E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lutaj: Tirana do të jetë peshorja më e mirë për Flamurtarin

Nga ELTON NIKA

Trajneri vlonjat e sheh kundërshtarin e radhës si rivalin kryesor dhe do të jetë ndeshja më e vështirë për kuqezinjtë

Trajneri i Flamurtarit, Edmond Lutaj, është i qartë në fjalët dhe idetë e tij për ndeshjen e radhës ndaj Tiranës, duke e quajtur këtë të fundit një përballje rivalësh. Për Lutajn, kjo është përballja më e vështirë në kampionat për Flamurtarin, por sipas tij, e tillë duhet konsideruar edhe nga kundërshtari. Në fjalët e tij, trajneri vlonjat pranon se tashmë Flamurtari ka nisur të jetë ekipi që ai kërkon, por përballja me Tiranën do të tregojë qartë se deri ku është arritur.

Unë kam nisur të mendoj për ndeshjen ndaj Tiranës qysh pas përfundimit të 90 minutave me Kastriotin dhe kjo është e natyrshme. Të njëjtën gjë ua kam bërë të ditur edhe futbollistëve, të cilët duhet të kuptojnë se kur përfundon një takim, nuk duhet menduar më për të, por thjesht të analizohen problemet e hasura, me qëllim që të mos përsëriten në ndeshjen e radhës.

Tirana është një nga ekipet më të mira të vendit dhe këtë e tregon qartë historia e këtij ekipi, por më duhet të them se kështu konsiderohet edhe Flamurtari. Përballjet mes këtyre dy ekipeve kanë qenë përherë të mbushura me emocione dhe këtë e kam provuar edhe vetë në fushën e lojës, ndaj më duhet të them se duhet të jemi plotësisht të përgatitur për të përballuar një sfidë të vështirë, thekson numri një i pankinës vlonjate.

Objektivi Prej ndeshjes me Teutën dhe me Kastriotin, kam parë Flamurtarin që ka nisur të jetë ai që kërkoj, me ndonjë përjashtim si ai që thashë pas ndeshjes me krutanët, ku nëse jemi në avantazh, nuk duhet ti japim terren kundërshtarit dhe kjo duhet të harrohet në sfidën e ditës së diel. Mendoj se jemi gati për këtë sfidë për të dhuruar një paraqitje cilësore dhe pa dyshim kështu mendoj se do të ndodhë. Grupi i futbollistëve është pothuajse i plotë dhe kjo është diçka pozitive për një ekip.

Më vjen mirë që do të luhet edhe nën dritën e projektorëve, pasi sportdashësit kanë mundësinë të ndjekin një sfidë të bukur. Natyrisht, që kemi objektivin tonë për këtë ndeshje dhe fitorja është, të cilën do ta synojmë fort. E vlerësojmë kundërshtarin për aq sa meriton, por Flamurtari, nëse cilësohet pretendent, këtë duhet ta tregojë në fushën e lojës ndaj Tiranës, – përfundon trajneri i Flamurtarit, Edmond Lutaj.

Ndryshimi i ditës ndryshon programin
Zhvillimi i takimit ditën e diel ndryshon programin stërvitor të Flamurtarit. Ekipi vlonjat ishte përgatitur për të luajtur të hënën, por pas konfirmimit se luhet të dielën pasdite, ka ndryshuar edhe programin stërvitor. Trajneri Lutaj ka saktësuar se stërvitja do të kryhet për dy ditë më radhë me dy seanca dhe kjo ndikohet nga zhvillimi i ndeshjes një ditë përpara parashikimit apo asaj që kishin menduar në Vlorë. Sipas Lutajt, diçka e tillë do të sjellë edhe një regjim tjetër për futbollistët e Flamurtarit, duke iu bashkuar programit stërvitor të iniciuar nga stafi teknik.

Vlonjatët ca në Kupë, ca në stërvitje

Flamurtari ka startuar përgatitjet në kuadër të ndeshjes së ditës së diel në kryeqytet përballë Tiranës, ndërsa Lutaj e ka ndarë ekipin në dy pjesë. Nën drejtimin e tij kanë vijuar përgatitjet të gjithë ata futbollistë të cilët kanë luajtur titullarë në ndeshjen e fundit dhe nuk janë aktivizuar në ndeshjen e kthimit në kupë. Stërvitja e ekipit të drejtuar nga Lutaj është zhvilluar në fushën e re me bar sintetik pranë bregdetit, ndërsa pjesa tjetër e ekipit është përqendruar pasdite në ndeshjen e kthimit përballë Bilisht Sportit.

Urdhri i ri: Mos nxitni konflikte në media!
Rregull i ri për intervistat te Flamurtari. Ndërsa prej një jave është përcaktuar se futbollistët që do të jenë në dispozicion të medias do të përcfaktohen nga trajneri, tashmë ka edhe një tjetër udhëzim. Në dhënien e prononcimeve për mediat, futbollistët janë udhëzuar të mos lëshojnë deklarata që nxitin probleme me ekipet e tjera, apo të krijojnë konflikte në prag të ndeshjeve për kampionat.

Duke parë zhurmën e madhe që është krijuar sezonin e kaluar, ku rivaliteti i ashpër mes Flamurtarit dhe Skënderbeut nxiti deklarata të shumta, drejtues të ekipit kanë menduar tashmë të zbatojnë një strategji të re. Kështu, në deklaratat e tyre mësohet se futbollistët janë udhëzuar të jenë të qetë dhe të flasin veç për përgatitjet e ekipit të tyre, por në të njëjtën kohë edhe të mos lëshojnë deklarata që mund të sjellin acarim të situatave në prag të takimeve për kampionatin. Kjo është diçka e re që ka nisur të zbatohet këtë vit, ku drejtues të Flamurtarit synojnë veç të sjellin qetësi në kampin e tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›