Johnny Depp, “Piter Pani” i Ishullit që nuk është

02/02/2005 Si ka lindur Ishulli që nuk është? Kush ishte Piter Pan? Dhe kush e krijoi atë? “Neverland - Një ëndërr e përjetshme”, që ka fituar 7 nominime për Oscar, së fundmi, publikohet në ekranin e madh ditën e premte, duke u përpjekur, në këtë mënyrë, t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve të sipërpërmendura. Interpretuesi i James M. Barrie, autorit të “Peter Pan”, do të jetë pikërisht i madhi Johnny Depp. Lidhur me nominimin si “aktori më i mirë protagonist”, Depp është shprehur: “Nuk ka rëndësi për mua, pasi unë nuk aktroj për të fituar çmime”. “Sapo mora vesh se isha kandidat për aktorin më të mirë, më ka kapur një panik i tmerrshëm. Vitin e kaluar kam shkuar në këtë ceremoni së bashku me shoqen time Vanessa Paradis. Kisha marrë kandidaturën e parë si aktori më i mirë për filmin “Piratët e Karaibeve”. Dhe pikërisht, kjo gjë ishte një ankth i vërtetë, pasi nuk dija se ku duhet të shkoja të pija një cigare, nuk dija nëse lejohej të pihej, dhe ç’është më e rëndësishmja, nuk dija se kur do të përfundonte ceremonia. Por menjëherë sapo fitoi çmimin Sean Penn, unë u gëzova pa masë, pasi mbi të gjitha, unë nuk punoj për të fituar çmime”, ka përfunduar aktori i mirënjohur. Dhe duket se të njëjtën gjë ka menduar edhe regjisori Forster, kur ka deklaruar gjatë prezantimit të filmit më të fundit në Festivalin e Venecias: “Kur xhiroj një film, nuk më shkon kurrë në mend se mund të fitoj një çmim. Është thjesht një histori, të cilën më pëlqen ta tregoj, pasi është e bukur dhe nëse më vonë kjo gjë sjell dhe çmime, është akoma më mirë. Por sigurisht që nuk është prioriteti im kryesor”. Pavarësisht nga të gjitha, anëtarët votues të Academy, të çmimit Oscar, e kanë caktuar filmin e drejtuar nga Marc Forster (regjisori i filmit të suksesshëm “Monster’s Ball”, në shtatë kategori: si filmi më i mirë, si aktori më i mirë protagonist (në këtë rast është Johnny Depp), skenari më i mirë jo origjinal, montazhi më i mirë, skenografia më e mirë, kostumet më të mira dhe kolona zanore origjinale më e mirë. Në të vërtetë, filmi trajton historinë e dramaturgut të njohur skocez, James M.Barrie, i cili gjente frymëzim pasi ecte përgjatë kopshteve të mrekullueshme të Kensington. Një ditë, Barrie takon familjen e Llewelyn Davies, katër fëmijë, të cilët janë jetim nga babai dhe kanë një nënë të quajtur Sylvia (interpretuesja e personazhit është Kate Winslet). Pavarësisht nga kundërshtimet e gjyshes së fëmijëve dhe bashkëshortes së tij, Barrie miqësohet së tepërmi me këtë familje. Pikërisht në këtë mënyrë, lindën dhe “fëmijët e humbur të ishullit që nuk ekziston”, si dhe kryevepra letrare e fëmijërisë së “Peter Pan”. Megjithatë, Barrie duhet të tregohet shumë i kujdesshëm me pjesën teatrale, ashtu sikurse dhe drejtori (i interpretuar nga Dustin Hoffman) për ta prezantuar atë. Por më në fund, Barrie, me shumë punë, arrin që t’i bindë të gjithë për të punuar rreth projektit më të ri, i cili në mënyrë të padiskutueshme do të ndryshonte krejtësisht fatin e të gjithë pjesëmarrësve. Megjithatë, këtë radhë, qëllimi i Forster ishte që të mos realizonte një film shumë sentimental: “U përpoqa që të kisha një mbështetje shumë të thjeshtë, përsa i përket skenarit. Më dukej sikur ai ishte shumë i mbushur me emocione, dhe nuk doja që të shtoja të tjera”, ka përfunduar regjisori.