E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveri-KLD, rikthehen debatet

05/03/2009  Komisioni i Ligjeve shtyn për javën e ardhshme diskutimet për projektin e Alibeajt

Anëtari i Këshillit Fana riprezanton propozimin për gjykatat administrative

Mazhoranca në Komisionin e Ligjeve ka pranuar për të fundit herë dje shtyrjen e diskutimeve të projektligjit “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”, pas kërkesës së PS-së për ta diskutuar atë në nivel ekspertësh dhe për të marrë parasysh edhe sugjerimet e KLD-së. Anëtarët debatuan deri në atë pikë sa vunë në diskutim vullnetin politik të njëri-tjetrit për të miratuar këtë projekt, ndonëse Ministria e Drejtësisë prezantoi një draft të ri. Sipas ministrit Enkelejd Alibeaj, në të ishin reflektuar sugjerimet e organizatave ndërkombëtare dhe të socialistëve, por ishin përjashtuar ato të KLD-së. Në përfundim, me propozim të kryetarit Ilir Rusmali, komisioni ra dakord për diskutimin e projektit në mbledhjen e 9 marsit, pas konsultimeve të të gjithë ekspertëve në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Konflikti

Konfliktet mes dy institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë në Shqipëri: KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë, po reflektohen në të gjitha llojet e raporteve që mund të kishin ato. Rasti më i fundit është përjashtimi i propozimeve të KLD-së nga drafti i fundit që u paraqit nga Ministria e Drejtësisë në Kuvend për ngritjen e gjykatave administrative. Ato u riprezantuan në komision nga anëtari më i ri i KLD-së Neshat Fana, i cili ofroi ekspertizën e institucionit që përfaqëson për hartimin e një projekti konsensual. Mënyra e organizimit të gjykatave administrative, përbërja e trupi gjykues dhe kriteret për emërimet e gjyqtarëve ishin tri prej çështjeve për të cilat KLD-ja kishte vërejtjet kryesore. “Jeni kundër strukturës së paraqitur: gjykata administrative e shkallës së parë është e organizuar me një gjykatë në Tiranë dhe me seksionet pranë gjykatave të rretheve gjyqësore të vendit. KLD-ja shpreh mendimin se përbërja e trupit gjykues ( 3 gjyqtarë) duhet të rregullohet direkt nga vetë ligji dhe jo t’i lihet në vlerësim trupit gjykues. Lidhur me çështjen e standardeve të emërimit të gjyqtarëve ajo duhet të jetë kompetencë e KLD-së”, - përmendi Fana.

Debatet

Nënkryetari i komisionit Fatmir Xhafaj i kërkoi komisionit marrjen në konsideratë edhe të këtyre propozimeve, në të kundërt PS-ja nuk do të merrte pjesë në procesin në vijim. “Ose votoni një nga kërkesat tona, pra të tërhiqet qeveria nga drafti i saj, ose ngrini një grup ekspertësh për ta rregulluar atë. Ose vazhdoni siç e keni nisur”, - tha ai. Në përgjigje të këtij reagimi është prononcuar kryetari Rusmali, i cili pranoi që Ministria e Drejtësisë dhe të gjithë ekspertët të vihen në kapacitet të plotë për të hartuar një draft të gjithëpranuar, por refuzoi të vazhdonte procesin me ultimatume të tilla. “Nuk është e thënë se KLD-ja sjell këtu të vërteta sublime, por është e sigurt që ka ekspertizë të mirë. Ndryshimi i procedurave të komisionit është vetëm zvarritje e procesit. Ndërsa deklarata “ose pranoni letrën tonë, ose kapitulloni janë deklarate lufte”, - tha Rusmali.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›