Propozimi, 800 kuota shtesë për part-time
Universiteti i Tiranës ka propozuar 800 kuota shtesë për sistemin me kohë të pjesshme, për të cilin këtë vit ka pasur kërkesa të shumta. Propozimi i është dërguar Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës dhe pritet që për pak ditë ta kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave. Kuotat janë shpërndarë pasi kërkesat ishin të shumta dhe niveli i të paraqiturve për sistemin me kohë të pjesshme ka qenë më i lartë se në vitet e kaluara. Rritja e mundësisë së Universitetit të Tiranës për të pranuar kuota shtesë duket se do të ndihmojë edhe në prioritetin qeveritar për masivizimin e arsimit të lartë në Shqipëri.
Kuotat shtesë
Kuotat e propozuara nga rektorati i Universitetit të Tiranës i janë paraqitur dy ditë më parë Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës. Në to parashikohen 400 kuota shtesë në Fakultetin e Drejtësisë dhe nga 100 kuota shtesë në katër degë të tjera, përkatësisht: Gjuhë-Letërsi, Ekonomik, Histori dhe Gjeografi. Shtesat janë kërkuar për shkak të situatës ku kërkesa ka qenë mjaft e lartë, sipas rektorit të Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule.
Ai ka saktësuar edhe për arsyen e rritjes drastike të kuotave në Fakultetin e Drejtësisë. “Ne kishim propozuar 600 kuota për Drejtësinë, por u miratuan vetëm 200 nga Këshilli i Ministrave, për shkak të kushteve që ndodhej fakulteti. Por tani, që qeveria ka bërë të mundur zhvendosjen në disa mjedise shumë herë më të mira dhe më të mëdha, si edhe për shkak të faktit që është dyfishuar numri i pedagogëve, ekzistojnë të gjitha mundësitë për të përballuar pa asnjë problem këtë numër. Kjo është arsyeja që besoj se edhe Këshilli i Ministrave do të pranojë kërkesën për 800 kuota shtesë”, – tha rektori Kule.
Kërkesat
Këtë vit, kërkesat për sistemin me kohë të pjesshme ishin mjaft të mëdha. Vetëm në Fakultetin e Drejtësisë konkurruan mbi njëmijë e dyqind persona për 200 kuotat e këtij fakulteti, ndërkohë që një prej arsyeve që pritet të ndikojë në miratimin e këtij vendimi është edhe cilësia e aplikantëve. Burime nga Universiteti i Tiranës bëjnë të ditur se prej vitesh nuk ka pasur një fluks të tillë studentësh dhe një nivel kaq të lartë aplikantësh.
“Këtë vit limiti i fundit i pranimeve në këtë fakultet ishte nota 8.42, çka nuk ka ndodhur në vitet e kaluara në sistemin me kohë të pjesshme”, – bëri të ditur drejtori i Komunikimit në Universitetin e Tiranës, z. Ervin Demo. Në këtë situatë, universiteti më i madh në vend u gjend i detyruar për të kërkuar më shumë kuota, duke qenë se edhe numri i pedagogëve dhe mjediset e tij janë përmirësuar ndjeshëm.
Kuotat
Juridik 400
Ekonomi 100
Histori 100
Gjeografi 100
Gjuhë-Letërsi 100