E Diel, 1 Nëntor 2026

Jonida Tashi



Jonida Tashi

Kandidatët për studentë, që do të aplikojnë në fazën e tretë të pranimeve në universitete duhet të bëjnë më saktësi llogarinë e mundësive që kanë, në mënyrë që të konkurrojnë. Gara për tu shpallur fitues nis që me mirërenditjen e preferencave në formularin A3. Specialistët e arsimit shpjegojnë se para se të rendisni preferencat duhet të bëni krahasimin e pikëve të marra në listat përfundimtare të fituesve me pikët e fituesit të fundit në fazën e dytë për degën ku dëshironi të aplikoni. Në këtë moment, ju do të keni një ide se çfarë programesh studimi duhet të zgjidhni brenda 10 të mundshmeve. Pas kësaj, formoni një listë, ku programet e studimit i rendisni jo vetëm sipas preferencave, por edhe mundësisë që ju keni për të fituar në këto preferenca. Për maturantët që, edhe pse kanë konkurruar nuk kanë fituar një të drejtë studimi, preferenca e parë duhet të jetë dega në të cilin ata kanë marrë më shumë pikë.
Renditja
Renditja e preferencave në këtë fazë të fundit pranimesh nuk duhet të bëhet më vetëm sipas preferencave, por sipas rendit zbritës të pikëve. Që të shpalleni fitues në njërën prej 10 mundësive të kërkuara maturantët duhet të përzgjedhin një kombinim të mirë të degëve, duke pasur parasysh edhe vendet e lira që ato kanë në dispozicion. Mundësitë për tu shpallur fitues në këtë fazë në fakultetet e preferuara janë më të shumta për maturantët që kanë marrë pikët maksimale dhe janë më afër kufirit të pranimeve. Ky kufizim diktohet nga vetë fakti se në fakultetet e preferuara siç janë për shembull ato të Universitetit të Tiranës janë vetëm 5 kuota që hapen dhe kjo krijon një mundësi jo për shumë studentë, por vetëm për ata që tashmë kanë pikët maksimale dhe për arsye, jo vetëm merite, por dhe administrative nuk kanë arritur të kualifikohen.
Formulari
Formulari A3, i cili është i personalizuar, pasi çdo formular ka emrin e kandidatit, që ka bërë kërkesë për plotësimin e tij dhe do të jetë i njëjtë me atë A2. Formulari A3 përmban të gjitha kuotat e paplotësuara në universitete si dhe ato të shtuara sipas degëve, me udhëzim të ministrit të Arsimit, Fatos Beja. Ky formular mundëson orientimin dhe aplikimin për programin e studimit të preferuar nga kandidati, në bazë të pikëve të fituara dhe të pikëve të fituesit të fundit. Është e detyrueshme që të mbushen të 10 kutitë e preferencave, ndryshe formulari quhet i pavlefshëm. Nëse nuk keni 10 preferenca, kutitë mund ti plotësoni me tre zero (0). Të gjitha Drejtoritë Arsimore në vend kanë tërhequr dje në MASH formularët A3.
Plotësimi i këtij formulari nis që nga dita e sotme dhe përfundon në datën 27 tetor.

22 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›