja e insistuar nga kreu i qeverisë, do të ishte një zgjedhje e menjëhershme për tregun shqiptar dhe konsumatorët.
20 per qind
ishte tatimi mbi fitimin deri në dhjetor të vitit të kaluar. Më 1 janar ky tatim u bë 10 për qind. Sipas të dhënave të Tatimeve, u mblodhën më shumë para
20 per qind
është aktualisht vlera e TVSH. Kjo taksë paguhet nga konsumatori, pasi bizneset e rimbursojnë atë nga njëra shitje te tjera. Ulja e TVSH ka ndikim te konsumatori
10 per qind
u bë tatimi mbi të ardhurat personale. Më parë ai ishte i shkallëzuar sipas pagës, kush paguhej më shumë, tatohej më shumë. Të ardhurat u rritën me 200%
29 per qind
ishte pjesa që duhet të paguanin biznesmenët për të punësuarit si sigurim shoqëror dhe shëndetësor. Sot ky kontribut është ulur në 20 për qind
Përgjysmimi i taksave rrit të ardhurat në Tatime
Përgjysmimi i taksave ka rritur ndjeshëm të ardhurat në administratën tatimore. Sipas të dhënave më të fundit, të ardhurat tatimore për katërmujorin e parë të vitit 2008 janë realizuar në masën 111.8 për qind, ose rreth 3.3 miliardë lekë mbi planin. Për muajin prill 2008 ka një tejkalim prej rreth 515 milionë lekë, ose në masën 107.2 për qind. Krahasuar me vitin 2007 për periudhën katërmujore janë arkëtuar më shumë rreth 8.9 miliardë lekë, ose në masën 124 %, ndërsa për muajin prill të vitit 2008 janë arkëtuar rreth 3.3 miliardë lekë më shumë se në muajin prill 2007, ose në masën 124.6 %. Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) zë peshën kryesore të të ardhurave në buxhetin e shtetit. Në këtë katërmujor në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë rritur të ardhurat në shumën rreth 2.2 miliardë lekë, ose në masën 126.2 %. Në krahasim me planin, në majin prill janë arkëtuar 968 milionë lekë më shumë, ose në masën 157,6 %. Tatimi mbi të ardhurat personale është një tjetër lloj tatimi që është rritur ndjeshëm si në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ashtu edhe me planin. Për katërmujorin e parë të këtij viti të ardhurat tatimore nga ky lloj tatimi janë dyfishuar, pra janë realizuar rreth 3.5 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2007, ose në masën 209.6 %.
Qeveria: Do indeksojmë pagat dhe pensionet
Çmimet e mallrave ushqimorë po rriten dita-ditës. Ata që preken më shumë nga kjo rritje janë familjet buxhetore dhe pensionistët. Përballë një situate të tillë qeveria ka premtuar se rritja e çmimeve do të shoqërohet me kompensimin e buxhetorëve dhe pensionistëve nga ana e qeverisë. Sipas drejtuesve të lartë të qeverisë, do të kompensohen të gjitha kategoritë buxhetore dhe pensionistët, që janë prekur në muajt e fundit nga këto rritje. Në korrik së bashku me rritjen e pagave dhe pensioneve do të kryet edhe indeksimi i tyre. Indeksimi i tyre mund të jetë më i lartë se 3.1 për qind dhe kjo për shkak të rritjes masive të çmimeve të ushqimeve. Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave në vend, inflacioni për muajin prill ishte 4.4 për qind, duke kaluar kështu edhe kufirin e vendosur nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria. Por për fakt të keq rritja e çmimeve vazhdon. Duke qenë se Shqipëria është një vend importues për shumë mallra ushqimorë, si pasojë, kriza botërore e çmimeve të ushqimeve ka dhënë efektin e saj negativ edhe në tregun shqiptar.
Biznesi: Nëse ulet TVSH-ja do ulim çmimet e mallrave
Ulja e taksës së TVSH-së prek drejtpërdrejt konsumatorët. Biznesi ka premtuar se nëse Qeveria vendos të ulë taksën e tatimit mbi vlerën e shtuar, atëherë bizneset do të ulin çmimet.
Fabiola Çela
Sipas përllogaritjeve të kreut të Dhomës së Tregtisë, Gjok Uldedaj, nëse TVSH-ja ulet me 1 për qind, pra bëhet 19 për qind, çmimet në treg do të ulen me 2 për qind. Por nëse qeveria vendos ta ulë në 18 për qind nivelin e TVSH-së, atëherë çmimet do të ulen me 4 për qind. Të kontaktuar nga gazeta dy përfaqësuesit e komunitetit të biznesit kanë dhënë reagimet e tyre në lidhje më uljen e TVSH-së, e cila është një ndër taksat kryesore të arkës së shtetit, por nga ana tjetër është edhe taksa që ka një ndikim të drejtpërdrejtë tek konsumatori.
Reagimet
Përfaqësuesit e biznesit janë shprehur pro uljes së nivelit të TVSH-së, por ata janë shprehur disi skeptikë lidhur me këtë nismë. Jo pak herë Qeveria ka deklaruar se, do të ulë nivelin e TVSH-së, por ky vendim është kundërshtuar nga ndërkombëtarët dhe për rrjedhojë niveli i kësaj takse ka mbetur i pandryshuar. Por këtë herë biznesi shpreson që ndërkombëtarët të jenë dakord me uljen e kësaj takse. “Jo pak herë Qeveria është angazhuar që të ulë nivelin e TVSH-së, por kjo gjë nuk është miratuar nga ndërkombëtarët, shpresojmë që këtë herë të jenë dakord. Kjo do të ishte shumë pozitive për biznesin dhe konsumatorët”, është shprehur Gjok Uldedaj, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Në po këtë linjë ka qenë edhe anëtarja e bordit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Adriana Berberi.
Ndikimet
Ulja e nivelit të TVSH-së ka një ndikim pozitiv jo vetëm për biznesin, por edhe për vetë konsumatorët. “Ulja e TVSH-së ka një impakt goxha pozitiv si për biznesin ashtu dhe për konsumatorët. Por nëse Qeveria vendos që të ulë TVSH-në, atëherë duhet të bëjë dhe një rishikim të buxhetit. Ulja e kësaj takse ka një ndikim pozitiv për biznesin, pasi ul koston e transaksioneve”, ka thënë Adriana Berberi. Ulja e TVSH-së ka një ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e çmimeve të mallrave ushqimorë. Madje, kryetari i Dhomës së Tregtisë shprehet se, do të ishte më mirë nëse ulja e TVSH-së do të ishte në mënyrë të përshkallëzuar. “Unë jam për një TVSH të përshkallëzuar. Nuk është e nevojshme që të ulet TVSH-ja për veshmbathjet, por për mallrat e konsumit të përditshëm si miell, oriz, sheqer, që zënë gati 80 për qind të konsumit të konsumatorëve. Ulja e TVSH-së do të ndikonte në uljen e çmimeve të shitjes”, është shprehur ai. Sipas përllogaritjeve të tij, nëse qeveria vendos që ta ulë me 1 deri në 2 për qind nivelin e TVSH-së, kjo do të ndikonte që çmimet të uleshin deri në 4 për qind. Pra, ulja e TVSH-së do të ishte mënyra më e mirë për të mbrojtur konsumatorët nga kjo rritje e vazhdueshme e mallrave ushqimorë. Lidhur me krizën botërore të çmimeve, që ka dhënë efektet e saj negative edhe në Shqipëri kryetari i Dhomës së Tregtisë ka sugjeruar që të zhvillohet sektori i agroindustrisë si një ndër mënyrat për të zbutur krizën e çmimeve të ushqimeve në vend. “Një tjetër masë për të mbrojtur konsumatorët nga rritja e çmimeve do të ishte edhe zhvillimi i sektorit të agroindustrisë. zhvillimi i këtij sektori do të ndikonte në zbutjen e krizës së çmimeve të mallrave ushqimorë”, është shprehur Gjoka. Ndërsa sipas anëtares së bordit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Adriana Berberi, ndikimi që jep ulja e TVSH-së është në varësi se sa do të ulet niveli i kësaj takse. “Ulja e kësaj takse ka një ndikim pozitiv për biznesin pasi ul koston e transaksioneve. Por varet se sa do të jetë kjo ulje dhe sa do preket nga ndikimi i inflacionit. Nëse TVSH-ja ulet me 1 deri në 2 për qind, atëherë kjo ulje është gati e pallogaritshme për biznesin”, është shprehur ajo.
Ligji i Tatimeve
Projektligji i ri i qeverisë "Për procedurat tatimore", është shoqëruar me debate të ashpra mes biznesit dhe përfaqësuesve të qeverisë. Vetëm pak ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit të Gjobave kanë reaguar përfaqësues të biznesit, të cilët kanë kërkuar që detyrimi tatimor të mund të paguhet edhe me anë të garancive pasurore në natyrë, jo vetëm në formën e parave cash, siç e parashikon drafti i qeverisë. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, tashmë biznesi nuk parapaguan më 15 për qind të gjobës para se të ankimojë vendimin në gjykatë, por parapaguan detyrimin tatimor.