E Diel, 1 Nëntor 2026

Ujërat me Greqinë, Kushtetuesja rrëzon paktin

Debati
Vendimi është marrë dje me shumicë votash nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka vendosur dje të pranojë kërkesën e Partisë Socialiste për çështjen e marrëveshjes së ndarjes së ujërave territoriale midis Shqipërisë dhe Greqisë. Burimet sqarojnë se gjatë mbledhjes së djeshme gjykata i ka dhënë “ok” rinegociimit të marrëveshjes me palën greke. Vendimi mësohet se është marrë me shumicën e votave dhe se që prej këtij momenti vlefshmëria e paktit të ujërave është zero. Shqipëria do të duhet të rinegociojë me Greqinë për të përcaktuar kufirin ujor. Partia Socialiste në kërkesën e saj synonte shqyrtimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Në vendimin e djeshëm duket se Gjykata Kushtetuese nuk e ka gjetur në përputhje me ligjin themeltar duke e hedhur poshtë. çështja e kufijve ujorë ishte një temë shumë e diskutuar për disa muaj rresht. Negociatorët shqiptarë u akuzuan se kishin “falur” një pjesë të konsiderueshme territori për shtetin fqinj. Zyrtarisht, Ministria e Jashtme dhe përfaqësuesit e mazhorancës patën mbrojtur produktin e negociatave duke deklaruar se gjithçka ishte konform konventave ndërkombëtare për ujërat territoriale. Pas kryerjes së votimit në mbledhjen e djeshme, tanimë pritet që të zbardhet vendimi dhe të bëhet publik arsyetimi ligjor mbi të cilin është bërë hedhja poshtë e paktit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›