E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Filozofi klinik”

Kemi mësuar se filozofi është një mendimtar, dijetar, që merret me problemet filozofike, por një mik mi, që ka mbaruar për gjuhësi në Amerikë, më shkroi me nënshkrimin “Filozof klinik”.

I bëra një pyetje gjithashtu një miku tim që ka studiuar në Itali se a është berberi filozof klinik, duke e “rrezikuar” pak idenë për “poseduesin” e dijeve filozofin dhe duke iu larguar teorisë standarde për fushën, e cila e përcakton pak a shumë në një formë tjetër filozofinë dhe filozofin.

Më shkroi se është një pyetje pak e vështirë për t’u përgjigjur, megjithatë edhe nga një berber mund të dëgjosh diçka interesante!

Ishte e çuditshme për mua, në rastin e gjuhëtarit, pasi ai që merret me gjuhën, jemi mësuar ta quajmë gjuhëtar, por kemi harruar se gjuhëtari ka edhe një rol tjetër.

Ata futen edhe klinikisht në psikikën dhe mendjen tonë me dijet e tyre me anë të gjuhës.

Në këtë kontekst, edhe artisti është “filozof klinik”, pasi nëpërmjet artit të tij ai ndikon fuqishëm në psikikën tonë, duke na krijuar ndjenja dhe emocione pozitive, negative dhe bile dhe duke na përmirësuar ose kuruar mendjen dhe psikikën.

Krahas artistit, ka edhe fusha të tjera të shkencave shoqërore të cilat kanë impakt mbi psikikën tonë, duke na krijuar një gjendje të tillë e cila merr edhe natyrën klinike, gjithmonë pa harruar mjekun neurolog e psikiatër, psikologun klinik ose psikoanalistin, të cilët kanë një profesion të tillë klinik.

Edhe psikologu, sociologu janë “filozofë klinikë” pa ngatërruar termat, pasi dy fushat kanë kohë që janë ndarë, pasi ato ndikojnë tek shoqëria dhe tek psikika njerëzore me dijet e tyre.

Por mbi të gjitha, gjuhëtari është një filozof klinik i vërtetë, pasi ai nëpërmjet gjuhës futet tek ne edhe në forma klinike.

Poeti e shkrimtari kanë natyrën e “filozofit klinik”, pasi ata ndikojnë fuqishëm në mendjen tonë në ndjenjat tona.

“Poezia dhe muzika janë balsam dhe ushqim për shpirtin”.

Prandaj poeti e muzikanti, piktori, skulptori, dramaturgu, humoristi janë “filozofë klinik” të cilët ndikojnë tek psikika jonë dhe dijet tona.

Arti është një lloj gjuhe e huaj, shpesh në vetvete.

Edhe një seri “zanatesh” si berberi, rrobaqepësi ndikojnë tek psikika dhe dijet tona dhe pa frikë mund të quhen “filozofë klinikë”, pasi kanë një lloj filozofie dhe transmetojnë disa dije të niveleve të ndryshme ose ndërhyjnë me zanatet dhe aftësitë e tyre tek dijet dhe psikika dhe mendja jonë.

Berberi p.sh. jo vetëm që flet gjatë qethjes dhe thotë edhe diçka interesante, por ai me ndërhyrje që bën në pamjen tonë ka një ndikim të madh në krijimin e një gjendje të mirë dijesh dhe psikike.

Prandaj njeriu ndihet mirë mbas të qethurit, pasi berberi ka ndikuar psikikisht e filozofikisht tek psikika dhe mendja e tij.

Ai mund të jetë edhe një psikolog klinik, por mua më pëlqen ta quaj “filozof klinik”, jo në kuptimin “akademik” të fjalës.

Njëkohësisht, ai është edhe “artist” jo i mirëfilltë, se bën diçka dhe në këtë logjikë mund ta quajmë pa frikë “filozof klinik”.

Gjithashtu, edhe rrobaqepësi shpesh ka të njëjtin rol mbi mendjen dhe psikikën tonë.

Por një “ndërhyrje” të fuqishme bën nëna tek fëmijët edhe ajo është “filozofe klinike”, pasi përdor fjalën dhe zërin e saj për edukimin dhe qetësimin e fëmijëve të vegjël ose edukimin e fëmijëve të rritur.

Gjithashtu prestigjatori dhe magjistari janë “filozofë klinikë”, por edhe psikologë klinikë.

Duke e “ekzagjeruar” pak termin, edhe kafshët e shpendët shpesh janë “psikologë e filozofë klinikë”.

Njeriu nëpërmjet sjelljeve të tyre përfiton shumë nga ana psikike e filozofike.

Ato thonë diçka. Ato komunikojnë, japin një mesazh dhe mendoj se ndoshta empatia i bën ato, që do të thotë krijim i ndjenjave të tyre nga njeriu, e që do të thotë një filozofi e psikologji e caktuar, pasi është e lidhur me dijet dhe psikikën njerëzore.

Por në këtë komunikim midis tyre, njeriu ka ndërgjegjen dhe vetëdijen dhe ndërhyrja e kafshëve në mendjen dhe psikikën njerëzore është në rrafshin e “pavetëdijes” në bazë të disa instinkteve dhe reflekseve të kushtëzuara të cilat ia krijon, po vetë njeriu, pra ato janë nën kushtëzimin dhe ndikimin po të dijeve dhe psikikës njerëzore.

Gjithashtu edhe ambienti dhe natyra janë “filozofë klinikë” të fuqishëm.

Natyra sidomos ndikon klinikisht tek mendja dhe shpirti ynë.

Natyra është psikologia dhe filozofja më e madhe dhe më “e ditur”. Ajo komunikon me njeriun dhe natyrisht po njeriu me anë të empatisë krijon emocionet e natyrës.

Edhe simbolika e semiotika, teoria e shenjave, kanë natyrën “klinike” në psikikën e dijet tona.

“Arti dhe natyra”, gjetjet dhe libri i M. Trepçit me të njëjtin titull, na japin të drejtën të mendojmë në këtë formë pak “ekstravagante”.

Zogu i shenjë, i gjetur nga autori është filozofi i fluturimit, i lirisë, i së bukurës, i shenjës, semiotika.

Gjithashtu edhe figurat e tjera, që kanë rolin e “shenjave”, transmetojnë elemente të filozofisë klinike dhe semiotikës.

Artisti, i cili ka realizuar gjetjet në drurin e ullirit, quhet “filozof klinik”, si çdo artist tjetër që me anë të ngjyrave dhe tingujve jep mesazhe artistike e filozofike.

Pra kanë një kod dhe gjuhë dhe transmetojnë një mesazh si vepra të vërteta arti.

Gjithashtu, edhe punët e artit me shtiza të znj. Hajrie Maçi, kanë natyrën klinike dhe terapeutike që është ergo terapi.

Edhe punët e saj kanë një gjuhë të veçantë dhe japin gjithashtu një mesazh të veçantë.

Krahas vlerave të padiskutueshme artistike si një art i një lloji të veçantë, artistja është gjithashtu edhe “filozofe klinike”, pasi me punët e saj ndërhyn në dijet dhe psikikën tonë në një formë shumë domethënëse.

Edhe aromat e ndryshme kanë shpesh një rol klinik dhe ndërhyjnë në dijet dhe psikikën tonë dhe mund të kenë rolin e një “filozofi klinik” dhe psikologu klinik pasi është mendja jonë që i krijon apo percepton ato.

Edhe kompjuteri është një “filozof”, bile edhe një psikolog i mrekullueshëm klinik.

Edhe procesi i komunikimit ka “natyrën klinike”, në momente të caktuara.

Të folurit krijon bashkësinë njerëzore. Mbi bazën e këtij fakti ndërtohet edhe komunikimi.

Biseda ka elemente klinike, gjithashtu sjelljet ndërhyjnë shpesh klinikisht tek ne.

Për të mësuar se çfarë mendon njeriu, cilat janë cilësitë e tij, për të mundësuar zhvillimin e personalitetit të vet, njeriu ka nevojë për dialog, që shpesh ka natyrën klinike, deklarimin e ndërsjellë të deklarimit që është fedd-back-u e që është gjithashtu një ndërhyrje klinike në mendjen tonë.

Njeriu realizohet në bisedë dhe dialog dhe zhvillon një proces edhe klinik.

Komunikimi i ngjyrave dhe tingujve loz një rol të padiskutueshëm po klinik në psikikën dhe mendjen tonë.

Format kanë natyrën klinike. Teoria “komunikohet”, që do të thotë se komunikohet me të gjitha mënyrat dhe format, na jep shanse të dalim me disa konkluzione se fenomeni i ndërhyrjeve klinike është i përditshëm në forma verbale dhe jo verbale nga më të çuditshmet, që fillojnë nga të zakonshmet dhe përfundojnë tek ato më të sofistikuarat.

Kjo është vetëm një hipotezë e cila natyrisht krijon debat, por “filozofi klinik” është i pranishëm në çdo moment tek ne, efekte klinike, të cilat ne e kemi të vështirë t’i dallojmë, pasi njeriu është një qenie shumëdimensionale dhe i vetëdijshëm që po zhvillon shkencën dhe jetën në forma marramendëse dhe nuk është gjithnjë i vëmendshëm t’i dallojë këto procese mendore dhe psikike.

Njëkohësisht, kjo hipotezë u jep dijeve, mendjes një karakter më konkret dhe të zakonshëm e “të përgjithshëm”.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›