Kokëdhima: Trajneri Nica është në krye të Apolonisë
Pas vendimeve disiplinore të Komisionit të Disiplinës dhe thashethemnajave të përhapura në mjedisin sportiv, se trajneri Stavri Nica është larguar nga stoli fierak, zhvilluam një bisedë me presidentin e nderit të Apolonisë, zotin Koço Kokëdhima, i cili për problemet në fjalë, na tha:
Si e konsideroni masën ndëshkimore prej 7 milionë lekësh të vjetra për Apoloninë?
Është një vendim shumë i drejtë, mund qe edhe më i rëndë. Sjellja e tifozëve të Apolonisë ishte e papranueshme për çdo rregullore futbolli, e papranueshme për qytetërimin e sotëm. Këto lloj sjelljesh nuk mund të justifikohen, as me një gjykim të poshtër që bëhet në një ndeshje.
Në media është raportuar se Apolonia është pa trajner. Nica nuk ka qenë në stërvitje dhe është shprehur, që nuk do të merret më me futboll?
Stavri Nica është një trajner me cilësi të shkëlqyera. Gjatë këtyre 10 viteve që jam marrë me sport, kam takuar shumë njerëz të mirë. Kam patur fatin e lumtur që të njoh dhe të bashkëpunoj me trajnerët Faruk Sejdini, Ilir Spahiu, Vangjel Capo, Dhimitër Papuçiu, Gert Haxhiu e të tjerë, që smund ti përmend dot të gjithë. Trajneri që më ka lënë mbresat më të veçanta, është pa dyshim Stavri Nica. Është trajneri më kompetent që kam njohur. Jam i lumtur me punën që ai po bën në drejtimin e Apolonisë.
Trajneri Nica është dënuar nga Disiplina me 3 muaj pezullim?
Dënimi i Nicës është veprimi më i padrejtë që ka dhënë Disiplina. Ai nuk meriton asnjë ditë dënim. Sigurisht që klubi ynë do ta apelojë masën disiplinore ndaj Nicës. Futja e tij në fushë e shpëtoi arbitrin dhe ndeshjen, nga degjenerimi në një situatë të plotë dhunë. Unë pashë sjelljen e dënueshme të Gërxhos, i cili është një djalë shumë i qetë dhe kurrë nuk ka dhënë shenja dhune në fushën e blertë. Sjellja e tij në këtë ndeshje doli jashtë kontrollit dhe po shkonte drejt një atakimi fizik me arbitrin kryesor të ndeshjes. Vetëm ndërhyrja e Nicës e shmangu këtë ngjarje, sepse ishte qetësuese. Zyrtarët e FSHF-së duhet të shpjegojnë burimet dhe shkaqet e vërteta të asaj situate. Do ta ndjekim deri në fund këtë çështje, me shpresën që FSHF të reflektojë dhe të vërë para përgjegjësisë shkaktarët e atij tensioni.
Në tri javë Apolonia ka marrë 4 pikë, a jeni i kënaqur me këto rezultate?
Unë nuk jam i kënaqur me lojën që ka zhvilluar Apolonia. Lojtarët duhet të japin më shumë në fushën e blertë, të rritin kërkesat ndaj vetes, ti shërbejnë skuadrës dhe jo të sillen në mënyrë krejt të pakualifikuar. Pashë sjellje mjaft të këqija nga Gërxho, nga Meto, nga Mehmetaj, nga Ribaj. Këta ishin lojtarët më me përvojë të skuadrës, që patën një sjellje individualiste, të dobët dhe të pashpjegueshme. Lojtarët humbnin dyluftimet, rrjedhimisht edhe kontrollin e topit duke ia dorëzuar kundërshtarit kryesisht në zonën e mesfushës. Në këtë ndeshje që unë kam parë, lojtarët që përmenda ishin më problematikët dhe më të dobtët në fushën e lojës. Këta janë shkaktarët e mosrealizimit të rezultatit.
Sipas jush, kjo Apoloni, ka ende për të treguar fytyrën e saj të vërtetë?
Këto janë çështje që mund ti diskutojnë më mirë teknikët. Unë mund të flas vetëm për atë që pashë në ndeshjen e fundit në fushën e lojës.
Çfarë do të ndodhë me Stavri Nicën, do të vijojë ai të jetë në krye të Apolonisë, apo do të kërkoni një trajner tjetër?
Unë nuk mendoj aspak për trajner tjetër. Nica është trajneri në detyrë. Unë kam folur me të në telefon dhe ai ka të drejtën e tij të reflektojë mbi këtë situatë, mbi rezultatet e ndeshjeve, mbi sjelljet e këqija të disa tifozëve, të cilat janë absolutisht në dëm të Apolonisë. Janë disa kultura primitive që vazhdojnë të jetojnë në atë qytet. Stavri është në detyrë. Ai do të qëndrojë në krye të Apolonisë, sepse është më i miri nga trajnerët që kam njohur. Nica ka mirëkuptimin tim dhe të presidentit Baftjar Zeqo për këto ditë që nuk ka qenë në krye të skuadrës.
