E Diel, 1 Nëntor 2026

Porto shkarkon Fernandez

02/02/2005  

Një shok i vërtetë, ka rezultuar shkarkimi nga drejtimi i skuadrës, për trajnerin spanjoll, Viktor Fernandez. Ky i fundit ka mbetur shumë i habitur prej vendimit arbitrar nga ana e drejtuesve të klubit portugez. “Në të vërtetë, unë kurrë nuk do ta mendoja se do të shkarkohesha në këtë mënyrë, ka thënë Fernandez për një stacion radiofonik spanjoll. Aspekti pozitiv ishte se nuk ndjeva kurrfarë vuajtjeje, sepse gjithçka ka ndodhur krejt papritur. Unë kam zhvilluar një lojë, e cila kishte dy anë të kundërta. Kur ne e filluam, ishim liderët dhe kur ajo mbaroi, unë u shkarkova. Porto është një skuadër në proçes rindërtimi, ku çdo element ka pësuar ndryshimin përkatës. Nisur nga të tillë fakte, ky vendim më duket me të vërtetë i çuditshëm dhe i papritur”. Trajneri spanjoll kishte firmosur një kontratë dyvjeçare, me skuadrën e Portos, në muajin gusht, menjëherë pasi Hoze Murinjo i kurorëzoi portugezët, kampionët e Evropës. Ai erdhi në detyrë, pas shkarkimit të italianit Luixhi Del Neri, i cili ka kaluar vetëm dy muaj, në krye të pankinës së Portos. Suksesi i vetëm për Fernandez, nën drejtimin e Portos, ishte triumfi në Kupën Interkontinentale, kundrejt kampionëve të Amerikës së Jugut, Onse Kaldas. Po ashtu, Porto ka fituar vetëm një nga pesë ndeshjet e fundit, të zhvilluara brenda fushe në kampionat, kurse ditën e dielë ka humbur me rezultatin 3-1, përballë Bragas. Kështu, kampionët në fuqi të Evropës kanë zbritur në vendin e tretë të tabelës së klasifikimit, vetëm dy pikë poshtë Bragas. “Unë e pranoj se ne kemi zhvilluar një lojë shumë të keqe ditën e dielë, por që gjërat të shkonin deri te shkarkimi, asnjëherë nuk mund ta mendoja”- ka shtuar Fernandez. Nga ana tjetër, në një deklaratë të klubit portugez bëhet e ditur se: “Kushtet më minimale nuk ishin të tilla, për qëndrimin e mëtejshëm të Fernandez, në krye të stafit drejtues të Portos, pavarësisht nga problemet e shfaqura më parë”. Ndërkaq, presidenti i klubit të Portos, Horge Nunjo Pinto, ka hedhur poshtë emërimin e pasardhësit të Fernandez. Ai ka deklaruar se, ka qenë në kontakte me disa trajnerë të njohur. “Në kohën e duhur, ne do të vendosim për trajnerin e ri dhe vetëm atëherë, do të bëjmë të ditur zgjedhjen tonë”-ka thënë presidenti Pinto da Kosta. Sipas burimeve të mediave vendase, mendohet se trajneri aktual, Setubal Hoze Kouseiro, mund të zërë vendin e Fernandez.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›