E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria dhe terrorizmi

Në të gjitha periudhat e historisë, persona me reputacion të lartë falë dominancës së tyre, kanë frymëzuar, udhëhequr apo administruar grupime sociale, popuj e më gjerë, raca njerëzore e religjione. Në vartësi të mënyrës së sigurimit të reputacionit maksimal, përmes rastësisë historike, momentit spekulativ a të virtytit të lindur, personat liderë kanë orientuar shoqërinë drejt evenimenteve shumë përfshirëse. Në autorësi direkte të figurave maksimale numërohen më tepër vepra e zhvillime madhore pozitive saqë ato disa herë kanë qenë caku i fillimit të epokave të reja historike e kulturore. Liderëve maksimalë u është dorëzuar shpresa e madhe e një mase sociale, besimi i dhënë u ka siguruar atyre veprimin e ndërsjellë për të konkretizuar realizimin e aspiratave. Nga ky bashkëpunim zgjohen energji të fuqishme të cilat shumëfishohen kur reputacioni punon apo së paku premton bindshëm grupimeve sociale me të drejta të kufizuara dhe të papërfaqësuar të cilët kanë akumuluar urrejtje ndaj trajtimit që i është bërë deri atëherë. Liderët me reputacion të lartë disponojnë kodet filozofike për administrimin racional të entuziazmit dhe të forcës e vullnetit për ndryshime, ndaj ato gjithnjë janë objektivi në vëmendje të konservatorizmit tradicional si dhe të rivaliteteve të ethshme politike. Kundërvënia ndaj politikave të reja qeverisëse shpesh kalon cakun e luftës institucionale dhe hidhet në veprime konkrete amorale e agresive. Në këtë mënyrë disa herë është arritur të realizohen reversibilitete që kanë transformuar entuziazmin e masave në deziluzion shkatërrimtar. Shembulli më tipik i një fenomeni të tillë ka qenë Revolucioni Francez i vitit 1789. Sot, në role të tilla, gjendet tepër i gatshëm terrorizmi si një luftë e vërtetë që ka ndryshuar kodin gjenetik dhe është në gjendje të shkatërrojë shtete, duke nxitur turbullime psikologjike dhe veprime konkrete brenda tyre. Strategjia e terrorizmit është kualifikuar duke u paraprirë veprimeve me investime propagandistike kryesisht për të fetishizuar imazhin e politikanëve liderë që kanë marrë përsipër ndryshime rrënjësore tepër pozitive në drejtimin e shteteve. Në një fazë të dytë, koalicionet konservatore-terroriste vënë në objektiv e godasin pikërisht udhëheqësit e shpresave të mëdha për ndryshime, këto veprime të fundit realizohen nga individë pa përfaqësim të qartë, ndaj dhe përgjegjësitë shpesh mbeten të supozuara larg autorësisë së vërtetë. Këtu shënohet pika kulmore e zemërimit të shtresave të gjera, të cilat energjitë pozitive të dedikimit i kthejnë në veprime shkatërrimtare deri dhe instiktive. Goditja e liderëve me reputacion të mistifikuar sot është rreziku më eminent për të dobësuar dhe dëmtuar shtete prestigjioze, tepër të fuqishme, pasi potencialet klasike dhe arsenalet moderne të tyre janë ineficiente për stabilizimin e gjendjes në rastet e anarkive të brendshme masive. Në këto dekadat e fundit shembull vatrash të tilla shkatërrimtare numërohen shumë. Ato kanë mbetur pa përcaktimin e autorëve të vërtetë të prapaskenës, pasi koalicionet terroriste janë globalizuar dhe bashkëveprojnë në unison me fanatizmin oriental, komunizmin në prapambetje e me racizmin ekstrem. Terrorizmi kohët e fundit ka siguruar epërsi territoriale në të gjithë rruzullin, sepse qeveritë, si dikur principatat, fshehin ndaj njëra-tjetrës rivalitete meskine, për rrjedhojë, dhe organizmat ndërkombëtarë në kundërvënie të këtij fenomeni shkatërrimtar kanë ngelur në status të vjetruar dhe shpesh butaforike. Në çdo rast që është vendosur embargo për ndonjë shtet me prirje terroriste, masat kanë qenë mjaft të zbehta e mjaft formale, çka është shfrytëzuar nga qeveritë e ndëshkuara për të justifikuar para popullit të tyre varfërinë duke propaganduar urrejtje ndaj vendeve të Perëndimit dhe nga ana tjetër, me këtë masë është nxitur dhe kontrabanda që shkon në favor të qeveritarëve. Meqë nuk është arritur të institucionalizohet një front serioz unik ndaj vendeve që inspirojnë e organizojnë terrorizmin, politika e madhe po përdor formulën naive të identifikimit të këtij fenomeni me emra individësh të përveçëm, të cilët nuk dihet saktë nëse ekzistojnë apo jo. Në këtë situatë, kur terrorizmi ndërkombëtar gjendet një hap para antiterrorizmit, goditja e figurave me përfaqësim vërtet të gjerë përbën një mundësi reale për dobësimin maksimal të shteteve që mbajnë barrën e ekuilibrave botërorë. Vendi ynë për arsye e shkaqe të qarta nuk konsiderohet i kërcënuar nga të tilla strategji shkatërrimtare, pasi akoma jemi në pritje të përfaqësimit të munguar në shekuj. Duke qenë pak të konsideruar tek ne, terrorizmi zhvillohet në një formë krejt ndryshe latente si antipatriotizëm, nëpërmjet denigrimit të figurave të mëdha kombëtare si dhe të gjeo-historisë së trevave tona.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›