E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ju lutem prisni një çast të përshtatshëm”

05/03/2009  Aplikimi i Shqipërisë në BE, reagon europarlamentarja gjermane Doris Pack

“Mungesa e një përgjigjeje të shpejtë është më e dëmshme sesa pritja”

Kryetarja e delegacionit për Europën Juglindore në Parlamentin Europian Doris Pack u sugjeron autoriteteve shqiptare që të presin çastin e duhur për të aplikuar për vendin kandidat në Bashkimin Europian. Pack në një prononcim për mediet ka deklaruar dje se Shqipëria duhet të gjejë çastin e përshtatshëm për aplikimin për vendin kandidat në Bashkimin Europian. “Një aplikim të cilit do t’i mungonte përgjigjja e shpejtë e BE-së është më i dëmshëm për vendin sesa pritja për ta bërë këtë gjë në një çast më të përshtatshëm”, - tha Pack. Kjo duket se është edhe përgjigjja e europarlamentares gjermane ndaj deklaratave të bëra nga drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, sipas të cilëve aplikimi për në BE duhet bërë brenda presidencës çeke të BE-së. Megjithëse ka vlerësuar hapat e mëdha përpara që ka bërë Shqipëria në rrugën e integrimit europian, Pack ka theksuar se ky nuk është çasti për të kërkuar statusin kandidat. Europarlamentarja gjermane e ka cilësuar si çast të papërshtatshëm aplikimin e shpejtë në BE, për faktin se në Parlamentin Europian do të zhvillohen zgjedhje dhe prej tyre do të ketë edhe një komision të ri. Sipas Pack, nëse aplikimi për vendin kandidat në BE do të bëhet, për shembull, në muajin prill, atëherë nuk do të merret asnjë përgjigje dhe vendi duhet të presë. “Si një mike e Shqipërisë, mund t’ju them: ju lutem prisni. Dhe mos përdorni këtë për ndonjë manovër politike, pasi kjo gjë nuk ju ndihmon”, - tha europarlamentarja Pack. Sipas saj, më e dobishme është që të presësh dhe të punosh drejt Bashkimit Europian, sesa të kërkosh diçka dhe të mos marrësh përgjigje në kohë. Referuar deklaratave të bëra nga zyrtarët më të lartë shqiptarë, sipas të cilëve presidenca çeke e BE-së është një “moment i artë për aplikimin”, kryetarja e Delegacionit për Europën Juglindore në PE thotë se kjo presidencë nuk mund të bëjë asgjë e vetme, pasi duhet të jenë dakord të 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian. “Aktualisht ne kemi probleme të tjera”, - tha Pack, që shtoi: “Ju lutem prisni. Prisni dhe nëse e bëni në fund të vitit aplikimin, atëherë mund ta merrni përgjigjen vitin tjetër. Kjo do të ishte rruga korrekte.”

Qëndrimi

Presidenti Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha e kanë cilësuar si një moment të artë aplikimin e Shqipërisë për vendin kandidat për në Bashkimin Europian gjatë presidencës çeke. Në deklaratat publike drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar janë shprehur në mbështetje të aplikimit brenda qershorit të 2008, kohë që përputhet edhe me presidencës çeke të BE. Berisha dhe Topi janë shprehur të bindur për hedhjen e hapit tjetër drejt integrimit në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›