Josip Kuzhe: “Meritonim të fitonim”
Barazimi dinjitoz me Danimarkën kryesuese ishte një tjetër sprovë e kaluar me sukses nga trajneri kroat i Shqipërisë, Josip Kuzhe dhe një tjetër sinjal të fortë për vlerat e tij dhe ngjashmërinë në “gjeninë” taktike të paraardhësit të tij kroat, Oto Bariç dhe aspak “binjak” me holandezin Ari Han, prej të cilit trashëgoi edhe stolin kuqezi. Me barazimin 1-1 kundër Danimarkës, trajneri Kuzhe arriti të “fitojë” pikën e parë si trajneri i dytë i këtyre eliminatoreve të nisura me holandezin Ari Han, e të shkarkuar pikërisht pas humbjes 3-0 në ndeshjen e parë me danezët në Kopenhagen. “Ne mund ta kishim fituar këtë ndeshje, - tha Kuzhe në konferencën e tij për shtyp, - Isha mjaft i bindur se do të shënonim në pjesën e dytë golin. Skuadra luajti në mënyrë perfekt në pjesën e dytë. Skuadra i zbatoi plotësisht këshillat e mia. Një pikë ndaj Danimarkës është pa asnjë dyshim një rezultat i mirë”. Ndeshja e radhës e Shqipërisë është ajo kundër Suedisë, më 14 tetor në Solna, që mbyll edhe këto eliminatore, fatkeqësisht të mbyllura në vendin e parafundit, pasi Portugalia e Hungaria janë në kuotën e 13 pikëve, teksa kanë dhe dy ndeshje më shumë se ne. SKELA - Kapiteni e “truri” i Kombëtares sonë, Ervin Skela, vlerësoi barazimin dhe këtë meritë e ndau me trajnerin Kuzhe, për ndërhyrjet që ai bëri në skuadër: “Në pjesën e parë nuk treguam shumë, por në të dytën rritëm ritmin. Trajneri në dhomat e zhveshjes këmbënguli për të bërë përpara. Skuadra ka të ardhme. Goli i Bogdanit? E përshëndes dhe uroj që të shënojë edhe herë të tjera”. Ervin Skela (ende pa ekip) dhe Erjon Bogdani (Kievo, Seria A në Itali) janë të dy së bashku në kuotën e 12 golave me përfaqësuesen, dy më pak se rekordmeni absolut, Alban Bushi, 14.
DURO – Mesfushori polivalent, Klodian Duro, një ndër tre lojtarët e aktivizuar në të nënta ndeshjet eliminatore të Botërorit të Afrikës së Jugut, e cilësoi barazimin me Danimarkën, i katërti në nëntë ndeshje për Shqipërinë, si një rezultat të kënaqshëm. “Pjesën e parë e nisëm jo mirë, por barazimi në të pjesën e dytë na bëri që të kontrollojmë lojën. Suksesin ua dedikoj të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen”.
CANA - Lideri i Kombëtares, Lorik Cana, u shpreh i kënaqur pas barazimit të jashtëzakonshëm me Danimarkën (1-1): “Luajtëm mirë dhe e merituam pikën që morëm. Më vjen mirë që Kombëtarja po rritet. Goli i danezëve? Nuk është faji i Ujkanit, mund të jemi të dy fajtorë, pasi në një moment unë kujtova se topi ishte për të, dhe ai të kundërtën”.
DALLKU – Mbrojtësi “rebel” i përfaqësueses, Armend Dallku, “kampioni” shqiptar i kartonëve të verdhë në eliminatoret e Botërorit, 5 kartonë të verdhë në shtatë ndeshje ku është aktivizuar, ia dedikon suksesin në barazimin kundër Danimarkës, familjes së tij e në veçanti, djalit të tij. “Ishim në lartësinë e duhur dhe barazimi ishte plotësisht i merituar. Krijuam raste të pastra për shënim. Kombëtarja po rritet”, - tha mbrojtësi i djathtë kosovar, që ka shënuar edhe një nga pesë golat e përfaqësueses sonë në këto kualifikuese.
SHQIPËRIA ME JOSIP KUZHENË
Zyrtare
Shqipëri-Portugali 1-2
Shqipëri-Danimarkë 1-1
Miqësore
Shqipëri-Gjeorgji 1-1
Shqipëri-Qipro 6-1
Bilanci: 4 ndeshje; 1 fitore, 2 barazime, 1 humbje. Golat: 9-5
Tri barazimet e mëdha
Shqipëria ka arritur në këtë edicion tri barazime të mëdha: 0-0 me Suedinë në Tiranë, 0-0 me Portugalinë në Braga, 0-0 me Maltën e “vockël” në La Valeta dhe tani 1-1 me Danimarkën. Ndeshja e fundit e Shqipërisë është ajo në transfertë me Suedinë, më 14 tetor në Solna.
9 gola në 4 ndeshje
Shqipëria me trajnerin Kuzhe në bankinë, në katër ndeshjet e drejtuara prej tij ka shënuar 9 gola, 2 në ndeshje zyrtare (përfshirë edhe humbjen 1-2 me Portugalinë) dhe 7 në ndeshjet miqësore (1 gol Gjeorgjisë, 1-1 dhe 6 gola kundër Qipros në fitoren 6-1).
11 Shtator 2009