Ndeshjet në transfertë po kthehen në tabu për Dinamon
Futbollistët e rinj kanë rënë një herë pre e presionit të tifozerive kundërshtare, në Pogradec mendohet një tjetër skuadër
Dinamovitët do të përballen këtë javë me Pogradecin, debutues në ligën superiore. Pas humbjes në premierën ndaj Apolonisë në Fier, Dinamo zhvilloi një ndeshje të mirë ndaj korçarëve, një barazim që u vlerësua si fitore për shumë arsye. Por duket se ajo që pritet ndodhi, dinamovitët me një kontigjent futbollistësh të rinj, duke veçuar kapitenin Kuli dhe ndonjë tjetër, nuk ka arritur të mposhtë presionin e tifozerisë beratase.
Edhe pse ndeshja luhej në fushën asnjanëse të Lushnjës, frika mbizotëroi në elementin e ri. Sigurisht, nga ndeshja në ndeshje këta futbollistë do ta rritin besimin dhe mund të përballojnë me sukses jo vetëm ndeshjet në shtëpi, por edhe në transferta të vështira. Gjithsesi, një tjetër provë e vështirë është ajo e javës në vijim në Podragec, kur përballë Dinamos do të jetë Pogradeci vendës, i drejtuar nga Çekiçi.
Edhe në këtë sfidë mund të ketë probleme me tifozerinë vendese, edhe pse jo të gjitha fushat duhet të paragjykohen. Ngjarjet e shëmtuara në Lushnjë nga ana e tifozerisë beratase smund të jenë njësoj në të gjitha stadiumet. Për më tepër, tifozeria dhe qyteti i Pogradecit njihen për kulturën e tyre, edhe pse futbolli ka nervozizëm brenda 90 minutave.
Euforia është një tjetër armik i Dinamos, por që pritet që të luftohet fortë nga ana e trajnerit me eksperiencë Faruk Sejdini, i cili edhe gjatë javës së kaluar ka paralajmëruar futbollistët e tij se askush të mos tregojë shenja mendjemadhësie, në të kundërt do të dalë fishek nga fusha e blertë.
Liderët Futbollistë si Bekim Kuli, Erald Deliallisi, por edhe futbollistë të tjerë, duhet të jenë ata që do të drejtojnë skuadrën në fushën e blertë, qoftë edhe nga ana psikologjike. Lojtarët e rinj kanë nevojë për përkrahjen dhe eksperiencën e tyre në të gjitha momentet. Çdo këshillë gjatë momenteve të tensionuara do të jetë tepër e rëndësishme për të kaluar situata të agravuara. Kur do të luhet java e 4-t e superiores, Dinamo ende se ka provuar shijen e fitores së parë. Në Pogradec Xhaxhi mund të tentojë surprizën, por është tepër e rëndësisshme që gjërat të shkojnë në mënyrën e duhur.
Stërvitja Blutë janë ndarë në dy grupe. Njëra pjesë e skuadrës është stërvitur paradite, pra ata që mendohen që mund të aktivizohen në Pogradec. Ndërkohë, pjesa tjetër e grupit është aktivizuar në ndeshjen e orës 15:30, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë ndaj Vlorës. Blutë kanë fituar në tavolinë në ndeshjen e parë dhe kësaj radhe në të dytën në fushën e blertë, pas golave të Dajës, Lalës dhe Berberit.
Në radhët e Dinamos ka konkurrencë tepër të fortë për një vend titullari. Pavarësisht se lojtarët me eksperiencë janë të gërshetuar me grupin e ri, numri i madh i organikës ka shtuar edhe rivalitetin. Gjithsesi, do të jetë trajneri Faruk Sejdini ai që së bashku me stafin e tij, Artan Mërgjyshi dhe Ilir Bozhiqi, në vendime kolegjiale do të bëjë selektimin e skuadrës nga ndeshja në ndeshje.
