E Diel, 1 Nëntor 2026

Më të mirët e letrave për “Fjalën”

01/02/2005  Gazeta e përjavshme kulturologjike “Fjala” ka shpallur dje çmimet e konkursit letrar kombëtar, me të njëjtin emër. Pas një viti pritjeje dhe vëzhgimi të prurjeve më të reja dje janë shpallur fituesit për çdo zhanër të letërsisë.

Në shtëpinë e Librit dhe Komunikimit janë mbledhur dhe mjaft personalitete të letrave, të cilët kanë pritur emrat e evidentuar tashmë, por dhe të rinj të vlerësuar nga gazeta e përjavshme letrare, që drejtohet nga shkrimtari Agron Tufa.

Juria e përbërë nga kryetare Suzana Çapriçi, përkthyese, eseiste dhe kryeredaktore e revistës “Stigma” në Kosovë, Ervin Hatibi, Gentian Çoçoli, Edmond Tupja dhe Dhurata Shehri, kanë ndarë nga tre fitues për poezinë, tregimin, esenë dhe përkthimin më të mirë. Çmimi i parë për poezinë më të mirë të “Fjalës” iu dha Petrit Nikës, të dytin Norel Zaimit, dhe të tretin Florian Hidës. Pasi ishin befasuar nga prurjet në prozën e shkurtër, juria e “Fjalës” veçoi për tregimin më të mirë, duke vlerësuar me çmimin e parë Mimoza Hysën, me të dytin Lazër Stanin dhe me çmim të tretë, Alban Balën, i cili shpërblimin financiar prej 200 euro ia ktheu gazetës, si kontribut për gazetën letrare që i dha vlerësimin. Për këtë zhanër të shkurtër të prozës, u tha nga juria se kishte prurje befasuese. Për përkthimin më të mirë çmimi i parë i shkoi Parid Teferiçit, i dyti Edlira Ketës dhe vlerësimi për vendin e tretë iu bë Alban Bobratit.

Mendimtari i njohur, Artan Fuga, hyri në radhët konkurruese të “Fjalës”, duke marrë vlerësimin me çmimin e parë për esenë më të mirë, me çmimin e dytë u vlerësua Mihal Krimçe dhe me çmimin e tretë u vlerësua Lindita Arapi.

Sipas kryeredaktorit të gazetës letrare, Agron Tufës, që inicioi këtë konkurrim letrar, të gjithë emrat fitues do të përfshihen në një antologji. Ndërkohë ka treguar se procedurat që janë ndjekur për të shkuar deri te selektimi i fituesve ka qenë jo në bazë të numrave, por shifrave. Duke e theksuar disa herë këtë fakt, Tufa tha se megjithë mosfuqinë financiare, për fituesit arriti të gjejë Mecenatin, duke iu siguruar nëpërmjet sponsorve si Bashkia apo Deka group, shpërblimin sipas vlerësimit me çmime.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›