E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për kë gatuhet kjo llumnajë?

Ja që ndodh të të vijë turp edhe nga emri shqiptar, jo vetëm kur kalon kufi rin e shtetit tënd, por edhe kur nuk shkel mbi .kufirin e askujt. Kjo është e rëndë, e di. Por këtë ndjesi të hidhtë provova (natyrisht jo vetëm unë!) në seancën e fundit parlamentare, ku fjala e kreut të qeverisë me "rrugeçër" e "legenër" tingëllonte si një përkëdheli… Sigurisht, marrëdhënia e një qytetari të përgjegjshëm me vendin e vet nuk varet nga fytyra, nga fjalori dhe as nga sjelljet e ndyra a të pështira të politikanëve, qoftë ky kryeministër, kryetar Kuvendi apo President Republike. Edhe kur shoqërinë e vënë përfund diktatorët, edhe kur e zënë për fyti karikaturat e diktatorëve, bllokqentë, kjo nuk do të thotë të marrësh inat vendin tënd, shoqërinë tënde, bashkëkombësit e bashkëkohësinë, përkundrazi, shtysa dhe shpresa e lirisë lipset ta bëjnë njeriun e ndërgjegjshëm të dojë më shumë popullin e shumëvuajtur jo për faj të tij, por të monstrave të tij. Ndërsa në diktaturë ngushëllohesh kur thua: ne nuk zgjedhim, ne bëjmë sikur zgjedhim, ne nuk votojmë, bëjnë sikur votojmë, ndaj nuk kemi faj, si mund të justifikohesh tani, në këtë gjasme-demokraci, kur medemek zgjedhim të lirë, kur njeriu është i lirë të ikë nga vendi i vet e të thotë atë që dëshiron të thotë? Por ja që sot qenka më e lehtë të kuptohet shprehja e famshme e At Gjergj Fishtës, të cilën ia patën keqkuptuar në diktaturë: "Le ta marrë vesh bota mbarë, se Gjergj Fishta s'asht ma shqyptar!". Hë pra, kush mund të shpjegojë: ç'e ka shtyrë këtë patriot të madh e të paepur në këtë përfundim kaq dëshpëronjës? Po Konicën?
Sigurisht asgjë tjetër, vetëm një zhgënjim i madh, pa fund e paanë, nga i cili del hiri i këtij përfundimi sa logjik, aq edhe tragjik, sa i lashtë, edhe i ri: si mund të mbajë mbi krye e si mund të lejojë të drejtohet kaq gjatë një komb, atdheu, populli, qytetaria, elitat intelektuale…nga hajnat, nga horrat, nga lolot, nga larot e balot, nga derrat e Sulltan Selëpët, nga mashtruesit e gazepët demagogë, d.m.th, nga një kastë politike antikombëtare, kaq e papërgjegjshme, kaq e pacipë, kaq vulgare? Jemi ne apo janë përçorët tanë "të zgjedhur" që na detyrojnë të ngjajmë, në mes të Evropës, si njerëz me bisht, si dele të zeza? Njëzet vjet janë ca si tepër në demokraci për të duruar e për të ndjekur pas këta rezilër e rrezikzinj të pafytyrë! A mund të gjendet një patriot shqiptar normal, që pasi ka ndjekur seancën e fundit parlamentare, të këngëzojë: "O sa mir me ken shqyptar"?"…"Zhvishuni lakuriq, zhvishuni, sillni edhe motrat, sillni edhe gratë!"...Ndërsa kryetarja e Kuvendit hingëllinte me "hi hi hi" nga ky humor i zi që do të thyente edhe "semaforët"!
* * *
Jam i bindur se shumica e qytetarëve shqiptarë provuan të njëjtën shije të këtij helmi fishtian në seancën e fundit të llumhanës së radhës parlamentare. Nuk është fjala vetëm për fjalorin e ndyrë të krerëve tanë - sepse tash jemi mësuar - por për mendësinë e fëlliqtë e të paturpshme që po na drejton e çon nga turpi në turp. Nuk është fjala vetëm për banalitetet me "legen", me "larva", "mjeranë", "çimka e çimkëzime", me rrugeçër e banda droge, me bllokmenë e bllokqenër, me kriminelë e mafiozë, me lakuriqësira e inçeste të padëgjuara…, por për bindjen e palëkundur të udhëheqësve aktualë se ata kësisoj kujtojnë e besojnë se me një të tillë gjuhë flakëhedhëse do të mund të bëjnë për vete e do të bëjnë zap për një kohë të pakufizuar një popull i cili përfytyrohet prej tyre si një popull barbar e primitiv që vazhdon, për inerci, ta pëlqejë dhunën verbale, shpifsharjet publike; kjo është arsyeja përse na servirin përditë këtë lloj propagande, këtë gjellë, këtë ndyrësi të denjë për banjot publike, këtë media-bajgë masive…Ata me sa duket besojnë se shumica e shqiptarëve të sotëm e pëlqejnë dhe e hanë me dëshirë këtë llumhanë gjirizesh…. A thua të jetë e vërtetë kjo? Nuk e besoj! Por ata na gjykojnë si qytetarë primitivë të prirur të hanë edhe bar, edhe gënjeshtra, ndaj kjo sherrnajë e pashembullt, që quhet politikë, nuk bëhet në zyrat e mbyllura të kryeministrisë, as të familjes së kryeministrit, por në Kuvend të Shqipërisë, para kamerave, para popullit, para ndërkombëtarëve, jo për të trembur fëmijët, por zgjedhësit, të cilët presupozohet se do të sugjestionohen në ditën e votime nga trysnia e paturpësisë që të detyron të dorëzohesh pa kushte: këta janë të pamposhtur, të pathyeshëm, të përjetshëm, është e kotë! Nga që e besojnë efektin e kësaj llumhanë-propagande, ata nuk e çajnë kokën se kësisoj kanë për të lenë një dëshmi rrënqethëse të një historie absurde dhe marroke, për të cilën nuk mjaftojnë fjalët: TURP që e jetuam, por ca më turp që këtë TURP e pranuam e, akoma më zi që edhe e votuam!
E pra, janë pakicë apo shumicë ata shqiptarë që teksa dëgjojnë kryeministrin e tyre të shpifë, të turfullojë e vjellë vrer e helm nëpër podiume dhe ekrane, thonë vetmevete: "vallahi, ky është burrë, ky është i ndershëm, ky e do Shqipërinë, hë më t'i lumtë goja; ndaj e ka hak të votojmë sërish për të?!" Krerët tanë besojnë që shqiptarët e kësollojtë janë shumicë, ndaj e mbajnë gjallë këtë sherr-propagandë, ndaj na poshtërojnë dhe na fyejnë, jo vetëm kur na vjedhin, jo vetëm kur na tallin, por edhe kur na gënjejnë sy për sy… Jetojmë në vitin 2011, dreqi e mori! Shpresojmë të hyjmë edhe ne në BE! Se kemi një ëndërr e një shpresë shekullore: të mbërrijmë më në fund te dyert e një demokracie e Drejtësie që funksionojnë përsëmbari! Po a mund të realizohet kjo ëndërr me një udhëheqësi kaq të shpifur e të papërgjegjshme? E vështirë! Si nuk doli një burrë në Kuvend që të nxirrte këpucën e të qëllonte, jo për ta poshtëruar kryeministrin, as Jozefinën e hargalisur nga banalitetet, se kjo nuk funksion as tek ai e as tek ajo, por për të provuar se ka lindur, më në fund, një burrë që mund t'u mbyllë gojën?! Si nuk kishte një deputet që të kërkonte një grup mjekësh psikiatër amerikanë, në vend të ekspertëve për videokasetën, që të na garantonin për shëndetin mendor të udhëheqësit tonë të dashur e karizmatik?..Se, krahasuar me vendet e tjera, as Berluskoni, as Lukashenko, as Çavez, as Ben Ali që u arratis me turp nga Tunizia, nuk do të guxonin të flisnin në publik aq vulgarisht e banalisht si Saliu ynë në Kuvend, jo se ata janë më pak sharlatanë e delirantë, por se ata, në mos kanë më shumë respekt, kanë më shumë frikë nga populli i vet e sidomos nga dëshmia që do të lënë në celuloid, d.m.th, në histori! Kurse Berisha nuk e ka këtë frikë, ai është i bindur që e ka kapur për brirësh jo vetëm popullin, por edhe historinë; ai ka vetëm një frikë: mos rrëzohet papritur e pakujtuar si në 1997-ën dhe ikën nga pushteti duke lënë familjen në mes të katër rrugëve, ende pa i mbyllur e kopsitur mirë punët e aferave…
Ja përse ai kësaj here është më rreziksjellës…!
* * *
Tash është e qartë: sa vjen e më tepër ka për t'u përndezur llum-propaganda mes dy partive kryesore, natyrisht deri më 8 maj kur vetëm për një ditë do të kemi heshtje zgjedhore e do të na rehatohen veshët, natyrisht deri më 9 maj, sepse sherrnaja ka për të rinisur me po aq vrull e zjarrmi…Kjo do të thotë se edhe gjatë kësaj fushate opozita do të kërkojë të na mbushë mendjen se mbi krye kemi një qeveri hajdute, të korruptuar, mafioze, klanore, makute, etj, ndërsa partia në pushtet, bashkë me aleatët dhe altoparlantët e saj, do të na thotë se e korruptuara e rruzullit në të vërtetë është Bashkia e Edi Ramës dhe se të gjitha akuzat e opozitës janë montazhe, truke, shpifje, gënjeshtra, dmth spiunllëqe nëpërmjet çimkëzimit, bunkerizimit, neobllokëzimit, etj, etj. Gjithçka do të jetë e personalizuar dhe e orientuar si për jetë a vdekje mbi këta dy liderë: edhe suksesi, edhe dështimi, edhe orientimi politik, edhe qorrsokaku politik, edhe fitorja, edhe humbja, edhe balta, edhe dafinat…E sigurt është gjithashtu se edhe pas këtyre zgjedhjeve të fituar kanë për të dalë të dy palët, më sak, dy kryetarët përkatës, Berisha dhe Rama, paçka se njëri do ta quajë fitore historike dhe tjetri nuk do të pranojë humbjen, duke na thënë: përsëri u bënë manipulime, përsëri u vodh vota, ndaj pushteti është i paligjshëm etj, etj, të humbur do të dalim ne, bashkë me Shqipërinë që e ka të siguruar tashmë vendin e parë nga fundi! Parë me këtë sy shfaqja e fundit e Kuvendit ishte prologu i një drame vulgare, i një llum-fushate, i një shfaqje rrugaçërore, të stërparë, me të njëjtin aktor, me të njëjtin fjalor, me të njëjtin regjisor, skenarist, producent, pse jo edhe të njëjtët spektatorë duartrokitës dhe, natyrisht, edhe me të njëjtin përfundim: qesh kush nuk qesh i fundit, qan ai që qan i pari!
Por problemi në fakt është i thjeshtë: a do të bëhemi edhe ne qytetarë, që do të thotë: a do të lejojmë të na trajtojnë edhe në këtë dhjetëvjeçar si ca buaj ripërtypës që janë të destinuar të hanë e të mbllaçitin atë llum-propagandë që na hidhet si silazh në grazhd?

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›