Çelet zyrtarisht konkursi për "Festivalin teatror të të rinjve"
Teatri Kombëtar shpalli dje të hapur për vitin 2009 aplikimet për "Festivalin teatror të të rinjve 2009". Ky projekt edhe këtë vit do të menaxhohet. Ai është i ndarë në disa faza. E para do të nisë më 20 mars e do të zgjasë deri më 10 prill. Ajo ka të bëjë me shpalljen e konkursit dhe aplikimin. E dyta, që nis prej 10 prillit e që përfundon më 20 maj, ka të bëjë me hartimin dhe dorëzimin e projekteve. Faza e tretë ka të bëjë me vlerësimin dhe shpalljen e projekteve fituese. Kjo fazë përfundon më 10 qershor. Pas kësaj, nis faza e zbatimit dhe realizimit të projekteve, e cila zgjat deri më 20 shtator. Faza e pestë ka të bëjë me organizimin e festivalit të regjisorëve të rinj, ndërsa gjatë fazës së fundit, duke nisur nga 1 nëntori deri më 30 dhjetor, do të nisin turnetë e shfaqjeve nëpër qytetet kryesore. Këtë vit do të jenë përfituese 6-7 projekte dhe fondi publik i akorduar nga MTKRS është 5500000 lekë. Për vitin 2009, përpos Festivalit të të Rinjve, i cili kurorëzohet me shpalljen e shfaqjes fituese dhe përfshirjen e saj në kalendarin artistik TK, është menduar që premierat të kryejnë një turne në disa nga teatrot bashkiakë. Kjo në funksion të njohjes dhe afirmimit të artistëve të rinj edhe në teatrot e qyteteve kryesore. Ky projekt është konceptuar si konkurs që u jep mundësinë artistëve të rinj të regjisë, skenografisë, kostumografisë dhe aktrimit, të debutojnë krijimet e tyre në skenën e TK, me qëllim zbulimin dhe evidentimin e talenteve të reja.