E Diel, 1 Nëntor 2026

Lutaj kthen shpejt pllakën: Me Vllazninë nuk na falet!

Nga ELTON NIKA

Trajneri i Flamurtarit ka mbetur i zhgënjyer nga humbja në kupë, ndaj kërkon që në fundjavë në kampionat të fitohet patjetër

Flamurtari i është rikthyer ditën e enjte paradite seancave stërvitore, ndërsa kjo ka qenë stërvitja e vetme e kryer nga ekipi vlonjat pas humbjes në Kupën e Shqipërisë përballë Kamzës. Pavarësisht se kërkohej një fitore në Kupën e Shqipërisë, diçka e tillë nuk ka ndodhur dhe tashmë duhet menduar për kampionatin.

Trajneri i Flamurtarit, Edmond Lutaj, është ndier shumë i zhgënjyer nga humbja, por sipas tij, duhet të vijohet përpara, duke menduar për ndeshjen e ditës së shtunë në kampionat, përballë Vllaznisë. Natyrisht që jam i mërzitur dhe i zhgënjyer për humbjen në kupë, mbi të gjitha për faktin se kemi zhvilluar një ndeshje të dobët. Kam aktivizuar lojtarë që kanë luajtur më pak minuta në kampionat dhe për këtë qëllim prisja më shumë prej tyre në ndeshjen e kupës, por nuk ka ndodhur kështu, ndaj jam i zhgënjyer nga paraqitja që kemi bërë në Kamzë.

E kisha shprehur se synimi ynë ishte fitorja në tri ndeshjet e para dhe kjo për qëllimin që mendonim të ishim më të qetë për sa i përket kualifikimit. Gjithsesi, kjo humbje nuk ndryshon asgjë në objektivat e Flamurtarit dhe pa dyshim që synimi i Flamurtarit në këtë kompeticion është tashmë vendi i parë në grup, një objektiv më se i realizueshëm, pohon Lutaj.

Vllaznia Vëmendja kalon te kampionati. Tashmë mund të flitet për Vllazninë dhe dihet se objektivi ynë për ndeshjen e radhës në kampionat është vetëm fitorja. Asnjë rezultat tjetër nuk mund të lejojmë për ndeshjen ndaj shkodranëve, pasi komprometojmë objektivat e ekipit, ndaj të gjithë vëmendjen e kemi te ky takim. Dihet se është një ndeshje e vështirë, përballë një ekipi me mjaft emër në futbollin shqiptar, si Vllaznia, por të mos harrojmë se edhe ne jemi Flamurtari, një ekip po me traditë dhe me histori.

Ditën e shtunë besoj se do të jetë një ndeshje e bukur dhe me këtë rast ftoj edhe sportdashësit të jenë të shumtë të pranishëm në shkallët e stadiumit për të përkrahur ekipin e tyre drejt fitores, – përfundon trajneri i Flamurtarit, Edmond Lutaj.

Flamurtari, asnjë prononcim dy ditë para ndeshjes

Futbollistët e Flamurtarit nuk mund të japin deklarata dy ditë përpara çdo ndeshjeje në kampionat. Prej së hënës deri ditën e enjte gazetarët dhe mediat mund të komunikojnë me futbollistët, sipas një grafiku të përcaktuar, ndërsa pas kësaj dite deri në zhvilimin e ndeshjes së radhës asnjë futbollist nuk do të ketë mundësinë të komunikojë apo të japë intervista për mediat sportive. Rreth një javë më parë, përpara takimit me Pogradecit, nga stafi teknik i ekipit vlonjat u vendos heshtje shtypi, ndërkohë që tashmë ka nisur të aplikohet një tjetër metodë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›